Ndërlidhjet

GJYKIMET MBI KRIMET E LUFTËS NË ISH JUGOSLLAVI JANË TË NJËANSHME


Human Rights Watch

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Human Rights Watch ka vëzhguar gjerësisht gjykimet për krime lufte në shtetet e ish Jugosllavisë dhe ka ardhur në përfundimin se gjykatat vendore në Serbi e Mal të Zi, në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, e veçanërisht në Republikën Serbe, nuk janë të pajisura si duhet për të zhvilluar gjykime të këtilla komplekse në mënyrë të ndershme. Në raportin e lëshuar nga Human Rights Watch thuhet se pengesat kryesore kanë të bëjnë kryesisht me njëanshmërinë e gjykatësve dhe prokurorëve, por edhe me bashkëpunimin joadekuat në mes të policisë dhe hetuesve. Në raport thuhet se edhe mekanizmat që merren me hetimin e rasteve të këtilla mbeten problematike. Në një kohë që prokurorët shpeshherë janë të detyruar që të mbështeten në njësitet e policisë për hetime, avokatë të ndryshëm dhe zyrtarë ndërkombëtarë kanë tërhequr vërejtjen se ka dëshmi se policia rajonale shpeshherë nuk është e gatshme që të hetojë krimet e luftës, veçanërisht në rastet kur ata që dyshohen për krime të këtilla janë vetë pjesëtarë të policisë ose mbajnë pozita të larta në jetën politike dhe ekonomike.
Një pengesë tjetër në këtë drejtim paraqet edhe bashkëpunimi i varfër në mes të shteteve mbi rastet e tilla, veçanërisht në mes të Serbisë e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Një mosbashkëpunim i tillë jo vetëm që ka pasur ndikim në zhvillimin e hetimeve, por edhe në vetë zhvillimin e gjykimeve, në pjesëmarrjen e dëshmitarëve që jetojnë në shtetin tjetër dhe në mundësinë e gjykatësve që të udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin për të mbledhur dëshmi.
Dhe çështja thelbësore është ajo e mbrojtjes së dëshmitarëve, e cila në këto vende lë shumë për të dëshiruar. Në Serbi dhe Mal të Zi, trajtimi i mbrojtjes së dëshmitarëve sipas ligjit mbi procedurën penale është vetëm sipërfaqësor dhe joadekuat. Në Kroaci, programi për mbrojtjen e dëshmitarëve, edhe pse i bazuar në legjislacionin e kompletuar, nuk dihet nëse funksionon në të vërtetë.
Së fundi, dy çështje kryesore ligjore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura; gatishmëria për të shfrytëzuar deklaratat e mbledhura nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës dhe njohja e doktrinës mbi përgjegjësinë komanduese në ligjet kombëtare të secilit shtet.
Human Rights Watch shkruan se është më se e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë sistemet vendore të gjyqësisë në mënyrë që gjykimet mbi krimet e luftës në ish Jugosllavi të përmbushin standardeve elementare të njohura edhe ndërkombëtarisht. Kjo çështje bëhet edhe më urgjente me faktin se Tribunali Ndërkombëtar i Hagës është i gatshëm t’i dorëzojë disa raste në gjykatat vendore, prandaj funksionimi i mirëfilltë i tyre nuk duhet të injorohet.

XS
SM
MD
LG