Zoti Eide në raportin e tij tha se "ekziston një pranim në rritje se qasja standardet para statusit, në formën e saj aktuale, është e papërshtatshme dhe se duhet të ndërrohet me një politikë më të gjërë ku implementimi i standardeve e çon Kosovën në një rrugë të drejtë". Sipas jush, cili është mesazhi i këtyre fjalëve?
PATRICK MOORE
Tingëllon ngjashëm me një sugjerim të bërë kohët e fundit nga ambasadori i Pakistanit në Kombet e Bashkuara, në të cilin u tha se "standardet para statusit" do të duhej të zëvendësoheshin me qasjen "standardet me statusin". Me fjalë të tjera, disa nga standardet do të konsiderohen prioritete dhe do të plotësoheshin së pari, në vend të përpjekjeve për realizimin e të gjithave njëherësh, dhe në të njëjtën kohë do të bëhej progres serioz në çështjen e statusit. Nuk jam 100 % i sigurt për raportin e zotit Eide, nëse do të shkonte aq larg sa të aktualizonte çështjen e statusit, por është mirë që ai ka nxjerrë në pah një problem. Sa i përketë paketës së standardeve, që duhet të plotësohen para se të flasim për statusin, duhet të thuhet se asnjërës nga ish republikat e Jugosllavisë, madje as Serbisë, nuk i është kërkuar ta plotësojë një paketë të tillë kërkesash. Disa vëzhgues kanë thënë që edhe disa vende në Bashkimin Evropian ndoshta nuk do të ishin në gjendje t'i plotësojnë këto standarde. Si do që të jetë, me gjasë, rruga më e mirë për të zhvilluar këtë në Kosovë, do të ishte mënyra se si u zhvillua në një numër të madh shtetesh në botë, pra të mos pritet perfeksion para pavarësisë, por të mësohet nga praktika. Kështu është bërë në Shtetet e Bashkuara dhe njëlloj mund të bëhet edhe në vende të tjera.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Eide në raportin e tij, që tashmë u botua në gazeta, poashtu shkruan se liderët shqiptarë të Kosovës janë unik në kërkesat e tyre për transferin e mëtejshëm të kompetencave. Çfarë është pozicioni i raportit në këtë çështje?
PATRICK MOORE
Duket se ai kërkon një transfer gradual të pushteteve nga UNMIK-u në autoriteteve e zgjedhura dhe, në të njëjtën kohë, duke mundësuar më tepër trajnime profesionale për kosovarët në fushat përkatëse të qeverisjes ose të ekonomisë. Mendoj që është mjaft interesante që zoti Eide, si njërin nga shembujt, nënvizon që UNMIK-u ka dështuar në sferën e energjisë. Raporti i zotit Eide është shumë i gjatë, i ka, mendoj, diku rreth 70 paragrafe dhe nuk është e qartë se sa prej këtyre gjërave në raport do të zbatohen…Megjithatë sigurisht që do të jetë një temë interesante diskutimi.
RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me diskutimet për statusin final të Kosovës, zoti Eide tha se "sa më gjatë që të presim, frustrimi në popullatën shumicë të Kosovës do të shtohet". Çka do të thotë kjo nga këndvështrimi juaj?
PATRICK MOORE
Jam jashtëzakonisht i kënaqur që dikush e tha këtë. Pra, një zyrtar i lartë i komunitetit ndërkombëtar, sepse, ashtu siç thotë edhe profesori Tripst i Universitetit të Lajpcigut dhe një sërë ekspertësh të tjerë, edhe jashtë komunitetit shqiptar, prej vitit 1999, se sa më shumë të zvarritet kjo çështje aq më keq do të bëhet. Kjo ka qenë një vërejtje mjaft e rëndësishme. Pas dhunës së marsit patëm një numër raportesh nga ndërkombëtarët ku theksohej se shqiptarët e Kosovës u sollën si "fëmijë të këqinj" dhe se duhej të dënoheshin me një kontroll më të rreptë nga jashtë dhe përmes një numri më të madh administratorësh, sigurisht me rroga mjaft të majme. Më vjen mirë që zoti Eide nuk ka mbajtur këtë qasje në raportin e tij, sepse mendoj që zgjerimi dhe thellimi i burokracisë ndërkombëtare do të prodhonte vetëm më shumë frustrim e ndoshta dhe më shumë dhunë. Pra, sërisht më vjen mirë për disa nga përfundimet që nxori zoti Eide, veçanërisht sa i përket nevojës për të eliminuar shkaqet e frustrimit dhe rrënjët e vërteta të dhunës së marsit dhe ndoshta do të bëhet një progres këtë drejtim.
Intervistoi Fatmir Bujupi