Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

FUSHATA ZGJEDHORE NUK DO NDIKOJË SHUMË NË OPINIONIN E ZGJEDHËSVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës, që zyrtarisht ka filluar sot, nuk do të mund të ndryshojë shumë opinionin e qytetarëve ndaj partive politike garuese në zgjedhje, ka treguar një hulumtim i Institutit për Demokraci dhe Relacione të Kosovës, lidhur me disponimin e qytetarëve në prag të zgjedhjeve. Ndërkohë, që 61 për qind e qytetarëve tashmë kanë vendosur se kujt do t’ia japin votën, ende pa filluar fushata parazgjedhore, drejtori i këtij instituti, Fadil Maloku, tha se megjithatë vërrehet një rënie e afinitetit të votuesve potencialë ndaj karizmës së liderëve:
"Është interesant se tipi militant, qëndrimet e veta i bazon para se të fillojë fushata. Pra, 61.5 për qind e qytetarëve kanë thënë se qëndrimin dhe simpatinë e kanë ndërtuar para zgjedhjeve," tha Maloku duke shpjeguar se 15.6 për qind kanë thënë se vendimin do ta marrin gjatë fushatës, ndërsa 10 për qind, vendimin do ta marrin në ditën e fundit.
Sipas Malokut, lëvizja e qëndrimit të elektoratit ka shënuar lëvizje pozitive në favor të ofertës politike:
"Ajo që është më e rëndësishme në fushatën elektorale është përmbushja e premtimeve ndaj elektoratit, 41.3 për qind të të anketuarve deklarojnë së premtimet janë të rëndësishme, 26.5 për qind deklarojnë se programi i partisë është shumë i rëndësishëm. Është fakt i rëndësishëm që 18.5 për qind, mendojnë se lideri partiak është ai që i aderon ata," tha Maloku, sipas të cilit, oferta dhe programet e partive, koha dhe mënyra e bërjes së fushatës dhe animimi përmes spoteve të ndryshme, do të mund të ndryshojnë me nuanca qëndrimet e votuesve, por tipi militant, sipas tij nuk do të jetë fare i ndikuar nga propaganda parazgjedhore. Maloku tha se një gjë shumë e rëndësishme në këtë mes është se votuesit i dënojnë partitë politike që ua kanë dhënë votën dhe nuk i kanë përmbushur premtimet, duke abstenuar nga votimi, por nuk ja japin votën subjektit tjetër politik, ndërkohë që lëvizjet brenda elektoratit janë tepër të vogla.
Sipas Malokut, trazirat e marsit nuk kanë ndryshuar qëndrimin e votuesve potencialë ndaj partive politike. Ndërsa ende mbetet i madh korpusi i qytetarëve që nuk duan të votojnë, apo nuk kanë vendosur ende për këtë:
"Nga kjo vërejmë se korpusi i abstenuesve edhe më tej është shumë simptomatik, pasi 16.1për qind e këtij korpusi të përgjithshëm deklarojnë se nuk kanë vendosur ende të votojnë dhe 7.7 për qind janë të vendosur".
Duke analizuar rezultatet e hulumtimit që njëkohësisht thonë se 61 për qind e votuesve tashmë kanë vendosur se kujt t’ia japin votën, ndërkohë që ka lëvizje pozitive drejt ofertës politike dhe rënie të karizmës së liderëve, zoti Fadil Maloku tha se kjo është çështje e mentalitetit të ngurtësuar politik, pasi të shumtën, votimi bëhet në baza rajonale e madje edhe fisnore. Mirëpo, sipas Malokut, ky koncept ka filluar të bjerë, pasi identifikimi i qytetarëve me partinë dhe karizmën politike në zgjedhjet e kaluara ka qenë rreth 80 për qind, ndërsa tani është 60 për qind.
Sidoqoftë, sipas hulumtimit të Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike, partive politike, edhe sivjet u duhet që fushatën e tyre parazgjedhore ta përqendrojnë te përfitimi i shtresës që ende nuk ka vendosur se kujt t’ia japë votën.



XS
SM
MD
LG