Ndërlidhjet

DEPUTETËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH TË ARRITURAVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS


Deputetët nga tri partitë më të mëdha kosovare e vlerësojnë mesatarisht të suksesshëm mandatin tre vjeçar të Kuvendit të Kosovës. Duke pasur parasysh se mandati i këtij legjislativi është i pari në Kosovën e pasluftës, sipas Lulëzim Zenelit, deputet i Lidhjes Demokratike, Kuvendi ka treguar rezultate gjithsesi positive në punën e vet.
“Parlamenti i Kosovës ka bërë një punë, e cila duhet vlerësuar pozitivisht. Deri tash, mund të them saktësisht se ka mbi 70 ligje të cilat janë proceduar në parlament dhe kanë marrë vlerësimin e parlamentit”, vlerësoi Zeneli.
Një qëndrim më kritik lidhur me punën e Kuvendit dhe deputetëve, shpreh deputeti nga radhët e Partisë Demokratike, Xhavit Haliti. Sipas tij, askush nuk mund të mburret se gjatë këtyre tri viteve Kuvendi ka bërë punë të madhe, ndërsa vlerëson se gjatë kësaj kohe, kishte dhe shpërdorim të mandatit të deputetit.
“Unë e kam thënë dhe jam i gatshëm ta mbroj tezën që Kuvendi i Kosovës nuk ka punuar, duke filluar nga kryetari i Kuvendit e deri te deputët, të cilët kanë pasur obligime shumë më të mëdha në raport me Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës, duke punuar për interesat e tyre, duke e shfrytëzuar bile edhe buxhetin e Kosovës për disa punë tjera”, pohon Haliti.
Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku, thotë se është pjesërisht i kënaqur me punën e legjislativit. Maloku e vlerëson si të arriturën më të madhe të Kuvendit, jo numrin e ligjeve dhe sesionet e mbajtura, por tolerancën ndërmjet subjekteve përbërëse politike, të cilat sipas tij, në fillim të mandatit nuk kishin raporte të mira mes vete.
“Kemi dalur me shumë kundërthënie edhe në mes shqiptarëve, edhe me pakicën serbe që i kishte 22 deputetë. Unë mendoj se kur merret parasysh kjo e kaluara e jonë, si një prej faktorëve që ish dashur të matet suksesi i Kuvendit është ajo frymë tolerante dhe mendoj që është më tolerante krahasuar me të gjitha parlamentet rreth Kosovës”, tha Maloku.
Ndërkohë, deputeti Xhavit Haliti, mendon se puna e Kuvendit shpesh është karakterizuar me marrjen e vendimeve sa për të krijuar përshtypje te opinioni se po punohet diçka, duke marrë si shembull miratimin e ndryshimeve në Kornizën Kushtetuese të cilat sipas tij nuk do t’i prodhojnë ato efekte që janë thënë me rastin e aprovimit.
“Mendoj që gjithë kjo zhurmë për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese në fund të mandatit është e pa shije për mua, për faktin se është bërë zhurmë më shumë për marketing politik për shkak të fushatës elektorale dhe nuk është zgjedhur rruga përmes së cilës mund të ndryshohet Korniza Kushtetuese e Kosovës”, theksoi Haliti.
Sipas deputetit Lulëzim Zeneli, Kuvendi edhe pse kishte disa mangësi në punën e vet, ai i trasoi një rrugë shumë më të mirë legjislativit që do ta pasojë pas zgjedhjeve të lira të tetorit:
“Krijimi i bazamentit ligjor në Kosovë, ka qenë dhe një prej parakushteve themelore, ka qenë dhe prioritet që i kemi kushtuar ne në Parlamentin e Kosovës. Mirëpo në anën tjetër nuk mund të thuhet që Parlamenti ka bërë mrekulli, por duke e vlerësuar se gjithsesi në mandatin e ardhshëm do të jetë shumë më lehtë dhe do të trasohet aq më fuqishëm dhe me një dinamikë më të theksuar”, tha Zeneli.
Mungesa e pozitës dhe opozitës në mandatin e Kuvendit të Kosovës sipas deputetit Naim Maloku, për këtë mandat ishte i domosdoshëm që të mos thellohen mospajtimet e mëdha në mes subjekteve përbërëse, kurse Kuvendi i ardhshëm, tha ai, duhet të ketë pozitën dhe opozitën, në mënyrë që Kosova të hyjë dhe në këtë fazë të ndërtimit të demokracisë.
"Kosova hynë në fazën tjetër të funksionimit të mirëfilltë të demokracisë. Unë e di se kjo nuk ka qenë demokraci e mirëfilltë, por nuk ka pas as Kuvend të mirëfilltë. Kosova në mandatin e ardhshëm hyn në fazën e demokracisë së mirfilltë, ku do të ketë pozitë dhe opozitë”, theksoi Maloku.
Muajin gusht, Kuvendi e ka shpallur muaj pushimi, ndërsa parashihet që gjatë shtatorit të mbahen dhe dy apo tri sesione me të cilat do t’i japë fund mandatit të tij, duke synuar që si rezultat përfundimtar Kuvendi të ketë mbi 90 ligje të miratuara.

Zijadin Gashi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG