Ndërlidhjet

KIJEV


Janë mbyllur qendrat e votimit në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, derisa anketat e opinionit tregojnë se kandidati i opozitës Viktor Yushchenko po kryeson qartë ndaj kryeministrit Viktor Yanukovich.
Votimi ka rrjedhur në mënyrë të qetë, derisa 12 mijë vëzhgues të zgjedhjeve nuk kanë raportuar shkelje të mëdha të rregullave zgjedhore. Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se deri në orët e vona të pasdites kanë votuar 55 për qind të popullatës.
Opozitari Yushchenko ka thënë gjatë votimit se është i sigurt se sot do të fitojë demokracia e Ukrainës:
"Gjëja kryesore është që të fitojë populli. Ajo që ndodhi këto 30 ditë ishte synimi i parardhësve tanë", tha Yushchenko.
Yanukovich ka thënë se ai votoi për të ardhmen e popullit të Ukrainës:
"Pres nga populli i Ukrainës që të marrin vendimin e duhur. Unë votova për të ardhmen e Ukrainës dhe të ardhmen e popullit të Ukrainës", tha Yanukovich.
Kryeministri Yanukovich zyrtarisht i fitoi zgjedhjet në 21 nëntor, por pas disa javësh të protestave të opozitës, Gjykata Supreme e Ukrainës i shpalli votimet të pavlefshme. Opozitari Jushqenko është zotuar se do ta riorientojë Ukrainën kah perëndimi. Presidenti në largim i Ukrainës Leonid Kuchma kërkoi nga të dy palët që të respektojnë rezultatet zyrtare, që priten të shpallen nesër.
XS
SM
MD
LG