Ndërlidhjet

MEHMETI: REFORMAT NË DREJTËSI DO MUNDËSOJNË PËRFAQËSIM MË TË MIRË TË SHQIPTARËVE


Ixhet Mehmeti, Ministër i Drejtësisë së Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, reformimi i pushtetit gjyqësor vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit të këtushëm, por edhe të atij ndërkombëtar. Ndërkohë Ministria e Drejtësisë ka përgatitur tashmë një dokument për zbatimin e këtyre reformave. Çfarë parashihet në të?

IXHET MEHMETI
Dokumenti i quajtur " Strategji për reformimin e sistemit gjyqësor në Republikën e Maqedonisë" jep në mënyrë të qartë drejtimet se si mund të jetë ky sistem më funksional, i papolitizuar dhe në përputhje me sistemet evropiane, pra atje ku ne si shtet kemi qëllim dhe besoj se një ditë do të ndodhemi në familjen e quajtur Evropa e bashkuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Maqedonia shumë herë është apostrofuar nga zyrtarë ndërkombëtarë si vend me gjykata të korruptuara dhe joprofesionale. Zoti Ministër ku i shihni ju dobësitë dhe keni mendimin se Maqedonia mund të ketë gjykata të pavarura pasi nga kjo varet edhe anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian?

IXHET MEHMETI
Është fakt se shumë pak është punuar në vitet e kaluara. Dobësitë e sistemit janë të natyrave të ndryshme. Posaçërisht për këtë rast do të kisha përmendur dobësitë e sistemit në procedurat gjyqësore, të cilat shkaktojnë një pasiguri të qytetarit me zvarritjen e procedurave. Mbingarkimi i madh gjykatave me lëndë madje edhe të panevojshme, mundet të zgjidhet në mënyrë shumë më efikase përmes sistemeve të tjera, përkatësisht në procedura të tjera administrative. Të gjitha këto që i përmenda në një fjali dhe janë shumë komplekse, në vitet e ardhshme do të jenë program i punës së Ministrisë së Drejtësisë, duke i rregulluar këto çështje në një mënyrë krejt tjetër, në ndryshim nga mënyra se si janë tani të rregulluara, në mënyrë që ky sistem të jetë me të vërtetë funksional dhe ta ushtrojë pushtetin ashtu si ushtrohet në të gjitha shoqëritë demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në dokumentin e hartuar për reforma parashihet edhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në gjykata dhe Ministrinë e Drejtësisë. Mendoni se mund të ketë një përfaqësim më të mirë duke marë parasysh pozitën e tanishme të shqiptarëve?

IXHET MEHMETI
Struktura e gjyqtarëve në Republikën e Maqedonisë është me të vërtetë në nivel të ulët. Por nëse bëjmë një krahasim se ku ishim para vitit 2002 dhe ku jemi sot, ka ecje përpara, por nuk është shumë evidente, është shumë e vogël. Sistemi i deritanishëm ka shumë pak hapësirë për kuadrin shqiptar që të mund të inkuadrohet qoftë në prokurori, qoftë në gjyqësi. Me miratimin e ligjit të ri për "Themelimin e shkollës shtetërore për rregulltim të kuadrit të ri gjyqësor dhe prokurori si dhe edukim permanent të kuadrit egzistues", do të hidhet krejtësisht poshtë sistemi i deritanishëm. Pra do ta hedhim poshtë dhe nuk do të nevojitet më për gjyqtarët t'i kenë ato vite 2+3+5 e kështu me radhë. Ato do të shkrihen të gjitha dhe do të mundësohet që kuadri shqiptar në mënyrë më të shpejtë, efikase dhe profesionale të rekrutohet në gjyqësi.

Intervistoi Isuf Kadriu


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG