Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MOISIU: PËRCAKTIMI I STATUSIT FINAL, JETIK PËR KOSOVËN


Alma Çupi, Tiranë

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, në takimin e zhvilluar sot me kryeadministratorin e misionit të OKB-së në Kosovë Soren Petersen, tha se përcaktimi i statusit është jetik për Kosovën.
“Statusi duhet të shkojë paralelisht me standartet. Përcaktimi i tij qetëson rajonin dhe izolon ekstremistët nga të dy krahët si dhe do të ndihmojë ndjeshëm në rritjen e sigurisë dhe stabilitetin e rajonit", theksoi në takim presidenti Moisiu.
Më tej biseda është përqëndruar tek zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit që do të mbahen në Kosovë, të cilat sipas presidentit shqiptar Alfred Moisiu, do të jenë një test për të ardhmen e Kosovës.
“Zhvillimi me sukses i këtyre zgjedhjeve do të konfirmojë përparimin, që Kosova ka bërë në kuadër të plotësimit të standarteve të parashtruara nga komuniteti ndërkombëtar. Ne dëshirojmë dhe urojmë që pjesë e procesit elektoral të jenë të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe serbët,” tha presidenti Moisiu.
Më tej presidenti Moisiu në deklaratën e tij për shtyp, tha se Shqipëria është për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës dhe se stabiliteti i Kosovës do të thotë stabilitet për rajonin. Sipas Moisiut, në zgjidhjen e kësaj çështjeje duhet të ndihmojnë vetë kosovarët dhe bashkësia ndërkombëtare. Gjithashtu presidenti Moisiu tha se shteti shqiptar ka shprehur dhe vazhdon të shprehë dëshirën e vullnetin për të bashkëpunuar me UNMIK–un. Duke vlerësuar rolin e UNMIK-ut për ecurinë në drejtim pozitiv në Kosovë, presidenti deklaroi se siguron mbështetje për kreun e saj dhe administratën që drejton, si dhe praninë ndërkombëtare në Kosovë.
“Shqipëria ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e situatës pas ngjarjeve të Marsit dhe vlerëson masat e marra nga qeveria e Kosovës dhe kryeministri Rexhepi për rindërtimin e objekteve të shkatërruara e të djegura, duke marrë njëkohësisht dhe përgjegjësitë institucionale,” tha presidenti Moisiu, i cili theksoi se mbështet edhe proçesin e kalimit të kompetencave pushtetit vendor në Kosovë, si një rrugë drejt përmbushjes së standarteve.
Takimin e dytë kryeadministratori i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Petersen e ka zhvilluar me kryeministrin Fatos Nano dhe më pas me Ministrin e Jashtëm Kastriot Islami.


XS
SM
MD
LG