Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: RAPORTI DO TË THOTË ZGJERIM DHE THELLIM I PRANISË SË UNMIK-UT


"Mendoj se disa vende të tjera evropiane, që tash janë në Bashkimin Evropian ose në NATO, do të mund të kishin probleme në arritjen e standardeve. Në këtë aspekt, një ditë dikush do të thotë se njerëzit që i kushtuan kaq shumë kujdes standardeve për Kosovën, do të mund ta shqyrtonin vënien e standardeve për vetveten, kryesisht për energji elektrike, për ujë dhe për privatizim", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore, duke folur lidhur me raportin e zotit Kofi Annan për Kosovën, që u diskutua në Këshillin e Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kishte diskutime për Kosovën. Zoti Mur, sipas jush, çka synoi diskutimi për raportin e publikuar nga sekretari i përgjithshëm, Kofi Annan?

PATRICK MOORE
Ky është një raport i detajuar 12 faqesh, me shkronja të imëta, që përfshinë 64 paragrafe, e që është publikuar në emër të sekretarit të përgjithshëm, Kofi Annan. Është një raport për administratën e Kombeve të Bashkuara dhe, në të vërtetë, është një paralajmërim lidhur me atë se në cilin drejtim Kombet e Bashkuara dhe Kofi Annani dëshirojnë që të shkojnë gjërat pas dhunës së muajit Mars. Raporti zhvillohet, duke trajtuar, temë pas teme, në një përshkrim të përgjithshëm të çështjeve që kanë të bëjnë me standardet. Shqetësim parësor në raport është siguria, lëvizja e lirë, riparimi i dëmeve dhe çështje të tjera, që janë qendrore për minoritetin serb dhe duket se barra politike e ndryshimit bie mbi shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë muajve të fundit kishte shumë diskutime për rolin e UNMIK-ut në Kosovë dhe për mundësitë e transformimit të rolit të tij. Në këtë aspekt çka do të thotë ky raport?

PATRICK MOORE
Do të thotë rol më të madh për UNMIK-un. Raporti është shkruar nga perspektiva, nga këndvështrimi i UNMIK-ut, nga ana e zotit Annan, që është shef i tij. Pra, në rastet kur ju keni pasur mospajtime të ashpra ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, raporti rreshtohet në anën e UNMIK-ut! Pra, përderisa UNMIK-u ka gjithë autoritetin e pushtetit, ky raport do të jetë një udhërrëfyes për aksionet në të ardhmen. Me fjalë të tjera, njerëzit që ngjarjet e marsit i shohin si një kthesë për zgjim, duke treguar nevojën e përfundimit të administratës koloniale dhe përshpejtimin e lëvizjes kah demokracia, pra, këta njerëz, do të jenë të dëshpruar, për arsye se duket se standardet, me këtë raport, janë përforcuar. Prandaj, ajo që do ta kemi, do të jetë një zgjerim dhe thellim i pranisë së UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund dëshiroj t'ju pyes për komentin tuaj lidhur me qasjen e përgjithshme të raportit?

PATRICK MOORE
Personalisht mendoj se kjo është vetëm garanaci për më tepër probleme. Historia lëvizë përpara duke ndërtuar ligjin e shumicës dhe me shpërbërjen e ish Jugosllavisë. Këto janë procese historike që kanë ndodhur në Kosovë dhe përpjekjet për ti zvarritur këto procese nuk do të kenë kurrfarë suksesi, ashtu siç nuk kanë pasur sukses edhe në pjesët e tjera të botës. Mendoj se ekziston nevoja për më tepër lëvizje kah demokracia, e jo përforcim i kontrollit kolonial dhe insistimi në standarde, që nuk ishin kërkuar nga asnjë ish republikë jugosllave, përfshirë këtu Serbinë. Mendoj se disa vende të tjera evropiane, që tash janë në Bashkimin Evropian ose në NATO, do të mund të kishin probleme në arritjen e standardeve. Në këtë aspekt, një ditë dikush do të thotë se njerëzit që i kushtuan kaq shumë kujdes standardeve për Kosovën, do të mund ta shqyrtonin vënien e standardeve për vetveten, kryesisht për energji elektrike, për ujë dhe për privatizim. Kjo do të ishte interesante për tu parë!
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG