Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

TADIÇ: KOSOVA NUK MUND TË JETË E PAVARUR


Boris Tadiç, President i Serbisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Tadiç, keni deklaruar se politikanët që tani flasin për statusin e Kosovës identik me atë që ka ekzituar gjatë kohës së Sllobodan Millosheviçit thjesht "mashtrojnë popullin". Por, ju keni kundërshtuar edhe pavarësinë e Kosovës. Çfarë në fakt u duhet thënë qytetarëve të Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën?

BORIS TADIÇ
Kosova është pjesë e Serbisë me rezolutën 1244 dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Popullin janë duke e mashtruar ata politikanë që thonë se Kosova do të ketë të njejtin status si në kohën e Sllobodan Millosheviçit ose të ish -Jugosllavisë, sepse kjo është e pamundur. Por, njëkohësisht unë kam qëndrim të qartë se Kosova nuk mund të bëhet e pavarur. Zgjidhja për Kosovën duhet të jetë e pranueshme për të gjithë. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë një pjesë e Ballkanit në vazhdimësi do të jetë i destabilizuar dhe nëse një pjesë e Evropës Juglindore është e destabilizuar, atëherë do të kemi destabilizim të vazhdueshëm të gjithë rajonit, ndërsa kjo pjesë e Evropsë do të mbetet e shkëputur nga proceset modernizuese evropiane në planin ekonomik, teknologjik dhe civilizues. Rrjedhimisht, Kosova e pavarur është plotësisht e papranueshme. Duhet gjetur zgjidhje që është e pranueshme për serbët dhe shqiptarët. Nga aspekti i Serbisë, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të ketë parasysh interesat e fëmijëve tanë dhe jo të merret parasysh se çfarë na kanë thënë të parët tanë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ekziston mundësia që qendrat e vendosjes politike në Serbi të mos jetësojnë qëndrim të përbashkët rreth Kosovës. Një gjë e tillë do të bëjë që bisedimet jozyrtarisht të paralajmëruara për mesin e vitit 2005 të fillojnë pa qëndrim unik të Serbisë rreth kësaj çështje?

BORIS TADIÇ
Kjo është e mundur, por duhet shmangur. Një është çështja e statusit të Kosovës, ndërsa diçka tjetër metodologjia e ardhjes deri te ai. Si njëra ashtu dhe çështja tjetër janë thelbësisht të rëndësishme. Shpesh në politikën e tanishme dhe të mëparshme të Serbisë është harruar se përmes cilës rrugë të arrihet te caku. Shpesh caku ngrihet në nivel të dëshirës dhe absolutisht nuk kemi qasje realiste në jetësimin e cakut. Ne deri te caku duhet të arrijmë dhe jo vetëm ta projektojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Serbisë fuqimisht është kundër dorëzimit të të akuzuarve për krime lufte në Tribunalin e Hagës. Si duhet vepruar dhe cila është rrugëdalja nga kjo situatë?

BORIS TADIÇ
Rrugëdalja është te respektimi i ligjeve të këtij vendi nga ana e qeverisë. Ndërsa ligji thotë se të gjithë ata që janë të akuzuar për krime lufte duhet t'i dorëzohen Tribunalit të Hagës. Qeveria që nuk respekton ligjet e vendit, ka problem me vendin e vet. Deklarimet se ne nuk do të arrestojmë dhe dorëzojmë në Tribunalin e Hagës askënd janë të dëmshme për shoqërinë tonë, për çdo qytetar dhe për interesat tona kombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni zhvillimet në relacionin Beograd – Podgoricë?

BORIS TADIÇ
Është krejtësisht legjitime kërkesa e Malit të Zi, për ridefinimin e raporteve në Unionin Serbi – Mali i Zi. Nga ana tjetër secili anëtar i Unionit ka interesat e veta, ndërsa interes i Serbisë është integrimi evro-atlantik. Ndërkaq, Evropa konsideron se ne duhet të hyjmë në Bashkimin Evropian bashkarisht. Por, qëndrimi i Brukselit është se Mali i Zi nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian para Serbisë.

Intervistoi: Srgjan Kusovac
XS
SM
MD
LG