Ndërlidhjet

RAMSFELDI PËRBALLET ME KËRKESAT PËR DORËHEQJE


Jeffrey Donovan

Të japësh dorëheqje, apo të mos japësh, do të thoshte Shekspiri për pyetjen e cila rri varur mbi sekretarin amerikan të Mbrojtjes Donald Rumsfeld. Paneli, të cilin ai vetë e zgjodhi, konkludoi se planifikimi i dobët dhe keqmenaxhimi nga ana e zyrtarëve të lartë të Pentagonit, ka ndihmuar në krijimin e rrethanave në Irak, të cilat çuan në skandalin e abuzimit të të burgosurve. Ky skandal dukshëm e dëmtoi imazhin ndërkombëtar të Amerikës.
Paneli 4-anëtarësh, i prirë nga ish sekretari i Mbrojtjes, James Shlezinger, e fajësoi lidershipin e Pentagonit për shkallën e dhunës të shfaqur në burgun e Bagdadit, ku përfshihen rastet ekstreme të abuzimeve fizike, seksuale dhe psikologjike. Fotografitë e incidentit e shokuan botën.
Paneli gjithashtu tha se drejtuesit e Pentagonit reaguan tepër ngadalë ndaj kryengritjes irakiene.
Ted Carpenter është analist nga instituti CATO në Uashington.
"Raporti vëren se ata nuk kishin strategji të detajuar apo koherente për t'ia dalë mbanë me të burgosurit në Irak. Kjo pasqyron se ata nuk kanë pritur të luftojnë me kryengritës dhe nuk pritnin numër të madh të të burgosurve. Ky është një gjykim i gabuar në nivelin më të lartë të mundshëm", thotë Carpenter.
Në raste të tilla, dorëheqja zakonisht shihet si mënyra e vetme që zyrtari i lartë të marrë përsipër përgjegjësinë. Të mërkurën nga Rumsfeld, këtë e kërkoi kandidati presidencial demokrat. "Nuk është vetëm ai personi i vogël nga fundi i hierarkisë që duhet të japë dorëheqje", tha John Kerry.
Megjithatë, Shlezinger dhe anëtarët tjerë të panelit thanë se Rumsfeldi nuk do të duhej të japë dorëheqje.
"E keni ngritur çështjen e sekretarit të mbrojtjes. Më lejoni të them se dorëheqja e tij do të ishte shtytje për të gjithë armiqtë e Amerikës. Dhe rrjedhimisht, mendoj se do të ishte fatkeqësi", tha Shlezinger.
Sipas Thomas Caroters, nga Instituti Karnegi në Uashington, dorëheqja nuk është pjesë e traditës amerikane. Carothers, një ekspert i të drejtave të njeriut, i tha radios "Evropa e Lirë" se demokracitë evropiane më shpesh përballen me dorëheqje për gabimet e bëra, se sa Amerika.
Ai thotë se nuk beson që Rumsfeld do të arrinte diçka po të largohej nga detyra dhe se më shumë do të dëshironte të shohë hetime të plota për fajtorët e vërtetë. Megjithatë, Carotherst konsideron se asgjë vërtetë nuk mund ta riparojë dëmin e shkaktuar.
"As dorëheqja e tij e as ndonjë lloj hetimi apo ndëshkimi, nuk do ta ndryshojë faktin se, si pasojë e këtyre skandaleve, Shtetet e Bashkuara morën një goditje të rëndë si promovues i të drejtave të njeriut dhe demokracisë në botë", thotë Carothers.
Të kërkosh falje është e padhembshme, thotë Fredrik Barton, ish zëvendës komesar i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, dhe tani profesor në universitetin amerikan Princeton.
"Mendoj se kërkimi i faljes vërtetë ndihmon, sepse tregon se jeni i vetëdijshëm për problemin dhe atë e trajtoni në mënyrën më të përgjegjshme dhe më të matur. Nëse jo, atëherë lind ndjenja se nuk e keni situatën në kontroll", thotë Barton.
Nga ana tjetër, analisti Carpenter këtë e quan "erozion masiv të kulturës së përgjegjësisë" në jetën publike amerikane në vitet e fundit. Shkaku i kësaj, thotë ai, do të jetë fakti që personalitetet publike vështirë se do të marrin përsipër përgjegjësitë për dështimet e tyre.
XS
SM
MD
LG