Ndërlidhjet

MOORE:"ÇASJE E RE NDAJ KOSOVËS - PO APO JO?


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, nga disa qarqe ndërkombëtare serbëve të Kosovës këto ditë u është bërë e njohur se nëse refuzojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbeten jashtë institucioneve kosovare. Si e komentoni ju këtë sinjalizim?

PATRICK MOORE
Është shumë e qartë. Ashtu si thotë dhe një thënie e vjetër, nëse nuk luan lojën nuk bën rregullat. Pra nëse nuk merr pjesë në zgjedhje nuk do kesh zë në procesin që do vazhdojë më tej. Mendoj se duhet të flasim pak për këtë tendencë në disa pjesë të Ballkanit vitet e fundit për të bojkotuar, nëse nuk arrihet ajo që dëshirohet. Kjo në vendet perëndimore shihet si sjellje shumë fëminore dhe si shenjë e jopjekurisë politike. Kur them këtë nuk kam shumë parasysh serbët por siç e dimë ka qenë karakteristikë e politikës në shumë vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë. Kjo nuk shihet jashtë gjerësisht si një taktikë e mirë, prandaj mendoj se gjëja më e mirë është që të luhet loja, të bashkëpunohet për bërjen e rregullave. Nëse humbet në një zgjedhje ka gjithmonë një zgjedhje tjetër dhe kjo është mënyra si punohet në vendet demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga disa qarqe ndërkombëtare dhe veçanërisht nga çasti i ardhjes së kryeadministratorit të ri Petersen, dëgjohen zëra të tjerë rreth çështjes së Kosovës, siç është ai për nevojën e zgjidhjes më të shpejtë të statusit të Kosovës. A mund të flitet për paralajmërim të ndryshimit të kursit ndaj Kosovës, apo ndoshta është herët të flitet për diçka të tillë?

PATRICK MOORE
Tash për tash mendoj që është shumë herët. Ende jemi në fillim dhe duhet të shohim se çfarë veprimesh do pasojnë fjalët që thuhen. Është shumë e qartë se kemi një theks të ri në zgjidhjen e çështjes së statusit dhe dhënien fund të kësaj ngecjeje që e ka karakterizuar tërë situatën politike prej sa kohësh. Ajo që dimë nga deklaratat e kryeadministratorit Petersen, dhe nga studimet e diplomatit norvegjes Kai Eide, është se ngjarjet e marsit po merren si shenjë alarmi që diçka tani duhet të bëhet dhe jo si një arsye për të zgjatur apo thelluar administrimin e UNMIK-ut apo të të huajve të tjerë dhe se ka një nevojë për avancim drejt vetëvendosjes dhe sundimit të shumicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, si parakusht për hapjen e çështjes së statusit të Kosovës, edhe më tutje përmendet përmbushja e standardeve, por tani thuhet se kemi të bëjmë me ata më të rëndësishmit. Cilat nga standardet ju i konsideroni më të rëndësishmit?

PATRICK MOORE
Nuk mendoj se ka dyshime në mendjen e gjithsecilit lidhur me këtë çështje. Qartësisht standardet më të rëndësishme janë ato që lidhen me serbët dhe me pakicat e tjera. Çdokush duhet ta dijë se përsa kohë pakicat jetojnë nën frikë, askush nuk do ketë simpati për idenë e një shteti të pavarur. Kjo duhet të jetë e qartë për gjithkënd. Aty ku duhet të përqëndrohet vëmendja së pari është e drejta për kthim të sigurt, lëvizje të lirë dhe siguri në shtëpitë dhe në komunitetet përkatëse. Shqiptarët do bënin mirë ta kishin këtë parasysh edhe nëse disa udhëheqës të veçantë serbë mbeten gjithmonë të pakënaqur dhe kanë gjithmonë kritika. Ajo që është e rëndësishme është se për çfarëdo lloj aryeje komuniteti ndërkombëtar do të shikojë këtë çështje dhe do të shikojë në radhë të parë në çfarë niveli pakicat janë në gjendje të jetojnë të sigurt në Kosovë.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG