Ndërlidhjet

ÇDO GJË GATI PËR MBLEDHJEN INAUGURUESE TË PARLAMENTIT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zyra Ligjore e UNMIK-ut në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës janë pajtuar për procedurat dhe rendin e ditës së seancës së parë plenare që do të mbahet këtë të premte. Si pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e organeve më të larta të Kosovës. Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare Jeff Bielley, tha se në këtë seancë e cila do të ketë një hapje ceremoniale, do të jetë i pranishëm dhe shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, i cili do të mbajë dhe një fjalim rasti. Më pas, theksoi Bielley, procedura do të rrjedhë në mënyrë që të zgjidhen të gjitha organet, siç parashihen me Kornizën Kushtetuese:
“Do të zgjidhet Kryesia e Kuvendit, që të gjithë tetë anëtarët, pastaj ka disa variante, do të varet nga liderët politikë nëse do të zgjidhet presidenti i Kosovës apo jo, sepse mandati i presidentit zgjat deri në mars dhe ka mundësi që ta vazhdojë mandatin deri atëherë, apo të zgjidhet presidenti i Kosovës tani. Pastaj presidenti do të propozojë mandatarin e qeverisë dhe mandatari do të konsultohet me partitë politike dhe do të propozojë kabinetin e ministrave”, tha Bielley.
Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, pritet që para seancës së Kuvendit t’i nënshkruajë dy rregullore, me të cilat do të shtohen kapacitetet dhe përgjegjësitë e qeverisë së re, duke shtuar numrin e ministrive dhe posteve në ekzekutivin e Kosovës:
“Priten të nënshkruhen dy rregullore. Një për ministritë e reja dhe tjetra për postet e zëvendësministrave dhe zëvendëskryeministrit. Kjo pritet të bëhet para seancës së parë të Kuvendit, që të mund të propozohen kandidatët për ministra. Pastaj qeveria do të marrë vendim për emërimin e zëvendësministrave”, theksoi Bielley.
Postet nënministrore, nuk do të miratohen në seancën e të premtes, sepse do të mbetet te ministritë të vlerësojnë nëse kanë të gjitha nevojë për këto poste apo jo. Në anën tjetër, subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e ri, janë shprehur të gatshme të marrin pjesë në seancën inauguruese, përveç "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë", që përbën një nga dy subjektet serbe dhe ka tetë mandate të rezervuara në Kuvend.


XS
SM
MD
LG