Ndërlidhjet

AZIZ THAÇI: TRAGJEDI E RËNDË PËR MALISHEVËN DHE QYTETARËT E SAJ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Aksidenti tragjik që ka ndodhur sot pasdite në rrethin e Pukës, me ç'rast kanë humbur jetën shumë nxënës dhe pjesëtarë të personelit të gjimnazit "Abdul Frashëri" të Malishevës, është pritur me dhimbje jo vetëm në Malishevë, por edhe nga drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, si dhe nga përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare këtu.
Ndërkohë që kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi dhe zëvendëskryeadministratori Lari Rosin, janë nisur në mbrëmje për në Shqipëri, më herët për në vendin e ngjarjes janë nisur edhe drejtuesit e komunës së Malishevës. Drejtori i drejtorisë së shëndetësisë në Malishevë Aziz Thaçi, tha se kjo ngjarje është një tragjedi e përjetuar rëndë në këtë komunë.
"Ngjarja e sotme është një tragjedi e rëndë për Malishevën, për qytetarët e saj dhe njëkohësisht për punonjësit shëndetësorë të Malishevës. Ne sapo morëm lajmin jemi mobilizuar, i gjithë stafi është në gjendje gadishmërie. Kryetari i kuvendit, zoti Gani Krasniqi, kryetari i qeverisë dhe nënkryetari i kuvendit dhe drejtori i shkollës së mesme janë në Shqipëri", tha zoti Thaçi
Ndërkohë presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, përmes një komunikate për shtyp, ka shprehur pikëllimin e thellë për tragjedinë që ndodhi në afërsi të fshatit Gjegjan të Pukës në Shqipëri dhe ka falenderuar autoritetet shqiptare për angazhimin me këtë rast. Familjet i ka ngushëlluar edhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili ka kërkuar që dita e nesërme të shpallet ditë zie në gjithë Kosovën. Ndërkaq familjet e atyre që humbën jetën në këtë fatkeqësi, i ka ngushëlluar edhe kryeparlamentari Nexhat Daci. Zëvendëskryeadministratori Rosin dhe shefi i misionit të Shqipërisë në Kosovë Bashkim Rama, e kanë ngushëlluar presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova për këtë tragjedi. Keqardhjen për këtë aksident e ka shfaqur edhe komandanti i KFOR-it gjenerali Iv de Kermabon, i cili, sipas zëdhënësit të tij Iv Kermovant, kur ka dëgjuar për lajmin ka vënë në gadishmëri forcat, të cilat do mund të dërgoheshin për ndihmë, por i është thënë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë.
"Në atë moment komandanti i KFOR-it ka marrë një telefonatë nga kryeministri Rexhepi, i cili ka thënë se autoritetet e Shqipërisë janë tashmë në vendin e ngjarjes me katër helikopterë dhe se nuk kishte nevojë për ndihmë shtesë nga KFOR-i," tha zëdhënësi Kermovant, sipas të cilit KFOR-i do të ishte i gatshëm të ndihmonte në rast të ndonjë kërkese zyrtare nga autoritetet e Shqipërisë. Ndërkohë telegrame ngushëllimi për familjet kanë dërguar edhe përfaqësuesit e partive politike të Kosovës, ndërsa iniciativa qytetare "Ora", për shkak të tragjedisë ka pezulluar aktivitetet e saj parazgjedhore për ditën e nesërme dhe partitë e tjera po e diskutojnë një mundësi të tillë. Ndërsa familjet e nxënësve dhe arsimtarëve që kanë humbur jetën i ka ngushëlluar edhe Ministri i Arsimit i Kosovës Rexhep Osmani.



XS
SM
MD
LG