Ndërlidhjet

LDK DHE AAK SHPALLIN PËRBËRJEN E QEVERISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë publikuar sot emrat e ministrave që do të udhëheqin ministritë që u takojnë sipas marrëveshjes për koalicionin qeveritar. Sipas zëdhënësit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lulzim Zeneli, LDK ka caktuar bartësit e funksionit të zëvendëskryeministrit dhe të gjashtë ministrive në qeverinë e re të Kosovës dhe që të gjithë janë emra të rinj që në mandatin e kaluar nuk kanë ushtruar ndonjë post ministror. Kështu, Adem Salihaj është caktuar në postin e zëvendëskryeministrit, ndërkaq Haki Shatri do t'i prijë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Ministrinë e Shërbimeve Publike do ta drejtojë Melihate Tërmkolli, atë Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, Ministrinë e Transportit dhe të Telekomunikacionit Qemajl Ahmeti, të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Agim Veliu dhe të Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Çështjeve Jorezidente, Astrit Haraçia.
Ndërkohë, emrat e ministrave të tyre i ka bërë të njohur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha zëdhënësi Ernest Luma:
"Zoti Ramush Haradinaj është kryeministër i Kosovës, zoti Bajram Kosumi është Ministër i Ambjentit dhe Planifikimit Hapësinor, zoti Ethem Çeku është Ministër i Energjetikës, zoti Ahmet Isufi është Ministër i Punës dhe Mirëqënies Sociale dhe zoti Bujar Dugolli është Ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Këtu duhet cekur edhe posti i nënkryetarit të AAK-së, Naim Malokut, i cili sipas marrëveshjes për koalicion ka postin e nënkryetarit të Parlamentit të Kosovës".
Zoti Luma tha se të gjithë këta emra pritet të konfirmohen në parlament, i cili nuk do të tubohet përpara fillimit të dhjetorit:
"Të gjitha këto, fillimisht duhet të presim zhvillimin e seancës së parë e pastaj hapat e mëtejshëm dhe dihet që kjo është shtyrë për fillim të dhjetorit".
Në anën tjetër tashmë dihet se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete do t’u takojë serbëve, ndërsa pakicave joserbe që janë pjesë e koalicionit qeveritar, u mbetet Ministria e Shëndetësisë.
Pakoja e marrëveshjes për koalicion parasheh që Ibrahim Rugova të vazhdojë mandatin e kryetarit të Kosovës, Nexhat Daci ta vazhdojë postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa kryeministër i ri i Kosovës do të jetë Ramush Haradinaj. Pakoja qeveritare duhet të miratohet nga Kuvendi i ri i Kosovës, ku kërkohet vota e dy të tretave të deputetëve, e nëse kjo nuk arrihet në rrethin e tretë pakoja miratohet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.

XS
SM
MD
LG