Ndërlidhjet

FILMI DOKUMENTAR KOSOVAR NË FESTIVALIN E TIRANËS


Alma Çupi, Tiranë

Regjizorët e Kosovës vijnë në festivalin ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër me tre filma cilësisht të vlerësuar. Vjet filmi kosovar mori çmimin e parë dhe regjizorja e lauruar me këtë çmim, Burbuqe Berisha thotë Evropën e Lirë se edhe këtë vit, filmat janë në nivel të lartë mendimi, pavarësisht problemeve që shfaqen nga ana teknike për shkak të mundësive.
"Sa i përket teknologjisë nuk kemi ndonjë përmirësim sepse kushtet janë ato që janë. Zakonisht punojmë me teknikë televizive, nuk kemi mundësi të punojmë me teknikë filmike. Domethënë jemi të cënuar sa i përket anës teknike, por sa i përket anës artistike, secili autor ka identitetin e vet dhe ka një fuqi të vetën magjike që e tregon filmin ashtu siç di vetë."
Regjizorja Berisha e vlerëson shumë këtë festival edhe për faktin se po i krijohet një hapësirë promovimit të filmit shqiptar.
"Kanë punuar shumë dhe kanë sjellë botën në hapësirën shqiptare. Unë them hapësirën shqiptare sepse po e shoh që gjysma e Kosovës është këtu dhe ka mjaft shikues në sallë që janë nga Kosova".
Në këtë festival ndërkombëtar konkuron edhe regjizori i ri Bekim Graiçevi, me filmin "Ëndrrat nëpër borë", ku në qendër janë shtatë motra që jetojnë në një mal. Regjizori Graiçevi thotë se cilësia e filmit dokumentar në Kosovë është në nivel të mirë, për shkak të gjetjeve, të cilat përbëjnë surprizën në konkurse.
"Mendoj që cilësia e dokumentarit, por flas për dokumentarin në Kosovë, është në një nivel mjaft të kënaqshëm sepse temat, në të cilat ne merremi dhe ekstremitetet apo paradokset të cilat egzistojnë në Kosovë, janë të pabesueshme për mendjen njerëzore, për mendjen normale njerëzore mendoj. Shpesh herë kam qenë i shokuar me temat apo me realitetet të cilat egzistojnë në Kosovë".
Një tjetër film i ardhur nga Kosova me një tematikë tragjike është dhe filmi " Trenat". Producenti Milaim Zeka, tregon se ky subjekt i ka prekur shumë shqiptarët.
"Një burrë shqiptar pret çdo ditë në stacionin e trenit se do i kthehet djali. Por djali i parë edhe i dytë i kthehen në arkivole dhe të vrarë nga ushtria jugosllave. Kjo paraqet tragjedinë e madhe të kosovarëve në vitet 80' kur dhjetra djem kosovarë, u kthyen në arkivole nga ushtria jugosllave. Ndërsa djali i tretë është i zhdukur dhe asnjëherë nuk i kthehet. Por ky beson se do t'i kthehet. I tërë filmi zgjat 18 minuta. Regjizor është Alban Gashi".
Më tej ai thotë se regjizorët kosovarë janë vertetë të talentuar, por atyre nuk u krijohet hapësirë promovimi.
"Kemi një brez të regjizorëve shumë të mirë në Kosovë, por që fatkeqësisht atyre nuk u jepet hapësirë e duhur sidomos në mediat kosovare elektronike dhe Ministria e Arsimit e Kosovës nuk i ndihmon këta krijues të rinj".
Me gjithë vështirësitë që ka prodhimi i filmave në Kosovë dhe Shqipëri për shkak të mungesës së teknikës, kritikët vlerësojnë mesazhin që këto filma hedhin. Këto mesazhe, deri më sot në ditën e katërt të festivalit, kanë shokuar edhe regjizorët e ardhur nga vendet e tjera. "Kosova Eleven", filmi i regjizores Burbuqe Berisha ishte edhe shembulli tipik që regoi se filmi shqiptar me gjithë vështirësitë arrin të vlerësoshet me çmime të para në festivale ndërkombëtare.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG