Ndërlidhjet

Pavarësia - fundi i ish-Jugosllavisë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Politikanë dhe juristë kosovarë thonë se shpallja dhe njohja e pavarësisë së Kosovës përbën edhe aktin e fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Disa përfaqësues serbë mendojnë se pavarësia përbën edhe fillimin e shpërbërjes së Serbisë.


Shpallja dhe njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës, për politikanët dhe juristët kosovarë përbën aktin e fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Historiani Enver Hoxhaj, njëherësh ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, thotë se me pavarësinë, përfundimisht, është ndryshuar harta politike e Ballkanit dhe Evropës.

“Është përmbyllje e një procesi, që ka filluar në vitet e 90-ta, të një godine shtetërore, që për popujt e saj është parë si ndërtesë e dhunshme dhe që është përcjellë me një proces të dezintegrimit të brendshëm dhe të dezintegrimit të dhunshëm, të luftërave të popujve të ndryshëm. Dhe, akti i shpalljes së pavarësisë dhe pranimi i saj nga shtetet më të fuqishme perëndimore tregon për përmbylljen e procesit dhe të ndryshimit të hartës politike të Ballkanit dhe të Evropës”, thotë Hoxhaj.

Ish-Jugosllavia përbëhej nga 6 republika dhe 2 krahina. Tashmë 5 republika kanë shpallur pavarësinë, përderisa Kosova si një nga ish-krahinat jugosllave, sipas juristit Muhamet Kelmendi, përmbyll shpërbërjen e këtij shteti, meqë krahina tjetër, Vojvodina nuk ka shprehur interesim për t’u ndarë nga Serbia.

“Sipas bazës juridiko-politike mbi të cilën ka qenë e ndërtuar Jugosllavia dhe elementeve konstituive, ne kemi pasur 6 republika dhe 2 krahina. Kjo lë të nënkuptojë se akti i shpalljes së pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare është momenti i fundit, apo më mirë të themi akti i fundit, që është shpërbërë Jugosllavia në kuptimin juridiko-politik. Tani, të gjitha subjektet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia kanë të drejtën e trashëgimisë të të gjitha detyrave dhe obligimeve, që dalin nga ai ish-shtet që ka qenë bashkësi e shteteve”, tha Kelmendi.

Por, një mendim tjetër ka politikania serbe, Rada Trajkoviq. Ajo mendon se pavarësimi i Kosovës përveç shpërbërjes definitive të Jugosllavisë, përbën edhe fillim të dezintegrimit të Serbisë.

“Ky nuk është fundi i shpërbërjes së Jugosllavisë, por fillimi i shpërbërjes së Serbisë. Nëse do të më pyeste dikush, çka do që dominon në të dy anët edhe për atë që pret popullin shqiptar dhe serb, unë kisha thënë që ky nuk është fundi. Duke marrë parasysh se Serbia është multietnike dhe nëse nuk gjejmë mënyrën të shkojmë kah institucionet globale, por vetëm të kemi lidhje strategjike me Rusinë, atëherë komunitetet, siç janë hungarezët dhe boshnjakët, do të kërkojnë integrime evropiane dhe në atë proces do të kemi destabilizim”, tha Trajkoviq.

Në anën tjetër, Enver Hoxhaj parasheh që nëse jo menjëherë, atëherë në një periudhë kohore, edhe në Serbi do të mbretërojë arsyeshmëria dhe politikanët serbë do t’i kthejnë sytë kah integrimet euro-atlantike.

“Akti i 17 shkurtit është definitivisht një vijë prerëse mes historisë dhe mes të tashmes dhe të ardhmes, prandaj e ardhmja do të jetë shumë e sigurt në duart e qytetarëve të Ballkanit. Ajo çfarë ndodh në Serbi, është një frustrim post-hegjemonist i një populli që synon përmes demonstrimeve në rrugë dhe të një elite politike që jeton në të kaluarën dhe shërbehet me një psikologji të së kaluarës ta demonstrojë pafuqinë e saj. Jam shumë i sigurt se bashkësia ndërkombëtare është e përkushtuar dhe edhe në Serbi për një hapësirë të caktuar kohore do të mbretëroje racionaliteti dhe ata do t’i kthehen kufijve, shtetësisë së tyre dhe realitetit në të cilin jetojnë”, tha Hoxhaj.

Politikanët serbë kanë deklaruar se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës, madje Kuvendi serb ka anuluar Deklaratën e Pavarësisë, në kohën kur ajo po njihej nga shtetet më të fuqishme botërore.

Enver Hoxhaj mendon se vetë Serbia do ta njohë më vonë Kosovën, ngjashëm siç ka bërë edhe me ish-republikat tjera të Jugosllavsië, të cilat kishin shpallë pavarësinë gjatë viteve të 90-ta.

“Në të kaluarën ka pasur politikanë serbë që gjatë shpërbërjes së ish-Federatës Jugosllave - të Republikës së Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjës, Malit të Zi - kanë bërë deklarata të tilla që në asnjë formë nuk do ta pranonin një shtet të tillë. Ndërsa sot, jo vetëm që i pranojnë, por kërkojnë ndihmën e tyre që të jenë pjesë e BE-së. Kështu që në politikë, formulimi kurrë nuk është valid as për Kosovën, e as për qytetarët e Kosovës, e as për ata të Ballkanit”, tha Hoxhaj.

Ndryshe, juristët kosovarë thonë se meqë Kosova shënon fundin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, tani duhet që të fillojë edhe ndarja e trashëgimisë jugosllave dhe secili shtet të marrë atë që i takon.

Në këtë kuadër, Republika e Kosovës do të jetë e obliguar që të paguajë një borxh ndërkombëtar të kredive të jashtme, që, sipas ekspertëve, shkon deri në 2 miliardë euro, ndërkaq, përfitimi i Kosovës në këtë rast është njohja dhe pranimi i saj si shtet jo vetëm nga shtetet individuale, por edhe nga organizatat e ndryshme botërore.



XS
SM
MD
LG