Ndërlidhjet

IVANOVIÇ: SHTAJNER KISHTE ANASHKALUAR MARRËVESHJET E HAKERUPIT ME BEOGRADIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Vendimi i serbëve të Kosovës për të marrë pjesë apo jo në zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës varet nga garancitë që do t’u japë serbëve Grupi i Kontaktit dhe nga shqyrtimi i detajuar i planit të decentralizimit, ka thënë anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga koalicioni Kthimi, Oliver Ivanoviç. Në një prononcim për radion Evropa e Lirë, Ivanoviç tha se dy takimet e Grupit të Kontaktit, në Beograd dhe në Prishtinë, deri më tani nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar për të marrë një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje:
"Sigurisht se Grupi i Kontaktit do t’i rezymojë qëndrimet e veta dhe të japë ndonjë garanci, pasi objektivisht pjesëmarrja e serbëve më nuk ka kurrfarë kuptimi," tha Oliver Ivanoviç, sipas të cilit dilema e tanishme e serbëve i ka rrënjët në trajtimin e tyre nga institucionet e Kosovës dhe nga anashkalimi që u ka bërë UNMIK-u dokumenteve të nënshkruara me autoritetet e Beogradit. Megjithatë, Ivanoviç ka thënë se mbetet në qëndrimin e tij për nevojën e një vendimi të shpejtë, për të mundësuar një fushatë korrekte parazgjedhore, por ky vendim varet në masë të madhe nga Grupi i Kontaktit, pasi UNMIK-u e ka zbehur kredibilitetin e vet, tha ai:
"Të gjitha marrëveshjet që Hakerup pati bërë me autoritetet e Beogradit janë anashkaluar nga Shtajner, kështu që me gabimin e saj bashkësia ndërkombëtare po e vë në dyshim kredibilitetin e saj," tha Ivanoviç, sipas të cilit tashmë i mbetet Grupit të Kontaktit si trup kredibil të japë garancione që do ta ndryshonin qëndrimin e serbëve dhe para së gjithash ta përpunojnë deri në detaje procesin e decentralizimit.
Ai ka thënë po ashtu se një nga faktorët që ka bërë që të shtrohet dilemma e pjesëmarrjes në zgjedhje janë edhe vetë institucionet e Kosovës me qëndrimin e tyre arrogant dhe mospërfillës ndaj serbëve.
Në anën tjetër, zyrtarë të OSBE-së që organizon dhe mbikqyr zgjedhjet thanë se vonesat e serbëve për të marrë një vendim lidhur me këtë çështje po shkaktojnë kokëçarje organizative për përgatitjet teknike të zgjedhjeve, pasi fletëvotimet duhet të jenë të shtypura dhe të gatshme së paku gjashtë javë para zgjedhjeve, kur duhet të votojnë personat që jetojnë jashtë Kosovës dhe kanë të drejtë vote me postë.
Afatet teknike kanë kaluar, por OSBE-ja do të shfrytëzojë edhe mundësinë e fundit për të pasur zgjedhje sa më gjithëpërfshirëse, ka thënë Sven Lindholm, zëdhënës i OSBE-së.

XS
SM
MD
LG