Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN: SANKSIONE PËR ATA QË PENGOJNË PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE"


"Kur arrita në Prishtinë më 15 gusht shpreha mendimin tim se nuk do kishte normalizim dhe stabilitet të Ballkanit perëndimor pa zgjidhur cështjen e Kosovës. Tani jam më shumë se kurrë i bindur për një gjë të tillë", ka deklaruar shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, në fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit, ku është diskutuar gjendja në Kosovë.
Jessen Petersen është ndaluar tek përmbushja e standardeve e vecanërisht, liria e lëvizjes, kthimi i të zhvendosurve, gjendja e pakicës serbe, dhe zhvillimi ekonomik. Kreu i UNMIK-ut duke folur për gjendjen e sigurisë ka theksuar përparimin e bërë që nga dhuna e marsit dhe përpjekjet që problemet të zgjidhen para se të arrijë pika e vlimit. Njëherësh ai ka përsëritur kërkesën për NATO-n që të ruajë këtë nivel trupash në Kosovë.
"I kam bërë thirrje ambasadorëve të NATO-s me 10 nëntor të mbajnë të njëjtin qëndrim dhe të ruajnë të njëjtin nivel trupash pasi po hyjmë në një fazë kyce për Kosovën", tha shefi i UNMIK-ut. Jessen Petersen ka vecuar përparimin e bërë në kalimin e përgjegjësive tek vendorët duke nënvizuar se ky proces do të vazhdojë.
"Të gjitha kompetencat që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me sovranitetin duhet të kalojnë sa më shpejt të jetë e mundur tek vendorët. Do vazhdojë me kalimin e kompetencave në ekonomi dhe fushën e drejtësisë dhe sigurisë." Por krahas dhënjes së kompetencave vendorëve këta të fundit duhet të përqëndrohen në përmbushjen e standardeve, ku suksesi nuk është i pamundur, nëse ka vendosmëri e angazhim.
Si kyc për integrimin dhe përmirësimin e jetës së pakicës serbe shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë sheh decentralizimin, ku një plan është përgatitur nga ndërkombëtarët në bashkëpunim me kosovarët dhe Këshillin e Evropës. Por Jessen Ptersen tha se flitet për decentralizim e jo për ndarje.
"Më lejoni të jem i qartë, ndarja territoriale nuk është e dëshirueshme në parim dhe nuk është funksionale. Në një territor të vogël ku një e treta e serbëve është e vendosur në veri të vendit, kurse 2/3 janë në pjesën tjetër në Kosovë kjo nuk funksionon. Kjo bën që plani ynë i decentralizimit të jetë më i përshtatshmi", ka theksuar Jessen Petersen.
Shefi i UNMIK-ut nuk ka harruar të prekë as cështjen e personave të zhdukur duke vecuar se "nëse nuk ecim në këtë cështje apo ta lidhim atë me të tjera atëherë do të rritet dhimbja dhe zgjatet agona e familjeve të personave të zhdukur, që kanë të drejtë të mësojnë sa më shpejt që është e mundur se cfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre."
Në fjalën e tij Jessen Petersen i është rikthyer sërish përmbushjes së standardeve duke theksuar se do përdorë të gjitha mjetet, përfshi dhe masat disiplinore dhe sanksionet, që ia lejojnë kompetencat, ndaj atyre që pengojnë përmbushjen e standardeve.
"Sanksionet do merren pavarësisht përkatësisë etnike dhe partiake", theksoi kreu i UNMIK-ut, duke e hedhur për herë të parë një qëndrim të tillë.
Duke folur për koalicionin qeveritar shefi i UNMIK-ut ka nënvizuar faktin se një qeveri e koalicionit të gjerë ishte e preferueshme, por ai theksoi se procesi i zgjedhjes së koalicionit ishte demokratik.
"Bashkësia ndërkombëtare e mbështeti vendimin tim për të mos ndërhyrë në këtë proces. Ajo që ne kemi parë ishte funksionimi i demokracisë", tha Jessen Petersen duke adresuar më pas shqetësimet lidhur me emërimin e mundshëm të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si kryeministër, për shkak të informacioneve që lidhin emrin e zotit Haradinaj me hetimet nga Gjykata e Hagës.
"Nëse Gjyakta e Hagës vazhdon me rastin e Haradinajt besoj se do jetë bazuar në përputhje me mandatin e gjykatës për drejtësinë në kohë lufte. Dhe nëse ndodh jam i bindur se Kosova do tregojë për botën dhe rajonin një shembull të respektit të institucioneve të drejtësisë njësoj si kanë treguar respekt për demokracinë", ka theksuar Jessen Petersen. Nga ana tjetër ai ka kërkuar nga opozita e ardshme e Kosovës të respektojë rregullat e demokracisë.
"Besoj se opozita do luajë rolin e saj legjitim dhe demokratik duke treguar gjykim të matur politik në interes të cuarjes përpara të bisedimeve për standardet dhe statusin e Kosovës", ka përfunduar fjalën e tij shefi i UNMIK-ut.

Përgatiti: Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG