Ndërlidhjet

MOORE:"PROCESI I SHPËRBËRJES PËRFUNDIMTARE TË ISH - JUGOSLLAVISË NUK MUND TË NDALET"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, këto ditë Grupi i Kontaktit sërish ka diskutuar për Kosovën. Është evidente se ka dallime ndërmjet vendeve anëtare. Disa kërkojnë që çështja e statusit të hapet nga mesi i vitit të ardhshëm, disa të tjerë konsiderojnë se duhet përqëndruar në përmbushjen e standardeve. Çfarë tregojnë këto dallime në qëndrimet e fuqive të mëdha rreth Kosovës?

PATRICK MOORE
Së pari gjithmonë e kemi ditur që Rusia është mbrojtësja e interesave të Serbisë, kështu që pozicioni rus nuk duhet të jetë befasi. Së dyti, e dimë që Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë lëvizur në drejtimin e rekomandimeve të bëra në raportin e diplomatit Kai Eide, ku i jepej një theks më i madh statusit sesa standardeve si një parakusht, ashtu siç u përshkrua më herët nga ambasadori pakistanez në Kombet e Bashkuara "Standardet me Statusin". Ajo që është interesante dhe që është e re, është fakti që pozicini gjerman është i ndryshëm. Kjo për faktin se ka një debat brenda qeverisë gjermane, me dy pozicione mjaft të ndryshme nga njëra tjetra. Nga njëra anë Ministri i Jashtëm Fisher dhe nga ana tjetër Ministri i Mbrojtjes - Shtruk. Po cila është mospërputhja dhe nga lindi ajo? Në diskutimin për Kosovën javët e fundit në Gjermani, Fisher po mbante qëndrimin se gjithçka është bërë mirë dhe gjithçka është mrekulli, ndërsa Shtruk po thoshte se ka disa gabime reale, sepse duhet parë çështja e statusit dhe nëse do vazhdohet të shtyhet çështja e statusit, do të ketë situata mjaft jo praktike dhe trupat e NATO-s nuk mund të mbahen atje për një pesëvjeçar tjetër. Shtruk në mënyrë të veçantë e vuri në pikëpyetje praktikën e mbrojtjes nga ana e trupave të KFOR-it të vendbanimeve të izoluara të serbëve në gjithë vendin, dhe ka bërë thirrje veçanërisht për konsolidimin e vendbanimeve serbe. Prandaj këto janë dy qasje të ndryshme - njëra e një njeriu me kryet në re, tjetra e një njeriu me këmbët në tokë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moor, ata që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës shpesh apostrofojnë kërkesën për mosndryshimin e kufinjve. Këta të njëjtët, kryesisht nga Evropa, ishin ndër të parët që njohën pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, duke mos përmendur ndryshimin e kufinjve. Duhet thënë se edhe Kosova ka pasur dhe ka kufinjtë e vet. Sidoqoftë gjithë ata kufinj ishin të vendosur nga një regjim komunist. Përse disa në Perëndimin demokratik kërkojnë respektimin e asaj që ishte vendosur gjatë diktaturës komuniste?

PATRICK MOORE
Ajo që shohim këtu është thënë në formë të butë, një ide e ngulitur, pa kokë e këmbë, te Bashkimi Evropian për të mos ndryshuar asgjë, për të evituar çfarëdolloj ndryshimi. Rrënja psikologjike e kësaj ideje të ngulitur është fiksimi se në njëfarë mënyre e humbën ish-Jugosllavinë në 1991, duke mos u sjellë më ashpër me sllovenët dhe kroatët. Dhe nëse do ishin treguar më ngulmues, Jugosllavia do të ishte ende sot një shtet. E dimë të gjithë se kjo është absurde, sepse nuk ka mënyrë që ndonjë diplomat nga Brukseli apo nga ndonjë vend tjetër do mund të ndalonin proceset historike si për shembull dekolonizimin, vetëvendosjen kombëtare bazuar në sundimin e shumicës dhe në rastin tonë veçanërisht shpërbërjen e Jugosllavisë. Askush nuk mund ta ndalonte atëhere dhe askush nuk mund ta ndalojë tash. Bashkimi Evropian po kërkon të ketë inkasoi sukses tash, duke u përpjekur të rishkruajë historinë. Por në vend të kësaj ajo që do marrin është dështimi dhe historia do t'i rezervojë një shaka tjetër Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, edhe një pyetje- prej nga gjithë kjo frikë nga hapja e statusit përfundimtar të Kosovës në disa qarqe ndërkombëtare? Çfarë qëndron pas këtij hezitimi?

PATRICK MOORE
Së pari është frika nga e panjohura, një emocion njerëzor shumë thelbësor, ashtu si dhe çështjet që sapo i diskutuam. Në këtë rast sigurisht po flasim për statusin dhe çështjen e fundit folëm për shembullin e veçantë të kufijve, por që janë gjëra që lidhen qartësisht me njëra tjetrën.
Disa nga njerëzit që mendojnë në këtë mënyrë ndoshta janë nën ndikimin e Beogradit. E dimë këtë me siguri për rusët, ndoshta për francezët madje edhe për disa britanikë. Por mendoj se në thellësi të analizës, ajo çfarë shohim është një përpjekje nga këto vende në Bashkimin Evropian, që të tregojnë se janë zotër të këtij rajoni. Shpesh e krahasoj këtë qasje me politikat kolonialiste që këto vende kanë zbatuar në vende si Afrika, para një shekulli. Ata duan të tregojnë se janë zotët e rajonit dhe veçanërisht që i mbajnë krizat dhe problemet e Evropës nën kontroll. Nuk mendoj se kjo është një qasje e respektueshme demokratike ndaj popujve që banojnë në këto vende e për të cilët ata duan të vendosin.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG