Intervistë me Kim Mehmetin, analist nga Shkupi
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mehmeti, nisur nga 100 ditët e para të qeverisë në të cilën tani merr pjesë një parti e dalë nga lufta, a mund të thuhet se ka ndryshuar strategjia politike e veprimit të partive shqiptare në Maqedoni?
KIM MEHMETI
Menjëherë dëshiroj të distancohem nga ata që rëndomë kritikojnë pa ditur, nga bindja se ata nuk janë treguar të kujdesshëm ndaj tyre, si dhe nga ata që në të kaluarën heshtnin dhe sot nxitojnë të bëhen analistë kritikë të bindur se të shash politikanët qenka një vlerë e lartë intelektuale. Pra nga pozicioni i njeriut që ua do të mirën partive dhe shtetit në të cilin ne jetojmë, mund të them se PPD-ja e filloi, PDSH-ja e përsosi dhe BDI-ja ka gjasa ta vulgarizojë deri në përmasa perverse veprimin politik sipas principit komunist nëpërmjet komisarëve partiakë. Çfarë dua të them? Shkurt kjo do të thotë që profesionalizmin ta vesh në shërbim të meritave partiake. Është nder të kesh ndihmuar UÇK-në në çastet vendimtare, por kjo ende nuk do të thotë se si mjek psh. mund të vendosësh për shkollën e baletit, ose të bësh balerin një kirurg. Dua të them se BDI-ja ka detyrim moral dhe njerëzor të kujdeset, t’i nderojë dhe t’i punësojë të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, por nëse duam të arrijmë sukseset duhet të kuptojmë se kurrë njeriut nuk mund t’i takojë edhe nderi edhe përfitimi personal. Pse e theksoj këtë? Sepse ky është sindromi, nga i cili nuk u çlirua asnjë parti shqiptare dhe këtë sindrom ne do ta paguajmë shtrenjtë dhe kot do ta kemi të ankohemi se të tjerët do na japin këtë apo atë gjë.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thoshit për politikën e Lidhjes Social-Demokrate, a ka ndryshuar ajo diçka në strategjinë e veprimit?
KIM MEHMETI
Këto ditë e kam përsëritur shumë shpesh se Xhaferri e kishte shumë të lehtë me diletantët politikë të VMRO-DPMNE-së, kurse Ali Ahmeti do ta ketë shumë të vështirë me “Luanët” e Gligorovit, të cilët shumë gjëra nuk i dinë, por kanë përsosur një gjë: ata e dinë se kërkesat partiake, radikalizmi shqiptar shfryhet, sapo të ulet në kolltukun e butë dhe sapo të bëhet zëvendësdrejtor. Unë e kuptoj pse ndodh kështu, pasi shqiptarët nuk kanë patur mundësi të afirmohen në mënyrë të natyrshme, pse të gjithë ne jemi të papunë, mirëpo duhet që të distancojmë vendet ku mund të shkohet kështu dhe vendet ku duhet të realizohen gjëra që janë më të rëndësishme sesa zgjidhja e problemit të punësimit. Partitë tona duhet të çlirohen nga sindromi, ato nuk janë ente për punësim. Unë mund t’jua ilustroj këtë vetëm nëpërmjet shembujve konkretë. Maqedonët kanë angazhuar një armatë njerëzish që kanë për detyrë ngadalësimin e realizimit të marrëveshjes së Ohrit, apo blerjes së kohës, por ata nuk na e kanë fajin që ekspertët tanë partiakë nuk dinë t’u përgjigjen as marrëzirave të tipit të asaj që tha një profesor, ish-ministër i mbrojtjes, Dr. Vlado Popovski, se “moskuptimet rreth përdorimit të gjuhës shqipe dalin nga ajo se në marrëveshjen e Ohrit thuhet se shqiptarët paskan të drejtë t’i drejtohen parlamentit në gjuhën e vet e në rregulloren parlamentare shkruhet se ata mund të flasin shqip”, apo atë që tha para disa ditëve profesor Frçkovski se “marrëveshja e Ohrit parasheh pjesëmarrje të drejtpërdrejtë dhe jo proporcionale të shqiptarëve”, dhe askush nuk i shtroi atij asnjë pyetje. Çdo të thotë pjesëmarrje e drejtë 1%, 2%, 100 % , apo aq sa ka? Sepse unë e them publikisht se maqedonasit nuk kanë aq ekspertë, nuk kanë aq intelektualë sa janë prezentë nëpër institucione. Unë e them publikisht se ata nuk kanë as vetë intelektualë në atë që unë nënkuptoj si intelektual, por që i gjej çdokund. E nëse parimi vlen, vlen për të gjithë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mehmeti si e shpjegoni vonesën e miratimit të planit aksional në kohën kur të dy partnerët e koalicionit disa herë janë zotuar për implementimin e marrëveshjes kornizë?
KIM MEHMETI
Unë e thashë edhe pak më parë. Unë i njoh rreshtat e Lidhjes Social-demokrate edhe e pranoj se ata janë mjeshtra për të blerë kohë. Mirëpo ka diçka që shkon në favor të BDI-së. Ajo është e vërtetë se Branko Cërvenkovski nuk do të lejojë as vetë të shkatërrojë një partner partiak shqiptar siç bëri me PPD-në. Ai e di se BDI-ja do t’i humbë shqiptarët njëlloj si PPD-ja dhe PDSh-ja, nëse nuk realizohet asgjë. Por mendoj se ai gabon në diçka. Ai blen kohë dhe mendon se shumë gjëra mund të realizohen para zgjedhjeve lokale dhe para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Atij siç duket askush nuk i ka treguar se shqiptarët e sotshëm nuk janë ata të para 12 viteve, se votuesit e ardhshëm janë ata që në vitin 1990 kanë qenë 10 vjeç dhe nuk vuajnë nga sindromi i dëgjueshmërisë partiake. Këtu mund të dështojë politika e LSDM-së dhe BDI-së dhe kjo lojë mund t’i kushtojë shtrenjtë edhe Maqedonisë, pasi unë mendoj se LSDM-ja nuk do të lëshojë pe dhe do të luajë me partnerin e vet shqiptar deri në momentin e fundit. Strategjia politike e Brankos ndaj kërkesave shqiptare është kjo: “mos ja jep sot atë që nuk e ke të domosdoshme, prite ditën kur do të mbështetet për muri”. Mirëpo ajo strategji e çoi Maqedoninë aty ku erdhi në 2001 dhe është shumë e rrezikshme.
Intervistoi Vullnet POSHKA.