Ndërlidhjet

MOORE:"PROTEKTORATI EVROPIAN MBI KOSOVËN ËSHTË ILUZION"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, ditëve të fundit sërish kemi dëgjuar propozime që Kosova të vihet nën protektoratin evropian. Si i komentoni këto ide?

PATRICK MOORE
Së pari le të shohim se çfarë dimë rreth kësaj ideje. Kjo nuk është diçka e re. Partia e Lirë Demokratike gjermane e ka hedhur këtë ide vitin e kaluar. Ata janë për momentin parti në opozitë, por tradicionalisht kur kanë qenë në qeverisje, kanë drejtuar Ministrinë e Jashtme. Pra është një parti që duhet marrë seriozisht në marrëdhëniet me jashtë, pavarësisht se Doris Pack i takon partisë kryesore opozitare Kristiandemokrate dhe jo Demokratëve të Lirë. Qëllimi i ushtrimit, sipas atyre që e mbështetin këtë ide, është që të tregojë se Bashkimi Evropian mund t'i menaxhojë vetë problemet në këtë rajon, pa Amerikën, Kombet e Bashkuara apo dikë tjetër. Gjithashtu kam vënë re nëpër konferenca, kjo ide duket të jetë mjaft popullarizuar në radhët e serbëve, të cilët e shohin si një ide të futjes së fondeve, pa qenë nevoja të shqetësohen për një shtet të pavarur të dominuar nga shumica shqiptare. Ideja është gjithashtu mjaft e popullarizuar për disa njerëz në Bashkimin Evropian, të cilët duan të shohin Shtetet e Bashkuara jashtë Evropës, por kjo është një çështje tjetër.
Sugjerimi më i fundit erdhi nga Doris Pack, e cila tha se nuk është shumë e sigurt se kjo ide është e realizueshme dhe dëshiron një diskutim në nivel ekspertësh lidhur me mundësitë për këtë çështje. Pra kjo ishte mbështetja e fundit dhe mjaft entuziaste për këtë ide. Si duhet kuptuar kjo? Mendimi im personal është se kemi të bëjmë me një ide iluzioniste dhe bukur të rrezikshme, për faktin që çon drejt vazhdimit të një qeverisjeje koloniale mbi një nga pjesët e ish-Jugosllavisë, që nuk është bërë në ndonjë vend tjetër, me përjashtimin e mundshëm të Bosnjes në ish- Jugosllavi. Ajo që mendoj se është e rëndësishme këtu, është që të ndërpritet shtyrja, të ndërpritet gjetja e justifikimeve, të ndërpritet shpikja e projekteve të tipit kolonial dhe të zbatohen parimet e vetëvendosjes dhe të sundimit të shumicës, në mënyrë që t'i jepet fund këtyre protektorateve kolonialiste, të cilat askush nuk insistoi të zbatoheshin në rastin e Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi, apo Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë në Uashington dhe Bruksel thonë se administrata e presidentit Bush edhe në mandatin e dytë do të jetë e preokupuar me situatën në Irak, duke i lënë Bashkimit Evropian çështjet e Ballkanit. Por, rasti i Maqedonisë, përkatësisht njohja e këtij vendi me emrin Maqedoni, flet të kundërtën. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Nuk jam i sigurt se thjesht për faktin që Shtetet e Bashkuara janë shumë të angazhuara në Irak dhe Afganistan, si dhe në vende të tjera të asaj pjese të botës, nuk mund të merren edhe me gjëra të tjera. Në fund të fundit ka rreth 280 milion njerëz në vendin tonë si dhe një administratë mjaft të madhe. Prandaj nuk mundem të pajtohem me arsyetimin se për shkak se SHBA-të janë të zëna me Irakun dhe Afganistanin, nuk mund të mbrojnë interesat në Ballkan, Afrikë, Meksikë apo kudo tjetër. Për rrjedhojë nuk jam i sigurt që do të ishte një argumentim i vlefshëm.
Duke ju kthyer çështjes së Maqedonisë, më duhet të them se u befasova këndshëm (vendimi i pranimit të saj me emrin Kushtetues) sepse për një kohë të gjatë Shtetet Bashkuara nuk më janë dukur se kanë qenë aq të vendosura për çuarjen përpara të gjërave në Ballkan, sa mund të ishin. Uashingtoni shpesh ka tentuar t'ia lerë gjërat Bashkimit Evropian, që siç e dimë nuk është gjithnjë i shpejtë në marrjen e vendimeve dhe jo gjithnjë merr parasysh interesat e të tjerëve. Shpresoj se do shohim një politikë më të vendosur të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.
Megjithatë me lejoni që të shtoj një ide të vogël që kam patur. Nuk jam plotësisht i sigurt që ky vendim rreth Maqedonisë është bërë nga e gjitha vetëm nga Uashingtoni. E dimë që Greqia ka një zë shumë të fortë për çështjet që lidhen me Maqedoninë brenda Bashkimit Evropian dhe grekët mund të kenë qënë në gjendje të bllokojnë disa nga partnerët e tyre për të çuar përpara këtë çështje. Pra nuk do më befasonte nëse një ditë do të mësojmë që kur amerikanët morën këtë vendim, e kanë bërë këtë në këshillim me disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që kanë qenë të të lodhur me veton e Greqisë mbi çështjet e Maqedonisë brenda Unionit.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG