Ndërlidhjet

ZGJIDHEN DREJTUESIT E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 23 tetorit dhe pas marrëveshjes për koalicion qeveritar ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka rizgjedhur sot Ibrahim Rugovën kryetar të Kosovës, Ramush Haradinajn kryeministër, ndërsa Nexhat Daci është rizgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në një kohë kur kryetari dhe kryesia e Kuvendit janë zgjedhur me votim të thjeshtë, zgjedhja e kryetarit të Kosovës ka kaluar në tre rrathë votimesh, pasi në dy rrathët e parë Ibrahim Rugova, kandidat i Lidhjes Demokratike nuk ka fituar 2/3 e nevojshme të votave, kundrejt kandidatit nga Partia Demokratike Ram Buja. Me rastin e zgjedhjes kryetari Ibrahim Rugova tha:
"Betohem solemnisht se do të ruaj dhe mbroj integritetin territorial të vendit tonë Kosovës dhe unitetin e popullit si dhe të angazhohem për zhvillimin ekonomik, demokratik, stabilitetin, prosperitetin dhe mirëqënien e të gjithë qytetarëve. Do të punoj për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë dhe të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe forcimin e miqësisë permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës."
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova më pas ka nominuar Ramush Haradinajn kryeministër të qeverisë së Kosovës, me ç'rast zoti Haradinaj ka prezantuar para deputetëve përbërjen e plotë të kabinetit të tij qeveritar, ku zëvendëskryeministri do të jetë nga Lidhja Demokratike, e cila do të ketë edhe gjashtë ministra; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përveç zotit Haradinaj në postin e kryeministrit ka katër ministra; një ministër u ka takuar pakicave joserbe, ndërsa dy ministri janë rezervuar për përfaqësuesit e serbëve. Më pas Kuvendi i Kosovës ka votuar me shumicë votash Ramush Haradinajn për kryeministër të Kosovës, i cili ekspozeun dhe programin e qeverisë do ta paraqesë në një mbledhje të ardhshme. Paraprakisht deputetëve të Kuvendit të Kosovës u është drejtuar Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen, i cili ua ka përkujtuar të zgjedhurve përgjegjësinë e ndërmarrjes së vendimeve të përgjithshme që janë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, siç tha ai.
"Tani u mbetet juve që t'i zbatoni rezultatet e zgjedhjeve, prandaj është me rëndësi thelbësore që parlamenti dhe qeveria të bëhen sa më shpejt funksionale dhe në këtë detyrë UNMIK-u është i gatshëm t'ju përkrahë", tha Petersen, duke përkujtuar gjithashtu se përmbushja e standardeve është detyra prioritare e qeverisë dhe e institucioneve të reja të Kosovës. Ai ka përkujtuar se egzistojnë masa të tjera në rast të mospërmbushjes së detyrave nga të zgjedhurit.
"Këto mjete përfshijnë vëzhgim dhe mbikqyrje të rreptë dhe natyrisht edhe sanksione eventuale. Unë jam i gatshëm t'i zbatoj këto sanksione në rastet kur dështohet përmbushja e detyrave", tha Petersen.
Mbledhja e sotme është përshkuar nga debate të rrepta të përfaqësuesve të opozitës. Hashim Thaçi, kryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës tha:
"Veprimet eksperimentale për ndërtimin e institucioneve nuk janë shpresë për sukses, përkundrazi hapin dilema të reja. Nuk janë shpresë as për të mirën e qytetarëve e as për angazhimin e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Kosovës së re i duhen institucione të reja që punojnë për integrim e kurrsesi që e izolojnë Kosovën. Duhet kuptuar se egoja e madhe për pushtet mund të shtyjë të bërit e shtetit të Kosovës". Sidoqoftë tha zoti Thaçi, partia e tij do të jetë një opozitë konstruktive. Duke iu përgjigjur, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tani kryeministër i Kosovës Ramush Haradinaj tha:
"Ajo që do të thoja me këtë rast është se të gjitha opinionet që i kemi veç e veç dhe të gjitha qëndrimet që i kemi veç e veç, do të kemi ditë dhe momente kur do t'i bashkojmë për Kosovën, ndërsa po ashtu nuk do të ndalemi me përcaktimin për të qeverisur me Kosovën në shërbim të të gjithë qytetarëve. Jo vetëm të atyre që na kanë dhënë besimin".
Sidoqoftë kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, ka paralajmëruar që së shpejti të thërrasë një mbledhje të veçantë të parlamentit, në të cilën kryeministri i ri i Kosovës Ramush Haradinaj do të paraqesë programin e qeverisë së tij.





Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG