Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Richard Boucher mbrëmë vonë deklaroi se “mendojmë se tash nuk është koha për të filluar bisedimet lidhur me çështjen e statusit final” të Kosovës. Ai mëtutje tha se “ statusi final i Kosovës duhet të administrohet sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Këto komente u bënë lidhur me deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq se “tash është koha për të hapur bisedimet për statusin final të Kosovës”. Zëdhënësi Richard Boucher tha se Uashingtoni është i kënaqur me të arriturat e deritashme në Kosovë. Ai mëtutje shprehu përkrahje për pozicionin e kryeadministratorit, Michael Steiner dhe tha se “nuk beson se tashmë janë arritur standardet”. Zëdhënësi i Departamentit amerikan mëtutje tha se “duhet të bëhet edhe shumë punë në kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur, në arritjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për minoritete, në luftimin e krimit të organizuar dhe në efektivitetin e vetëqeverisjes”.
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.