Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

ANNAN BËN PUBLIK RAPORTIN PËR KOSOVËN


Vlerësohet riparimi i dëmeve të marsit, por kritikohet Kuvendi

Kreu i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, iu ka dorëzuar raportin e rradhës për Kosovën vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, derisa ky i fundit do ta diskutojë raportin më 5 gusht.
Pjesa më e madhe e përpjekjeve politike në Kosovë të bëra gjatë muajve të fundit ka pasur si qëllim riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna e marsit dhe vëmendja politike ka qenë e përqëndruar në përmbushjen e disa prej standardeve bazë, shkruhet në raport.
Lidhur me institucionet e Kosovës raporti vlerëson punën e Qeverisë së Kosvës në riparimin e dëmeve të marsit, por thekson nevojën për të rritur profesionalisht kapacitet politk-bërëse të qeverisë. Në raport kritikohet Kuvendi i Kosovës për marrjen e disa hapave që i kalojnë kompetencat e këtij institucioni.
Raporti vlerëson se përfshirja e pakicës serbe në jetën politike të Kosovës mbetet një cështje shqetësuese, derisa vetë serbët nuk pranojnë të marrin pjesë në institucionet e Kosovës.
Sipas raportit të Kreut të Kombeve të Bashkuara reforma e pushtetit vendor është një nga sfidat e Kosovës dhe njëherësh prej saj varet edhe e ardhmja e pakicës serbe. Raporti vlerëson grupin e përbashkët punues të UNMIK-ut dhe institucioneve vendore lidhur me nismën për hartimin e kësaj reforme.
Megjithatë në përmbledhjen përfundimtare të raportit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, vlerëson përparimin e bërë nga institucionet e Kosovës në zbatimin e standardeve, rindërtimin e pronave të dëmtuar gjatë marsit, në nismat për përmirësimin e mardhënieve ndëretnike dhe reformën në pushtetin lokal. Annan kërkon nga institucionet e Kosovës që të përfundojë rindërimin e shkollave të dëmtuara nga dhuna e marsit, deri më 1 shtator, kurse shtëpitë të përfundojnë përpara dimrit.
Nga ana tjetër, kreu i Kombeve të Bashkuara Annan ka mirëpritur angazhimin e udhëheqësve të Kosovës dhe hapat konkrete të bëra në cuarjen përpara të procesit të standardeve, përfshi dhe krijimin e një plani me detyra konkrëte dhe afata kohore të përcaktuara.
Megjithatë raporti i kreut të Oraginzatës së Kombeve të Bashkuara kritikon Kuvendin e Kosovës.
Lidhur me punën e Kuvendit, Fred Eckhard, zëdhënësi i Kofi Annanit, për Evropa e Lirë tha:
"Përpjekjet e bëra nga Kuvendi i Kosovës për të ndryshuar Kornizën kushtetuese janë qartas hapa të cilat i tejkalojnë kompetencat dhe pasqyrojnë një mungesë brengosëse vullneti të Kuvendit për t'u përqëndruar në përparësitë e menjëhershme të Kosovës", tha Ekhart për "Evropa e Lirë".
Ndërkaq raporti i Annanit sërish përsërit një shqetësim, që gjendet thuajse në të gjitha raportet e mëparshme, mungesa e lirisë së lëvizjes për pakicat, megjithë disa përparime të bëra.
Ky raport i rradhës i Annanit pritej të përfshinte dhe rekomandimet e bëra nga ambasadori norvegjez Kai Eide. Vetë Annan në raport shkruan se ka marrë parasysh rekomandimet e Eides, por jo vetëm ato. Sipas tij ka pasur rekomandime edhe nga struktura të tjera, të cilat janë përfshirë në raport.
Një nga diplomatët pjesëmarrës në Këshillin e Sigurimit, ka thënë për "Evropëa e Lirë" se Eide ka rekomanduar që të rishihet politika "standardet përpara statusit". Ai ka këshilluar që energjitë të përqëndrohen në përmbushjen e standardeve kryesore përfshi përmirësimin e kushteve për pakicat.
Nëse këto standarde plotësohen do ketë kalim më të shpejtë të përgjegjësive tek vendorët në fushat e ekonomisë, drejtësisë dhe administratës lokale, kanë bërë të ditur të njëjtat burime lidhur me raportin e Eide.
Nga ana tjetër, ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit, Andrei Denisov, vendi i të cilit ka kryesinë e rradhës të Këshillit të Sigurimit, ka deklaruar se Kosova do jetë e rëndësisë së vecantë, duke pasur parasysh dhe dhunën e marsit.
"Rëndësia që do t'i kushtohet Kosovës gjatë kësaj periudhe do të jetë e madhe, pasi ne të gjithë kujtojmë shpërthimin e dhunës në mars, që ishte dëshpëruese. Ne parashohim një diskutim tepër aktiv brenda Këshillit të Sigurimit këtë muaj", tha ambasadori rus në Kombet e Bashkuara Denisov, vendi i të cilit ka kryesinë e rradhës së Këshillit.
Rusia nga ana e saj ka kërkuar shtyrjen e afatit për rishikimin e standardeve, që është caktuar për mesin e vitit të ardhshëm. Annan në raportin e vet lidhur më këtë përshëndet punën e Grupit të Kontaktit plus, vlerëson përpjekjet e këtij grupi dhe mbështet qëndrimin e tij lidhur me standardet.

Iliriana A. Bajo & Robert McMahon
XS
SM
MD
LG