Ndërlidhjet

RUFI OSMANI: GJASËT PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË OHRIT – TË DOBËSUARA DHE TË ZBEHTA


“Nëse konstatohet me objektivitet, në fakt, bëhet fjalë për nxjerrjen nga puna të shqiptarëve, të cilët kjo parti i punësoi gjatë fushatës elektorale, pa u dhënë mandate punuese konform ligjit për marrëdhëniet e punës dhe në këtë mënyrë ata kanë pasur një mandat punësimi të përkohshëm” – thotë, pos tjerash, analisti Rufi Osmani, në intervistën për Radion "Evropa e Lirë".

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë vitit 2002 u bë një ndërrim i partive në pushtet. Si e vlerësoni punën e qeverisë së tashme dhe në këtë kuadër, a vëreni ndonjë ndryshim nga koalicioni i mëparshëm qeveritar?

RUFI OSMANI
Personalisht mendoj se qeveria e re është një rezultantë logjike e rezultateve zgjedhore të partive alternative politike në spektrin politik shqiptar dhe maqedonas dhe kjo qeveri reflekton fituesit e spektrit politik maqedonas dhe shqiptar. Mirëpo duke analizuar, në bazë të asaj që kjo qeveri ka dëshmuar deri më tash - përafërsisht në 100 ditët e para të qeverisjes së saj - duhet të themi se dallime esenciale me atë të mëparshmen nuk ka. Kjo qeveri dhe ky parlament vazhdojnë të funksionojnë në bazë të parimit të shumicës. Në bazë të këtyre parimeve sllavo-maqedonasit janë shumicë politike në parlament dhe në qeveri, edhe përkundër ndarjes së resoreve, i cili në shikim të parë ishte më përmbajtësor dhe më i dobishëm për shqiptarët, nga ana cilësore, pra, nuk ka dallime esenciale. I vetmi dallim do të kisha thënë qëndron në faktin se përfaqësuesit politikë të BDI-së dhe LSDM-së në prononcimet e tyre politike publike janë shumë më të matur nga ish përfaqësuesit politikë në ish qeverinë e WMRO-së dhe të PDSH-së dhe kjo i jep një sinjal arsyetimi për një seriozitet më të madh në menaxhimin e punëve publike…do të kisha thënë me peshë të gjerë për Maqedoninë dhe për rajonin në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i përket skenës politike shqiptare në Maqedoni, po ashtu ndodhën ndryshime. Siç thatë edhe ju tash në qeveri është BDI-ja. Partia Demokratike Shqiptare e Arbër Xhaferit po kritikon ashpër disa zhvillime të fundit. Në këtë aspekt si i vlerësoni ju angazhimet e BDI-së në zhvillimet e fundit politike?

RUFI OSMANI
Më duhet të them kështu nga një pozicion objektiv se shumica e pikave të lëshuara nga partia e zotit Xhaferi janë kritika pa mbulesë objektive. Në veçanti këto kritika kanë të bëjnë me gjoja nxjerrjen nga puna të shqiptarëve. Nëse konstatohet me objektivitet, në fakt, bëhet fjalë për nxjerrjen nga puna të shqiptarëve, të cilët kjo parti i punësoi gjatë fushatës elektorale, pa u dhënë mandate punuese konform ligjit për marrëdhëniet e punës dhe në këtë mënyrë ata kanë pasur një mandat punësimi të përkohshëm. E dyta, mendoj se shumica e kritikave në këtë fazë, pa përfunduar akoma 100 ditëshi i funksionimit të qeverisë, janë pa mbulesë reale dhe kryesisht janë të një natyre të propagandës inflatore. Nëse vërejmë realisht, edhe BDI-ja në pushtetin aktual, e ka atë pozicion, i cili buron nga pozita e shqiptarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, i cili buron nga vetë marrëveshja e Ohrit dhe nuk duhet harruar se pikërisht ishte Arbër Xhaferri, Imer Imeri e të tjerët, të cilët së bashku me Ali Ahmetin ranë dakord për marrëveshjen e Ohrit dhe ranë dakord për pozicionin diskriminues të shqiptarëve që vazhdon akoma në institucionet e shtetit të Maqedonisë, por tashmë, do kisha thënë, me një dozë më të zbutur sesa në qeverinë paraprake. Duke u nisur nga këto pozicione nuk bëhet fjalë faktikisht për kritika përmbajtësore reale, të cilat kanë një mbështetje të vërtetë funksionale. Gjeneratori i krizës dhe, do të kisha thënë, gjeneratori i faktit që edhe BDI-ja nuk është efektive, konform kërkesave të shprehura të shqitparëve, është vetë Kushtetuta, sikundër është vetë marrëveshja e Ohrit.

RADIO EVROPA E LIRË
Blloku politik shqiptar në përgjithësi mendon se gjatë vitit 2003 duhet të përshpejtohet përfundimi i marrëveshjes së Ohrit, të cilën e përmendet edhe ju. Në këtë aspekt partitë maqedonase, veçanërisht opozita e udhëhequr nga VMRO- DPMNE tash e kundërshtonmarrëveshjen e Ohrit. Si i parashihni ju zhvillimet në këtë kuadër?

RUFI OSMANI
Po gjithësesi e gjithë kjo që po konstatoni, faktikisht nxjerr në pah se situata politike në Maqedoni është mjaft e brishtë dhe ato rezultate që shqiptarët i arritën me marrëveshjen e Ohrit, tashmë janë në rrezik të zbatimit praktik, nëse kemi parasysh sjelljen e opozitës maqedonase që ju e përmendët, opozitë kjo që në fund të fundit ka qenë dhe mbetet partner strategjik i Arbër Xhaferrit dhe partisë së tij. Këto ditë mund të konstatohet se realizimi i marrëveshjes së Ohrit tashmë kërcënohet edhe nga paralajmërimet për një opozitë të re luftarake, që gjoja do të duhet ta nisë Armata Kombëtare Shqiptare…dhe nga ky këndvështrim dhe nga këndvështrimi se Maqedonia ka shumë detyrime që do duhet t’i zbatojë në kuadër të reformave ekonomiko-sociale dhe të sigurisë të marra nga akti i Marrëveshjes për Asocim-stabilizim, mund të përfundoj se gjasat për një implementim të suksesshëm afatshkurtër dhe me një dinamikë të kënaqshme për shqiptarët, janë mjaft të dobësuara dhe mjaft të zbehta dhe në këtë drejtim, pa një ndërhyrje substanciale të faktorit ndërkombëtar, kjo marrëveshje rrezikohet të pezullohet, përgjithësisht të anashkalohet dhe pjesërisisht të zbatohet në këtë fazë të qeverisjes BDI-LSD.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG