Ndërlidhjet

OPOZITA MAQEDONASE KËRKON MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE LOKALE SIPAS NDARJES SË VJETËR TERRITORIALE


Partitë politike kanë vazhduar kundërtheniet për atë se duhej apo jo të merrej vendim nga ana e qeverisë për t'i propozuar Kuvendit shtyrjen për një muaj të zgjedhjeve lokale që ishin paraparë të mbahen më 17 tetor.
Kryetari i partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE , Nikolla Gruevski , ka vlerësuar se nuk kishte nevojë të merrej një vendim i tillë pasi zgjedhjet lokale sipas tij mund të mbaheshin edhe me rregullativën e vjetër ligjore apo me ndarjen e deritanishme territoriale të Maqedonisë me 123
komuna.
"Është e qartë se Lidhja Socialdemokrate dëshiron të shtyjë zgjedhjet lokale, supozoj për arsye partiake dhe politike, duke shpresuar se populli do të harrojë atë marrëveshje të arritur mes pesë - gjashtë personave" ,
tha Nikolla Gruevski duke aluduar në marrëveshjen për decentralizim mes LSDM-së dhe BDI-së, të cilën e ka vlerësuar si shumë të dëmshme për qytetarët. Me shtyrjen e zgjedhjeve partitë në pushtet vetëm se blejnë kohë për të kurdisur afera të reja me qëllim që të tërheqin vëmendjen e popullit të nëncmuar sic thotë Gruevski nga paketa ligjore e decentralizmit.
Kundër këtyre pohimeve kanë reaguar partitë politike në pushtet, të cilat akuzojnë pikërisht opozitën e cila sic thonë ata me obstruksionet e saj ndaj punimeve të Kuvendit ka bërë që zgjedhjet të shtyhen.
"Për shkak të obstruksioneve të cilat është duke i bërë opozita maqedonase, ne jemi të detyruar që t'i shtyjmë zgjedhjet për një muaj e që duhet të
mbahen me ligjin e ri. Sa na përket neve nuk vjen parasysh të përkrahim variantin që zgjedhjet të mbahen me 123 komuna, por me ligjin e ri qeë parsheh
80 komuna", tha Koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafis Haliti.
I të njëjtit mendim është edhe zëdhënësi i Lidhjes
Socialdemokrate, Boris Kondarko .
"Ne jemi të interesuar dhe angazhohemi që zgjedhjet të mbahen me kohë, ndërsa nuk është logjike që ato të mbahen me ligjin e vjetër, pasi në këtë rast nuk do
të kishte reforma dhe decentralizim të pushtetit", tha Kondarko, sipas të cilit për shkak të problemeve brenda partisë, VMRO-DPMNE është ajo e cila
mbështet shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
Sipas propozimit të qeverisë zgjedhjet duhet të mbahen më 21 nëntor, por paraprakisht për këtë duhet të vendos Kuvendi i Maqedonisë.
"Sipas të gjitha rrethanave për një muaj do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale. Duhet të ndryshojë edhe ligji i aprovuar para disa muajve për zgjedhjet lokale që parasheh mbajtjen e tyre në pjesën e dytë të muajit
tetor", tha Nënkryetari i Kuvendit, Hysni Shaqiri.
Ai vlerëson se shtyrja e zgjedhjeve do të ketë pasoja për proceset e në vecanti për ato eurointegruese duke marrë parasysh se komuniteti ndërkombëtar disa herë ka sugjeruar miratimin me kohë të ligjeve për
decentralizim dhe më pas mbatjen e zgjedhjeve lokale.

Isuf Kadriu, Shkup
XS
SM
MD
LG