Ndërlidhjet

I. HASANI:"SERBËT E KOSOVËS MBETEN PENG I POLITIKËS SË BEOGRADIT"


Ismajl HASANI, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë


EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, zyrtarët e qeverisë së Serbisë pas një takimi të djeshëm me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë thënë se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Si e vlerësoni ju këtë situatë?

ISMAJL HASANI
Serbët që jetojnë në Kosovë vazhdojnë të mbeten peng i politikës së ndryshueshme aktuale të Beogradit. Kjo politikë nuk ka as shenjat më të vogla të lëvizjes në drejtim të renovimit të asaj për çka Beogradi për një kohë të gjatë akuzohet për politikë destabilizuese në gjithë koordinatat e Evropës Juglindore. Prandaj, në këtë kontekst, mendoj se të gjitha ato trumbetime nëse ka apo nuk ka kushte për të dalë në zgjedhje për serbët e Kosovës, janë një përpjekje për të sfiduar proceset që aktualisht po zhvillohen në Kosovë, procese që kanë vështirësitë e veta të natyrshme, për shkak të jetës shumë të ndërlikuar politike në Kosovë, posaçërisht pas ngjarjeve të marsit.

EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti Hasani, cilat janë gjasët që serbët të vendosin në momentin e fundit për të marrë pjesë në zgjedhje, ose në të kundërtën, çfarë do të ishin ndikimet e bojkotit eventual?

ISMAJL HASANI
Serbët e Kosovës e kanë ofertën reale të faktorit politik shqiptar të Kosovës dhe kanë ofertën reale dhe miqësore të administratës ndërkombëtare dhe do të duhej ta shfrytëzonin. Kjo është në interesin e serbëve të Kosovës, të atyre që jetojnë këtu dhe të atyre që planifikojnë të kthehen, pasi Kosova është e hapur për të gjithë ata njerëz që duan të jetojnë në Kosovë dhe ta pranojnë Kosovën si shtetin e tyre në të ardhmen. Bojkoti eventual i serbëve të Kosovës do të duhej shikuar jo në dëshirën e serbëve të Kosovës për të bërë gjëra të tillë, por për faktin se ata vazhdojnë të mbeten peng i politikës destruktive të zyrtarëve të Beogradit karshi tyre dhe proceseve politike që po zhvillohen në Kosovë.

EVROPA E LIRË
Vetë përfaqësuesit serbë e patën cilësuar deklaratën e përbashkët realizuar në Zyrën e SHBA-ve, si ofertë të sinqertë dhe serioze për kthimin. Çfarë mund të pritet nga jetësimi i asaj deklarate?

ISMAJL HASANI
Të gjithë ata njerëz që duan të jenë të sinqertë, dhe nuk e përjashtoj mundësinë që ata që e nënshkruan deklaratën e mirëpritën dhe e cilësuan atë si ofertë bujare, edhe më tej kanë mendim të tillë. Por, problemi është se ata tjetër deklarojnë dhe sapo kthehen dhe i komunikojnë padronit të tyre disponimin e tyre, deshën apo nuk deshën, patjetër pranojnë t’i bëjnë koncesione të tilla politikës së Beogradit, për arsye se padroni duhet dëgjuar, në kuptim të asaj se kjo është një gjuhë specifike e komunikimit në gjithë Evropën Juglindore. Kemi të bëjmë me politikë të standardeve të dyfishta përkatësisht e asaj që thuhet “hiding motives”, apo e "motiveve të fshehta", që janë të dëshmshme në politikë, sepse faktori ndërkombëtar është lodhur nga motivet e fshehta të serbëve të Kosovës dhe ata më në fund duhet të dalin hapur dhe të pranojnë realitetin e ri në Kosovë dhe sjelljet dhe veprimet e tyre në jetën praktike, por edhe në sferën e politikës duhet t’ia përshtatin realitetit të ri politik të krijuar në Kosovë.

EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti Hasani, parlamenti i Kosovës ka miratuar amandamentimin e Kornizës Kushtetuese dhe ajo i është dërguar UNMIK-ut. Cili, sipas Jush, do të jetë fati i këtyre ndryshimeve?

ISMAJL HASANI
Unë nuk do të doja që kjo kushtetutë ta ketë fatin e atyre kushtetutave të "pavarësive”, të cilat parlamentarët tanë të pakompetencë në të kaluarën bënë përpjekje që t’i fusin në sirtarë e më vonë t’i bëjnë publike.Pas një pune të mundimshme që është bërë, pas një gjysmë miratimi që është marrë në Kushtetutën e përkohshme të Kosovës, konsideroj se me elementet që mbeten kompetencë e administratës ndërkombëtare, për të cilat edhe faktori ndërkombëtar, përkatësisht administrata e UNMIK-ut në një mënyrë është prononcuar, pjesa tjetër e amandamenteve konsideroj se do të mbetet në trajtën e një kushtetute të përkohshme të Kosovës, që është një bazë e mjaftueshme juridike për proceset e ardhshme të shumëpritura të vitit 2005 për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër tepër aktuale në Kosovë është edhe decentralizimi, për ç’gjë qeveria dhe UNMIK-u kanë nxjerrë një kornizë për reformimin e pushtetit lokal. Si e vlerësoni ju këtë kornizë?

ISMAJL HASANI
Në këtë plan një kohë të gjatë në mënyrë folklorike janë marrë disa prej liderëve tanë politikë dhe këto më tepër u kanë ngjarë lojërave politike, por oferta si ofertë, për decentralizimin e pushtetit, përkatësisht për një riorganizim të pushtetit në nivel të vendit është e domosdoshme, për arsye se me këtë krijohen kushtet themelore që pushteti t’i vijë sa më afër qytetarëit të Kosovës, i cili edhe ashtu përballet me halle, me burokraci të pashpjegueshme dhe me probleme në jetën e përditshme. Por, decentrazlimi jo në versionin e asaj që ofron Beogradi, jo ashtu siç e ka planin rezervë faktori politik serb në Kosovë, por decentralizim në konktekstin e rrjedhave dhe të proceseve të administratës që zhvillohet në çdo shtet normal të Evropë dhe më gjerë.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG