Ndërlidhjet

DEKLARAT E GJINXHIQIT - EVOLUCION DREJT ZGJIDHJES SË STATUSIT TË KOSOVËS


Zijadin GASHI


“Deklarata e kryeministrit të Serbisë se pavarësia e Kosovës nuk është më temë tabu, është një lëvizje pozitive nëse është thënë me sinqeritet”, ka vlerësuar kryeministri i qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi, në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë. “Mirëpo- ka shtuar zoti Rexhepi- është shumë herët të nxirren konkluzione nga kjo deklaratë e zotit Gjinxhiq”, dhe ka pohuar se "nëse do të bëhej fjalë për një thirrje apo për një konferencë të re të Dajtonit, atëhere Kosova duhet të japë përgjigjen e vet pas shqyrtimit të saj në institucionet e zgjedhura".
“Shumë herët është për të dhënë vlerësime. Nëse ka menduar në atë drejtim, është një lëvizje pozitive, që ne duhet ta shqyrtojmë bashkarisht, të gjitha institucionet dhe liderët politikë. Unë konkretisht vetë nuk mund të vendos për këtë çështje”, ka thënë kryeministri Rexhepi.
Ndërkohë në lidhje me këtë çështje, deputetja Edita Tahiri, pjesëmarrëse në konferencën e Rambujesë për Kosovën, thotë se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës është parashtruar në dokumentin bazë të kësaj konference, ku sipas saj, thuhet se konferenca për statusin e Kosovës duhet të marrë për bazë vullnetin e shprehur të popullit të saj. Ajo mendon se konferenca për zgjidhjen e statusit të Kosovës duhet të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa deklarimin e zotit Gjinxhiq se pavarësia e Kosovës nuk është më temë tabu, edhe deputetja Edita Tahiri e vlerëson si një evolucion në drejtim të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Mirëpo ajo nuk mendon se konferenca e Dajtonit dhe ajo e Rambujesë duhet të lidhen me njëra tjetrën, që do të çonte deri në ndryshimin e kufijve në Ballkan, siç ka kërkuar Gjinxhiq.
“Në kohën e zgjidhjes së krizës së ish-Jugosllavisë në fakt ne e pamë se u bënë dy projekte paqësore. I pari ishte Dajtoni, që lidhej me krizën e Bosnjës dhe projekti i dytë paqësor ishte Rambuje, që lidhej me çështjen e Kosovës dhe unë mendoj se këto dy çështje nuk kanë ndërlidhje, pasi edhe Kosova edhe Bosnja, edhe Kroacia, Sllovenia, të gjitha kanë qenë njësi federale të ish-Jugosllavisë dhe secila prej tyre ka ecur në rrugën e vet origjinale për realizimin e vetvendosjes dhe pavarësisë së saj. Prandaj edhe Kosova ka rrugën origjinale të realizimit të shtetit të vet” thotë Edita Tahiri.
Sidoqoftë përfaqësuesit kosovarë ndonëse e kanë komentuar deklaratën e kryeministrit të Serbisë si një ecuri pozitive ata janë shprehur edhe me rezerva ndaj pohimeve të tij. Kështu ata mendojnë se përcaktimi i statusit të Kosovës do të bëhet duke respektuar në rend të parë vullnetin e popullit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG