Zoti Haxhiu, kryeadministratori i ri i Kosovës, Petersen na deklarimet e tij të para ka thënë se pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk mund të ketë stabilitet në rajon. Si i vlerësoni ju këto deklarime?
BATON HAXHIU
Kam qenë në një seminar në Granadë të Spanjës ku zoti Petersen e vitin e kaluar ka pasur këtë qasje, ku ka thënë se nuk ka stabilitet në rajon pa zgjidhjen e statusit të Kosovës. Mendoj se me këtë mandat edhe e ka marrë detyrën, pra që të nisë procesin e implementimit të statusit, por mandati i tij nuk është që ai do ta zgjidhë statusin. Megjithatë, zoti Petersen është vetëm ndërmjetësues ndërmjet Bashkëësisë ndërkombëtare ose Quintit dhe Serbisë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Zoti Petersen do të jetë ai që do ta trasojë rrugën që të ketë një finale.
RADIO EVROPA E LIRË
Duke u mbështetur në përvojën e tij në rajon, Petersen ka thënë se do ta çojë përpara jo vetëm Kosovën, por rajonin si tërësi. Cilat janë gjasët që ai të përmbushë këto zotime?
BATON HAXHIU
Është një parim – nëse marrëveshja paqësore nuk realizohet me një konditë politikë, atëherë e gjithë kjo marrëveshje paqësore i kthehet asaj që i thonë luftë. Unë nuk besoj se zoti Petersen ka mandat që ta kthejë rajonin në luftë, por ta kthejë në paqe. Prandaj, duke e njohur rajonin, unë mendoj se ai është njeriu i merituar që ti nisë këto procese, megjithëse natyra e tij i takon një sfere tjetër e jo implementimit të marrëveshjeve paqësore. Vetë fakti se koncepti i tij është implementimi i marrëveshjes paqësore kah statusi, mandat me të cilin ka ardhur në Kosovë, tregon se ai e ka marrë autorizimin nga të tjerët ,e sidomos, nga Grupi i Kontaktit dhe Quinti që të ndërtojë një sferë të paqes, e cila tregon se do të realizohet me statusin e Kosovës. Unë mendoj se ai është i mjaftueshëm dhe i fortë për ta nisur këtë proces dhe për ta afruar që të vihet nënshkrimi pas disa vitesh për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Zoti Peteresen nuk ka ardhur që ta vërë nënshkrimin për statusi, por që ta vërë nismën për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Petersen ka pranuar se sfida e tij e parë e madhe është sigurimi i zgjedhjeve gjithëpërfshirëse. Si mund të ndikojë ai për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje?
BATON HAXHIU
Unë mendoj se serbët do të kërkojnë koncesione dhe këto do të jenë kryesisht të lidhura me decentralizimin. Por, e mira është që shqiptarët duhet të dalin me një ofertë konkrete për serbët, e cila do ta vërë Petersenin në pozitë më të këndshme dhe më favorizuese, i cili do ta gjejë faktorin shqiptar si partner për realizimin e asaj që quhet kompaktësi zgjedhore, ku do të marrin pjesë edhe serbët. Unë mendoj se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht nga këto hezitime dhe në çfarëdo varianti të hezitimit serb për të mos qenë pjesë e institucioneve të Kosovës, nuk do të thotë destabilizim, por do të thotë vonesë e të ashtuquajturit proces stabiliteti.
RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, a mund të bëhet një koncesion i tillë si decentralizimi, tani kur pritet që edhe grupi i Kontaktit, edhe grupi Kontakt plus, pritet të diskutojnë dhe të shqyrtojnë mundësitë e përfshirjes së decentralizimit mbështetur mbi planin e qeverisë së Serbisë?
BATON HAXHIU
Po, kjo është kërkesa e serbëve dhe unë thashë që është mirë që zoti Petersen dhe shqiptarët të dalin me një ofertë tjetër, e cila do të jetë bindëse për Bashkësinë ndërkombëtare ose do ti afronte serbët për negociata. Mungesa e serbëve në zgjedhje do të shkaktonte një krizë të vogël në proces, e cila do të shtynte procesin e asaj që quhet implementim i marrëveshjes paqësore në status.
RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, pavarësisht nga pjesëmarrja ose jo e serëbve në zgjedhje, që pritet të shihet tani, çka pritni ju ose çka mund të pritet nga zgjedhjet e 23 tetorit?
BATON HAXHIU
Mendoj se zgjedhjet e 23 tetorit do ta kenë një dinamizëm tjetër, për arsye se kemi dy hapësira të reja politike, jo se ato do të marrin shumë vota, pasi kanë dalë vonë dhe kanë dalë me konceptin e zhgënjimit dhe jo me ofertë të qartë politike, tregon se dinamizimi i skenës politike do të jetë interesant, por jo me ndryshime të mëdha. Konsideroj se këtë herë nuk do të ketë koalicion trepalësh, por do të ketë pozitë dhe opozitë, që do të jetë një prej sfidave të reja të Kosovës, që mund të shkaktojnë edhe kriza, pasi ne nuk jemi mësuar me opozitë dhe pozitë në pushtet. Në këtë fazë, nëse do të ketë opozitë, dhe unë besoj se do të ketë opozitë më në fund, do të ndërtohet një sistem i vlerave demokratike ku do të mësohemi edhe më ndërrimin e pushtetit, edhe me një zhurmë tjetër politike, por jo me ndryshime rrënjësore, siç pretendohet. Unë mendoj se numri i votave do të jetë i njëjti dhe pushteti do të jetë i njëjti por me ndryshime thelbësore duke bërë koalicione për një demokraci të re në Kosovë - i besoj kësaj dhe do të jetë më mirë për Kosovën.
RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, ky konfiguracion qeverisës i ri, si do të ndikojë dhe si do të pasqyrohet në vitin 2005 që është një kohë e vlerësimit të standardeve dhe kohë e ndryshimit në Kosovë?
BATON HAXHIU
Janë dy komponenta në Kosovë- komponenta politike dhe ajo e sigurisë. Komponenta politike janë të gjithë, pra LDK, PDK, AAK dhe të tjerët dhe komponenta e sigurisë e cila megjitathë u takon vetëm dy forcave – PDK-së dhe AAK-së. Unë mendoj se cilado nga këto dy komponenta të sigurisë që involvohet në komponentën politike krijohet një konstelacion i ri forcave dhe i demokracisë dhe i pushtetit në Kosovë. Pa komponentën e sigurisë nuk ka pushtet stabil dhe nuk ka pushtet që mund të merret me të ardhmen, me statusin. Prandaj, koalicionet e të ardhmes do të jenë kompnenta politike dhe e sigurisë. Se kush do të jetë pjesë e komponentës së politikës dhe të sigurisë do të shohim pas 23 tetorit, por unë i besoj këtij varianti dhe ky variant do të jetë e vetmja zgjidhje që do të ndërtojë një sistem demokratik në Kosovë, sepse ky sistem nuk ka qenë demokratik, por ka qenë një farsë demokratike, e cila de fakto ka bërë 8-9 kryeministra të cilët kanë punuar sipas një direktive personale, madje as partiake dhe kanë ndërtuar një sistem të vlerave, i cili ka qenë jashtëzakonisht i dyshimtë.
Intervistoi Rrahman Paçarizi