Ndërlidhjet

PËRFAQËSUES TË UNMIK-ut DHE QEVERISË SË KOSOVËS FTOJNË SERBËT TË MARRIN PJESË NË ZGJEDHJE


Rrahman Paçarizi, Fushë-Kosovë

Rindërtimi i rreth 80 për qind të shtëpive të dëmtuara gjatë trazirave të marsit është një sinjal i mjaftueshëm për serbët e Kosovës që të vendosin për të marrë pjesë në zgjedhjet e tetorit, kanë deklaruar sot në Fushë-Kosovë, ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshow dhe ministri në qeverinë e Kosovës Bexhet Brajshori. Ata i kanë bërë këto komente me rastin e fillimit të rindërtimit të shkollës së dëmtuar në Fushë-Kosovë, në të cilën në shtator duhet të fillojnë mësimin fëmijët e bashkësisë serbe.
"Mënyra e vetme për të marrë pjesë në institucionet demokratike dhe për të përfituar nga to është të qenit pjesë e tyre, prandaj UNMIK-u dhe partnerët më të fuqishëm, si grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit u bëjnë thirrje serbëve të marrin pjesë në zgjedhje," tha Brayshow, sipas të cilit pikërisht mirëbesimi i ndërtuar në mesin e njerëzve të zhvendosur është çështja më e rëndësishme aktualisht.
Edhe ministri në qeverinë e Kosovës, Bexhet Brajshori i ka ftuar serbët që të vendosin pro pjesëmarrjes në zgjedhje, duke e cilësuar angazhimin e qeverisë për rindërtimin, një sinjal që duhet pranuar nga serbët:
"Unë i ftoj edhe sot ta bëjnë këtë, pasi janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Ky është një program që do të ndërtojë edhe më tepër mirëbesimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe ata patjetër duhet të marrin pjesë në zgjedhje."
Këto deklarata kanë pasuar thirrjen e djeshme të kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi, drejtuar pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, pavarësisht nga sinjalet kontradikatore që u vijnë nga Beogradi. Milan Gjekiç, nënkryetar shtesë i komunës së Fushë-Kosovës tha se pikërisht porositë kundërthënëse nga Beogradi kanë shkaktuar një konfuzion të tillë:
"Unë personalisht jam për dalje në zgjedhje," tha Gjekiç, sipas të cilit vetë angazhimi i institucioneve të Kosovës për rindërtimin do të duhej të ndikonte për një vendim pozitiv të serbëve për dalje në zgjedhje.
Lidhur me këtë, ministri Brajshori, njëkohësisht kryetar i komisionit qeveritar për rindërtim, tha se ishte shumë i kënaqur nga dinamika e rindërtimit në gjithë Kosovën:
"Sipas të dhënave të djeshme, diku 80 për qind e objekteve të dëmtuara, ose janë kryer ose janë në fazën e rindërtimit, ndërsa një numër i vogël është në fazën e kontraktimit dhe të përgatitjes teknike".
Ministri Brajshori tha se programi do të përfundojë në tetor dhe kjo është puna më e shpejtë e bërë në periudhën e pasluftës në Kosovë, ndërkohë që edhe ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshow tha se ishte i kënaqur që po jetësohej zotimi i qeverisë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë trazirave.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Fushë-Kosovës Skënder Zogaj, ka lavdëruar edhe pjesëtarët e komunitetit serb për bashkëpunim në rindërtimin e shtëpive të tyre:
"Mund t’ju them se këto ditë janë në përfundim dhjetë shtëpitë e para që do t’i inaugurojmë dhe qytetarët do të kthehen në vendbanimin e tyre. Kujtoj se ka qenë një ndihmë edhe e palës serbe e cila ka qenë racionale dhe më kërkesa racionale dhe ne na vjen mirë se në Fushë-Kosovë po ndërtohet një klimë e mirë e mirëbesimit."
Nënkryetari, Milan Gjekiç duke shprehur kënaqësinë për ritmin e punëve lidhur me rindërtimin dhe tha se procedurat teknike dhe moti i keq kanë ndikuar që puna paksa të vonohet, mirëpo tha se ishte i kënaqur nga angazhimi i të gjithëve.

XS
SM
MD
LG