Ndërlidhjet

59 VJET MË VONË, EMOCIONET RRETH HIROSHIMËS MBETEN TË FORTA


CHARLES RECKNAGEL

Para 59 vitesh, bota për herë të parë e pa se sa shkatërruese mund të jenë armët bërthamore. Shpërthimet në 8:15 të mëngjesit të 6 gushtit në Hiroshimë, dhe 3 ditë më vonë në Nagasaki, e shënuan fundin e luftës së tmerrshme të aleatëve kundër Gjermanisë dhe Japonisë.
Siç njofton korrespondenti i radios "Evropa e Lirë" Charles Recknagel, kjo bëri të lindë një lëvizje e re anti bërthamore, e cila synon çarmatimin e plotë bërthamor në botë.
"Bota do ta shënojë se bomba e parë atomike u hodh në Hiroshimë, në një bazë ushtarake. Ne e fituam garën ndaj gjermanëve. E përdorëm për ta shkurtuar agoninë e luftës, për të shpëtuar jetërat e mijëra amerikanëve të rinj. Dhe, ende do të vazhdojmë ta përdorim derisa plotësisht nuk e shkatërrojmë forcën luftarake të Japonisë", tha presidenti i Shteteve të Bashkuara Hari Truman, duke e bërë publik lajmin për hedhjen e bombës së parë bërthamore në vitin 1945.
Bomba e goditi qendrën e qytetit. Në Hiroshimë atëherë jetonin 250 mijë banorë dhe kishte 40 mijë personel ushtarak. Nga shpërthimi i bombës me fuqi 12 kilo-tonë vdiqën rreth 80 mijë njerëz dhe u shkatërrua pothuaj gjithë qyteti.
Deri në muajin dhjetor, rreth 60 mijë banorë tjerë të Hiroshimës vdiqën nga sëmundjet e rrezatimit nuklear, kurse mijëra tjerë nga kanceri.
Tre ditë më vonë, forcat amerikane hodhën një bombë tjetër në portin Nagasaki, ku numri i viktimave ishte sa gjysma e atyre të Hiroshimës.
Disa ditë më vonë, në 15 gusht, Japonia kapitulloi pa kushte.
Lajmi për kapitullimin e Japonisë, në qytetet e Amerikës u prit me ngazëllim.
"Njerëzit, rreth 350 mijë apo më tepër, nuk mund t'i vlerësoj saktë, janë tubuar dhe e kremtojnë të gëzuar fitoren dhe kapitullimin e Japonisë", njoftonte një radio e Nju Jorkut.
Sot, 59 vjet më vonë, vendimi i Uashingtonit për hedhjen e bombave në Hiroshimë dhe Nagasaki mbetet kontraverz.
Kritikët thonë se Uashingtoni duhej ta demonstrojë fuqinë e bombës në një territor të pabanuar. Ata mendojnë se kështu do të shpëtonin mijëra jetë njerëzish, dhe ndoshta Tokioja do të bindej se vazhdimi i luftës do të ishte i kotë. Debati ndoshta asnjëherë nuk do të zgjidhet, sepse kryesisht mbështetet në pikëpamjet e ndryshme të historisë.
Christopher Hood është drejtor i Qendrës për Studime Japoneze në Universitetin Cardiff në Britaninë e Madhe. Ai thotë se bombat i bindën shumë njerëz në Japoni se lufta në epokën bërthamore është tepër shkatërrimtare për të qenë e justifikueshme.
"Lufta në Paqësor asnjëherë nuk ishte popullare, dhe me kalimin e kohës, vetë japonezët dëshironin që lufta sa më shpejt të përfundojë. Andaj, kur ndodhi Hiroshima dhe kur japonezët i panë pasojat afatgjata të bombës, kjo te ata vërtetë shkaktoi neveri për vetë luftën", thotë Hood.
Ai thotë se averzioni i thellë ndaj luftës shihet qartë në kushtetutën e tyre tejet pacifiste. Edhepse kushtetuta fillimisht u hartua nga Shtetet e Bashkuara, të cilat pas luftës e pushtuan Japoninë, asnjë parti relevante japoneze nuk ka kërkuar ndryshimin e saj.
"Japonezët kanë një kushtetutë pacifiste. Vetë kushtetuta e ndalon të drejtën e Japonisë të shpallë luftë. Kuptohet, realiteti tani ka ndryshuar. Ata kanë një forcë policore, e cila u shndërrua në një forcë vetëmbrojtëse, dhe për momentin gjendet edhe në Irak. Por ideja për paqen, për mospërsëritjen e Hiroshimës, aq shumë është e mishëruar në shoqërinë japoneze, sa që kryeministri Koizumi mori mbi vete rrezik të madh kur vendosi t'i dërgojë trupat në Irak", përfundon Hood.
Në përkujtim të bombës së Hiroshimës, dhjetra mijë japonezë dhe të huaj, u tubuan në "Parkun e Paqes". Ata dëgjuan se si kryetari i bashkisë Tadatoshi Akiba, i kritikoi Shtetet e Bashkuara për atë që ai i quajti pikëpamje "egocentrike" ndaj botës.
XS
SM
MD
LG