Ndërlidhjet

COVIQI NË PRISHTINË MERR KRITIKA TË SHUMTA NGA UNMIK-U


Zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin, ka shprehur sot zhgënjimin e UNMIK-ut lidhur me disa veprime të autoriteteve të Beogradit rreth Kosovës. Kritikat kanë të bëjnë me mosinkurajimin e mjaftueshëm të serbëve të Kosovës që të marrin pjesë aktive në proceset dhe në jetën politike të Kosovës. Këto shqetësime zoti Rossin ia ka bërë të ditura sot shefit të Qendrës Koordinuese serbe për Kosovën, Nebojsha Çoviq, pas një takimi në zyrat e UNMIK-ut.
"Zoti Rossin ka shprehur zhgënjimin e shefit të UNMIK-ut për dështimin e vazhdueshëm të autoriteteve të Beogradit, që të trimërojnë liderët e serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në jetën politike", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Jeff Bieley, duke lexuar komunikatën e UNMIK-ut pas këtij takimi.
Sipas zyrtarit të Qeverisë së Serbisë, Çoviq, Beogradi nuk është kundër qeverisë së Kosovës, por dëshiron që të dyshuarit për krime të luftës të trajtohen njëjtë para drejtësisë dhe jo që dikush të dënohet të tjerët të falen tha Çoviq, duke potencuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.
"Serbët e Kosovës nuk mund të hyjnë në institucionet e përkohshme, përderisa ekziston problemi që e përmenda dhe që quhet kryeministër i Kosovës, i cili duhet të verifikohet nga Tribunali i Hagës", tha Nebojsha Çoviq, duke shtuar se këtë problem duhet ta zgjidhë vetë Kosova.
Në anën tjetër UNMIK-u ka shprehur zhgënjimin edhe për faktin që Beogradi nuk ka trimëruar serbët e Kosovës që ta marrin pjesë në grupet punuese për decentralizimin si dhe në komisionin për siguri. Çoviq tha se serbët e Kosovës ende nuk janë të gatshëm të përfshihen në procesin e decentralizimit për shkak se ende nuk dihet se cilat janë pikat e përbashkëta të planit të UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës me planin e qeverisë së Serbisë.
"Unë them se një program kryesor është ai i UNMIK-ut, në të cilin duhet të shohim se cilat janë ato komuna. Unë e pashë se Graçanica do të jetë komunë e sigurisht komunë më vete do të jetë edhe Mitrovica veriore", tha Çoviq, sipas të cilit megjithatë duhet të shihet se cilat janë të përbashkëtat e planit të UNMIK-ut me atë të qeverisë së Serbisë.
Çoviq, i cili më pas ka shkuar edhe në enklavën serbe të Graçanicës, tha se me zotin Rossin kishin biseduar edhe për planin e Korporatës Energjetike të Kosovës që rajonet të cilat nuk paguajnë energjinë të mos kenë rrymë apo të kenë më shumë reduktime.
"Nuk mund t’i detyroni njerëzit të paguajnë rrymën nëse nuk kanë se me çka të paguajnë dhe kjo është e lidhur me situatën ekonomike dhe problemet e tilla nuk guxojnë të trajtohen si probleme ndëretnike", tha Çoviq. Ai tha se sa herë që dikush në UNMIK nuk di se çfarë të bëjë atëherë fajësohet Beogradi dhe edhe problemet si furnizimi me rrymë nxirren në planin e marëdhënieve ndëretnike.
Mirëpo, UNMIK-u ka shfaqur shqetësimin e tij që qendra Koordinuese e Çoviqit e ka penguar bashkëpunimin e qytetarëve serbë ne UNMIK-un dhe KEK-un.
"Zoti Rossin ka shprehur keqardhjen e tij për faktin se zyrtarët e Qendrës Kooordinuese gjatë kontakteve të UNMIK-ut dhe KEK-ut me konsumatorët, shpeshherë janë parë si faktorë dekurajues dhe panevojshëm e kanë stërzgjatur gjendjen e vështirë të shkaktuar nga mospagesa e rrymës së shpenzuar", tha zëdhënësi Bieley. Në vargun e vërejtjeve të UNMIK-ut për Beogradin, zoti Rossin ka shprehur zhgënjimin për faktin që Beogradi nuk u është përgjigjur thirrjeve përsëritura për të riaktivizuar grupin e përbashkët punues për të zhdukurit.
Kjo ishte vizita e parë e ndonjë zyrtari të Beogradit në Kosovë që nga zgjedhja e institucioneve të reja të Kosovës.

Rrahman Paçarizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG