Ndërlidhjet

WSJ: Ballkanizimi i Evropës


"Wall Street Journal"

Bashkimi Evropian kishte rastin që të shpërlahet nga mëkati i madh i dekadës së kaluar dhe të dëshmojë se politika e jashtme e përbashkët është në veprim. Por, nuk ndodhi kështu.

Në rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian do të mund ta jetësonte deklaratën e Jasques Poo, dhënë më 1991 se "ora e Evropës ka aguar".

Pas kësaj deklarate, Bashkimi Evropian u nda rreth Jugosllavisë, e cila u shemb në një sërë luftërash të përgjakshme. Shtetet e Bashkuara atëbotë u detyran të ndërhyjnë, për të shpëtuar Bashkimin Evropian dhe Ballkanin. Kjo javë tingëllon si "déjà vu", por fatmirësisht pa gjakderdhje.

Spanja e hapi mbledhjen e Bashkimit Evropian mbi Kosovën, duke e shpallur deklaratën e protektoratit të Kombeve të Bashkuara në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Socialistët në pushtet duket se janë zemëruar me kosovarët, pse nuk kanë pritur në qetësi deri në mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare në Spanjë, muajin që vjen.

Kërkesat e baskëve dhe katalonëve për autonomi janë çështje të mëdha zgjedhore në Spanjë dhe Kosova i ka vënë autoritetet spanjolle në pozitë të palakmueshme.

Shqetësime të ngjashme politike, por edhe solidaritet me sllavët ortodoksë të Serbisë, kanë edhe Rumania, Bullgaria, Qiproja greke dhe Greqia.

Sllovakia ndërkaq ka frikë se pakica e saj hungareze do të mund të synojë të njëjtën gjë si kosovarët. Të tjerët, si italianët, brengosen mos po i zemërojnë serbët dhe rusët.

Britania, Franca dhe Gjermania e kanë mirëpritur lindjen paqësore dhe të shumëpritur të shtetit të ri në Ballkan, por janë Shtetet e Bashkuara ato që u vunë në krye të njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe morën përsipër barrën më të nxehtë nga Moska dhe Beogradi.

Ndërkohë, grekët sërisht janë kërcënuar të minojnë planet e Bashkimit Evropian për Ballkanin, për shkak të emrit që mbajnë fqinjët e tyre maqedonë. Nëse këta të fundit nuk heqin dorë, Athina do të mund të vendosë veto mbi anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Bashkimit Evrpian e njohin Maqedoninë me emrin e saj të zgjedhur dhe një ndërmjetës ndërkombëtar tashmë ka dalë me propozime të reja për ta zgjidhur këtë konflikt absurd dhe të kushtueshëm 17 vjeçar.

Prandaj, nuk duhet pasur iluzione. E vetmja gjë e përbashkët në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian është mendjengushtësia e qartë, mungesa e një vizioni strategjik dhe mosgatishmëria për të mbështetur zotimet madhore për lidership global, qoftë me burime apo edhe vullnet politik.

XS
SM
MD
LG