Ndërlidhjet

BERISHA: SERBËT DO TË MARRIN PJESË NË ZGJEDHJE


Kolë Berisha, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, kryeadministratori Jessen Petersen i ka dërguar një letër kryeministrit të Serbisë Koshtunica, për të diskutuar decentralizimin. Si e vlerësoni përfshirjen e Beogradit në këtë proces?

KOLË BERISHA
Është thënë më herët se çdo opsion duhet të bisedohet dhe të shqyrtohet. Kjo nuk do të thotë se zoti Jessen Petersen ka dështuar lidhur me interesat e shqiptarëve të Kosovës në të vërtetë, por nëse ka diçka të mirë që mund të merret nga ai plan, edhe mund të merret, por nuk e besoj se ka diçka serioze në atë plan.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët në Beograd e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje me shqyrtimin e planit të qeverisë së Serbisë për decentralizimin. Si do të ndikojë kjo mbi procesin zgjedhor dhe proceset e tjera?

KOLË BERISHA
Unë them se serbët do të marrin pjesë në këto votime dhe ky është vetëm një bllof i tyre që të mund të përfitojnë nga ky moment. Dhe, është e vërtetë se pala ndërkombëtare po dridhet kur pala serbe apo "Kthimi" thonë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Përndryshe, ata do të marrin pjesë – ata e kanë qëllimin që të përfitojnë diçka nga kjo. Sido që të jetë, ecjen e Kosovës përpara dhe mbajtjen e zgjedhjeve nuk do ta pengojë pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Por a do të ndikojë kjo në ndonjë mënyrë për ta penguar procesin zgjedhor, apo përgatitjet teknike për këtë?

KOLË BERISHA
Jo, procesin zgjedhor nuk guxon ta pengojë asgjë. Procesi zgjedhor do të mbahet me këta që do të dalin në zgjedhje, pasi dalin edhe parti të tjera serbe të Kosovës dhe të pakicave të tjera. Ata mbeten në pozitat që ata zgjedhin dhe ne nuk jemi fajtorë për këtë. Është me rëndësi që u është ofruar mundësi që të votojnë, të marrin pjesë dhe të integrohen në rrjedhat shoqërore të Kosovës, prandaj është çështje e tyre nëse do të marrin pjesë në zgjedhje apo jo, ndërsa zgjedhjet do të mbahen gjithsesi. Megjithatë, unë them se ata do të marrin pjesë në zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, kryeadministratori Jessen Petersen ka paralajmëruar bartje të përgjegjësive të rezervuara tek institucionet vendore. Cilat sipas jush janë fushat prioritare për bartje të përgjegjësive?

KOLË BERISHA
Unë mendoj se hapat që po i ndërmerr zoti Jessen Petersen në Kosovë janë shumë inkurajues për Kosovën. Ai është shumë energjik dhe si duket po e sheh se proceset janë vonuar dhe duhet të ecin më shpejt para. Viti 2005 po fillon, po vjen shpejt dhe po përgatitet terreni për të zhvilluar bisedimet rreth statusit përfundimtar të Kosovës, ndaj janë një pjesë e madhe e përgjegjësive që duhet të barten tek institucionet e Kosovës. Natyrisht se tre-katër lëmi që nuk shihet e arsyeshme të mbahen, pra bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme të japë përgjegjësi për mbrojtjen dhe rendin, ndërkaq të tjerat ndoshta do të barten tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, çfarë mund të pritet nga zgjedhjet e sivjetshme, kur dihet se ky mandat i të zgjedhurve do ta ketë përgjegjësinë e fillimit të përcaktimit të statusit përfundimtar pas përmbushjes së standardeve?

KOLË BERISHA
Gjithsesi, këto zgjedhje do të jenë shumë të rëndësishme, pasi zgjedhen struktura të reja të institucioneve të Kosovës dhe është fituar një përvojë mjaft e madhe me punën e deritanishme që kanë bërë institucionet e Kosovës. Nuk ka vend për zhgënjim dhe natyrisht se proceset do të vazhdojnë edhe më tutje, por me një hap më të shpejtë për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe sigurisht se do të jetë një risi e madhe në përpjekjet për realizimin e synimeve që i kemi para nesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, sa do të lidhet çështja e përmbushjes së standardeve me çështjen e fillimit të përcaktimit të statusit?

KOLË BERISHA
Unë mendoj se një pjesë e madhe e standardeve është plotësuar tashmë dhe nuk ka pengesa për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. Është plotësuar pjesa më e madhe dhe ne duhet ta bëjmë atë rebalancë dhe edhe gjatë fushatës parazgjedhore do të tregojmë se një pjesë e madhe e atyre standardeve është plotësuar dhe është bërë punë e madhe në atë drejtim. Interesimi i bashkësisë ndërkombëtare, sidomos kohët e fundit këmbëngulja e një pjese të tyre që të pranohet ajo pjesë e standardeve që është përmbushur, shkon në të mirë të procesit të Kosovës dhe zgjidhjes së problemeve të mëtejshme.

Intervistoi Rrahman Paçarizi



XS
SM
MD
LG