Ndërlidhjet

STRASBOURG


Parlamenti Evropian sot u bëri thirrje liderëve të Bashkimit Evropian t'i hapin bisedimet për anëtarësimin e Turqisë pa vonesa të tepruara.
Parlamenti gjithashtu i bëri thirrje Ankarasë të ndërmarrë më shumë reforma demokratike, të ecë përpara drejt njohjes së Qipros dhe të ketë 'zero-tolerancë' për torturën.
Rezoluta në Strasbourg nuk është obliguese, por me gjasë do të ndikojë te liderët e unionit mbi aplikimin e Turqisë për anëtarësim në BE para samitit historik në Bruksel.
Në Ankara u prononcua ministri i jashtëm i Turqisë Abdullah Gyl.
"Ne besojmë që Turqia i ka përmbushur obligimet e saj. Prandaj, pritjet tona janë të ligjshme dhe të drejta. Shpresojmë që liderët e BE-së të kenë vizion të madh, t'i kujtojnë fjalët dhe nënshkrimet e tyre të mëparshme, dhe për vitin 2005 të caktojnë një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e plotë", tha Gyl.
Më parë, kryeministri i Holandës Jan Peter Balkenende, kryesues i radhës i BE-së, tha se unioni do ta ketë vështirë të arrijë marrëveshjen për fillimin e mundshëm të bisedimeve për anëtarësim me Turqinë, por e shfaqi pritjen se samiti i BE-së do të vendosë t'i çojë përpara negociatat.
Kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso sot i tha Parlamentit Evropian se Turqia i ka përmbushur kriteret për bisedimet.
"Porosia kryesore në vlerësimin e Komisionit është se Turqia në masë të mjaftueshme i ka plotësuar kriteret politike të Kopenhagës, dhe tani duhet të hapen negociatat për anëtarësim. Rekomandimin, i cili u përgatit me shumë kujdes, e konsiderojmë të baraspeshuar dhe bazë të mirë për vendimin e këshillit", tha Barroso.
Kancelari i Austrisë Wolfgang Schuessel sot bëri thirrje për marrëdhënie speciale me Turqinë, por jo anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG