Ndërlidhjet

R. HARADINAJ:"SHËRBIMET E HUAJA TË INVOLVUARA NË VRASJEN E T. ZEMAJT..."


Intervistë e Ramush HARADINAJT, kryetar i AAK-së dhënë radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, para pak javësh ju keni kërkuar që parlamenti i Kosovës të miratojë një deklaratë për pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që lidhur me këtë ka pasur reagime të ndryshme. A mund ta elaboroni paksa kërkesën tuaj?

RAMUSH HARADINAJ
AAK-ja, duke i bërë një analizë vitit 2002 dhe duke pasur të qartë synimin për vitin vitin 2003 dhe periudhën që vjen, jemi përcaktuar që të shpallim, të miratojmë deklaratën për pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, këtë propozim ua kemi propozuar edhe grupeve të tjera parlamentaere dhe partive, në mënyrë që këtë ta bëjë edhe parlamenti i Kosovës. Mendojmë se deklarata jonë është një filim i mbarë për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti Haradinaj, qarqe të ndryshme kanë vlerësuar se kjo kërkesë juaja mund të shkaktojë konfrontimin më të madh të ndërkombëtarëve dhe vendorëve, nëse UNMIK-u do të zhvlerësonte një deklaratë eventuale për pavarësinë. Cilat do të ishin efektetet e këtyre zhvillimeve?

RAMUSH HARADINAJ
Ne jemi të vetëdijshëm se të arriturat në Kosovë janë të përbashkëta, janë tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Mendojmë se ky hap i parlamenit të Kosovës, pra shpallja e Kosovës shtet i pavarur është vetëm mbështetje përpjekjeve tona të përbashkëta për zgjidhjen më të shpejtë të statusit final të Kosovës dhe për përmbylljen e misionit të Kosovës. Shpallja e pavarësisë nga parlamenti nuk do të thotë ndërprerje e marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare dhe konfrontim, por përkundrazi vetëm një fillim i ri i një bashkëpunimi të ndërsjellë, kur dihet se ne që më parë jemi përcaktuar për mandat të përhershëm të NATO-s në Kosovë dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm me bashkësinë ndërkombëtare në forma të reja të bashkëpunimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Serbisë Gjingjiq ka deklaruar se duhet një Dejton i ri për Kosovën. Ai ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk është temë tabu, por njohja e pavarësisë do të ishte precedent sa i përket ndryshimit të kufijve. Cili është komenti juaj?

RAMUSH HARADINAJ
Mendojmë se kryeministri i Serbisë, Gjingjiq, me këtë e shpreh një guxim, do ta quaja më të madh, të politikës së Beogardit për Kosovën. Ende deri më tani askush nuk është përcaktuar për një metodë ose për një plan se si do të arrihet të zgjidhet statusi final i Kosovës. Ne do ta lusnim kryeministrin Gjingjiq që të marrë në shqyrtim ofertën tonë, pra shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe njohjen e Kosovës si shtet nga fqinjët, nga Serbia dhe nga të tjerët. Mendoj se kjo formë do të ishte më e qëndrueshme dhe më e dobishme për të gjithë ne.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj më katër janar në një sulm të armatosur është vrarë Tahir Zemaj. Ndërkohë që policia nuk ka dhënë detaje për motivet, parti të ndryshme e kanë vlerësuar këtë një vrasje me motive politike. Cili është qëndrimi juaj?

RAMUSH HARADINAJ
Në radhë të parë AAK, por edhe unë personalisht shprehim kundërshtimin ndaj akteve të dhunës dhe i dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe sidomos edhe vrasjen e para disa ditësh në Pejë, ku u vra kolonel Tahir Zemaj dhe dy familjarë të tij. Ne nuk i dimë motivet e kësaj vrasjeje, sikurse nuk i dimë as autorët, por duam t’u japim mbështetje mekanizmave të rendit dhe të sigurisë që të zbardhin këtë vrasje. Mendojmë se kjo vrasje është edhe një goditje ndaj përpjekjeve që po bëjmë në Kosovë për stabilitet, pra për rend dhe siguri, por edhe për një imazh më të mirë të Kosovës, si dhe të forcave politike e në këtë kuadër edhe tëe AAK-së e cila ka një shtrirje të mirë në këtë rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, zoti Haradinaj ju keni theksuar se ju dhe Aleanca… nuk keni pasur ndonjë motiv kundër tashmë të ndjerit Zemajt dhe keni theksuar se kjo vrasje mund të jetë bërë nga shërbime sekrete. A do ta sqaroni këtë pak më shumë këtë qëndrim?

RAMUSH HARADINAJ
AAK, por edhe unë personalisht nuk kemi pasur në asnjë mënyrë ndonjë motiv të veprojmë kundër jetës dhe të sulmojmë zotin Zemaj. Kjo, sidomos kur lidhet me zhvillimet në gjykimin që ndodhi ditë më parë në Prishtinë, ku zoti Zemaj me dëshminë e tij i dha një mbështetje të fuqishme mbrojtjes së Daut Haradinajt dhe të gjykuarve të tjerë dhe vetë mbrojtja e Dautit u shërbye me deklaratën e zotit Zemaj. Mendojmë se në këtë rast janë të involvuara ndonjë nga shërbimet e huaja që mund të veprojë në Kosovë me qëllime të këqija, për të dëmtuar imazhin e Kosovës, për të dëmtuar përpjekjet tona, por edhe imazhin e forcave politike, pra edhe të AAK-së, duke ditur, siç thashë, se ne kemi shtrirje në atë rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti Haradinaj, siguria dhe kthimi i serbëve të zhvendosur janë ndër standardet themelore që Steiner ka përcaktuar para se t’i hyhet statusit. Si i shihni ju gjasët që Kosova të përmbushë standardet e përcaktuara nga Steiner?

RAMUSH HARADINAJ
Po, mendojmë se nxjerrja e standardeve nga zoti Steiner është një përpjekje e tij për të nxjerrë një plan të përbashkët për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Për fat të keq, ky plan ka mbetur i zotit Steiner dhe nuk ka arritur që të pranohet dhe të implementohet bashkërisht, për faktin se ne jemi në mungesë të instrumenteve dhe kompetencave me të cilat do të bënim më shumë. Mendoj se mënyra më e mirë për të bërë një përparim në këtë drejtim është që institucioneve të Kosovës t’u besohen kompetencat për të qeverisur me Kosovën. Pra, të pranohet gatishmëria jonë për të marrë përgjegjësi të plota për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe zoti Haradinaj, si do ta bindni ju praninë ndërkombëtare në Kosovë që të bartë më shumë kompetenca tek institucionet vendore?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se deri tash kemi edhe prova të shumta konkrete për një qasje dhe seriozitet në punë, por edhe për suksese të arritura, duke qenë se tani kemi krijuar edhe një përvojë të parë, mendojmë se janë këto të mjaftueshme që bashkësia ndërkombëtare t’u besojë institucioneve të Kosovës përgjegjësi të plota për të qeverisur në Kosovë.
Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG