Ndërlidhjet

KONVENTA E GJENEVËS: ENDE E VLEFSHME?


Breffni O'Rourke, Radio Evropa e Lirë Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfled para disa ditësh e vlerësoi si propagandë dhe shkelje të konventës së Gjenevës paraqitjen në televizionin e Irakut të pamjeve të 5 ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, për të cilët është thënë se janë zënë në Irakun Verior. Në programet e lajmeve në Shtetet e Bashkuara, poashtu, janë paraqitur pjesëtarë të trupave të Irakut të dorëzuar dhe të zënë. Konventa e Gjenevës i rregullon çështjet e trajtimit të të burgosurve të luftës tash e më se 50 vjet. Kjo konventë paraqet një standard ndërkombëtar sipas të cilit vlerësohet humaniteti i palëve pjesëmarrëse në konflikte të armatosura.

Paraqitja publike në televizion e pesë ushtarëve të zënë dhe e së paku tetë kufomave të ushtarëve amerikanë duket se është shkelje e nenit 13 të Konventës së Tretë të Gjenevës që merret me trajtimin e të burgosurve të luftës. Në këtë nen shkruan se gjithë kohën të burgosurit e luftës duhet të mbrohen, pos tjerash, edhe nga ”fyerja dhe kureshtja publike”.

Adam Townsend është analist në Qendrën evropiane për reforma me seli në Londër. Ai thekson ndryshimet që kanë ndodhur prej vitit 1494, kur është miratuar konventa e Gjenevës:

- Kur konventa e Gjenevës ishte shkruar, ideja e televizionit real nuk ishte në mendjen e përpiluesve dhe të politikanëve që kishin bërë negociata për këtë tekst. Prandaj është vështirë të thuhet se a do të duhej të tregonim më tepër elasticitet në interpretimin e neneve të Konventës së Gjenevës apo jo, - thotë analisti Townsend.

Grupi ndërkombëtar për të drejta, Amnesty International me seli në Londër, ka kërkuar nga Iraku që të mos i keqtrajtoj të burgosurit e luftës dhe fton mediat që të respektojnë dinjitetin e të zënëve nga të dy palët në luftë.

Kryeministri britanik, Tony Blair me një ton më dramatik tha se pamjet e ushtarëve amerikanë të transmetuara në televizionin e Irakut tregojnë se përse lideri Saddam Hussein duhet të përmbyset.

Ambasadori i Irakut në Kombet e Bashkuara, Mohammed al-Douri tha se Bagdadi do ta respektoj konventën:

- Ne po respektojmë të drejtën dërkombëtare humanitare dhe ne do të respektojmë Konventën e Gjenevës...dhe ne do të respektojmë të gjithë të burgosurit e luftës dhe do ti trajtojmë ata sipas kësaj konvente, - tha Mohammed al – Douri.

Pamje të pjesëtarëve të trupave të Irakut të zënë dhe të dorëzuar, që janë xhiruar nga reporterët perëndimor, që u janë bashkuar forcave të Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë, poashtu ishin paraqitur në ekranet e ndryshe televizive. Duket se çështja se a paraqesin këto pamje të përgjithësuara shkelje apo jo të Konventës së Gjenevës, do të varet nga vlerësimet se në ç'masë ato nxisin ”kureshtje publike” karshi secilit individ të veçantë.

Lidhur me rolin aktual të Konventës së Gjenevës në këtë botë që po ndryshon, analisti Adam Townsend thotë:

- Parimet themelore të Konventës së Gjenevës ishin ndërtuar mbi informatat lidhur me mijëra vite të luftërave. Prandaj mendoj se vetëm disa njerëz do të ishin të gatshëm të kudërshtonin se mbrojtjet themelore që përmban Konventa e Gjenevës do të duhej të eliminoheshin ose të ndërrroheshin, - thotë analisti Adam Townsend
XS
SM
MD
LG