Ndërlidhjet

AHMETI:"KEMI ZGJIDHJEN MË TË MIRË TË MUNDSHME"


Ali AHMETI, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrime


EVROPA E LIRË
Ndërkohë që opozita maqedonase thotë se shqiptarët kanë marrë me shume nga ajo që u takon rreth përdorimit të gjuhës shqipe në nivel të kryeqendrës së Maqedonisë - Shkupit, opozita shqiptare vlerson se cungohet e drejta e qytetarëve shqiptarë që të perdorin në nivel të duhur gjuhën shqipe, ashtu siç e garanton Marrëveshja e Ohrit. Cila është e vërteta?

ALI AHMETI
Mendoj se këtu nuk duhet të ketë dilema, pasi është Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit ajo që i sanksionon të gjitha këto probleme. Gjuha shqipe është gjuhë e dytë në perdorim zyrtar në të gjitha nivelet në Republikën e Maqedonisë dhe normat e regullat janë të përcaktuara se si do të jetë përdorimi praktik i gjuhës shqipe.

EVROPA E LIRË
Pse ishte aq e vështirë që të harmonizoheshin qëndrimet me partnerin tuaj qeverisës LSDM-në, për dy komunat në Maqedoninë perëndimore (Strugën dhe Kërçovën)?

ALI AHMETI
Tash, për të qenë i hapur më duhet të them se bisedimet lidhur me decentralizimin e pushtetit vendore më shumë kanë zgjatur brenda Bashkimit Demokratik per Integrim se sa me partnerin në koalicionin qeveritar, LSDM-në. Në BDI çështja e decentralizimit është biseduar shtatë muaj dhe sigurisht përderisa kaq kanë zgjatur bisedimet brenda një partie mendoj se shumë pak kohë na kanë marrë bisedimet me partnerin tonë qeverisës për t'u arritur marrëveshja. Në rradhë të parë kemi caktuar parimet dhe në bazë të parimeve kemi diskutuar për të gjetur zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të gjithë qytetarët. Jo në mënyrë ideale ngase është e pamundur që të gjithë të pajtohen, por mendojmë se zgjidhja më e mirë është kjo qe e kemi aktualisht.

EVROPA E LIRË
Analistët vlerësojnë se forma e negociatave për decentralizimin pa përfshirjen e opozitës si nënshkrues të Marrëveshjes së Ohrit, ka bërë që ata pakënaqsinë e tyre ta shfaqin parmes protestave dhe bllokimit të rrugave. Cili është komenti juaj në këtë drejtim?

ALI AHMETI
Mendoj se nëse kyçej dhe opozita në këto bisedime nuk do të kishte asgjë të keqe, por zgjidhje nuk do të kishte, sepse opozita do të përpiqej për të përfituar politikisht duke thënë se nuk pajtohet për këtë ose atë ose nuk u pranua ky qëndrim ose ai qëndrim, ashtu që negociatat do të zgjasnin pafund. Përgjegjësinë për zbatimin e marrin institucionet që e kanë verdiktin e popullit dhe këto institucione e marrin dhe përgjegjësinë për të implementur këto ligje dhe në praktikë.

EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, si e komentoni nismën e bllokut opozitar maqedonas si dhe një numri të akademikëve maqedonas për organizimin e një referendumi kundër propozimit të Qeverisë për organizimin e ri territorial?

ALI AHMETI
Unë mendoj se nuk është hap i qëlluar për momentin, ngase Maqedonia do angazhim pak më të gjerë si nga partitë ashtu dhe nga personalitetet e ndryshme, kështu që këtë iniciativë nuk e shoh si të rrugës, sepse një gjë e tillë mund të nxisë reaksione tek komuniteti shqiptar. Një thirrje po t'u bëhet shqiptarëve brenda javës ata do të grumbullojnë 150 mijë nënshkrime për çfarëdo iniciative që mund të ndërmerret.

Bisedoi: Zerijeta HAJRO – JAHJAGA
XS
SM
MD
LG