Ndërlidhjet

RREZIQET E REJA NË GODITJEN E FUNDIT


NEW YORK TIMES

Me afrimin e trupave amerikane në rrethinat e Bagdadit, shumë njerëzve iu krijua përshtypja se lufta mbaroi. Por nëse ditëve të kaluara u veprua shpejtë, luftimet e trupave të koalicionit në ditët e ardhshme do të bazohen në një metodë të re luftimi për një zonë tepër të kufizuar - rrugët e kryeqytetit.
Goditjet vetëtimë në brendi të Irakut sollën rreth 20.000 ushtarë dhe marinsa amerikanë në portat e kryeqytetit prej 4.5 milion banorësh, i cili akoma mendohet se mbrohet prej 15.000 deri 20.000 forcave speciale të Gardës Republikane dhe të trupave të sigurisë. Sipas komandantëve amerikanë lufta po rrjedh mirë, por luftimet brenda kryeqytetit, gjithmonë janë cilësuar si pjesa më e vështirë operacioneve ushtarake. Për këtë arsye ata po zhvillojnë strategji të reja luftimi. Njëra prej tyre mendohet ta përfshijë vërsuljen e ashpër për rrethimin e një pjese të qytetit, pengimin e veprimeve të irakienëve, dhe kthimin e saj në një bazë për operacionet e ardhshme amerikane në kryeqytet. Strategjia tjetër mund të përfshijë angazhimin e autoblindave për të sulmuar objektet kyçe, ose përdorimin e këmbësorisë së shpejtë për të rrethuar qëndrat komanduese të qeverisë.
"Duhet të bëjmë ndryshime në taktikë dhe teknikë, " është shprehur sot një zyrtar amerikan.
Amerikanët do të përpiqen të shfrytëzojnë maksimalisht aviacionin e tyre për të kryer bombardime me bomba të dirigjuara, por në zonat e banuara, komandantët amerikanë do të jenë tepër të kujdesshëm në zgjedhjen e caqeve të bombardimit.
Nga ana e tyre irakenët do të pëpiqen ta pengojnë avantazhin amerikan duke përdorur artilerinë kundërajrore, e cila gjithashtu paraqet kërcënim për operacionet me helikopterë, të nevojshme për futjen e trupave amerikane në Bagdad.
Suksesi i vërsuljeve apo i bombardimeve varet edhe nga të dhënat e sakta rreth vendosjes së qeverisë, e cila ka një përvojë të gjatë në mashtrime dhe në sundimin autoritar.
Lufta në zonat e banuara është faza më e pasigurtë, por edhe ajo e ka përfundimin e qartë.
Amerikanët shpresojnë se goditjet në periferi të qytetit dhe në brendi të tij, të shoqëruara me bombardime nga ajri, do ta trondisin kaq shumë qeverinë e Irakut, sa ajo të rrëzohet vetë.
Por përvoja e gjertanishme e aleatëve në qytetet e jugut të Irakut, tregon se, deri sa të mos arrijnë trupat amerikane, shumica e qytetarëve të Bagdadit do të ngurrojnë t'i kundërvihen qeverisë së tyre.
Aparati i sigurisë i Saddam Husseinit vazhdon të ketë nën kontroll kryeqytetin, dhe ditët e fundit ka ndërmarrë hapa për të shpërndarë mesazhin në vend se kontrolli vazhdon të ruhet. Për këtë qëllim u shfrytëzua edhe paraqitja e Saddam Husseinit në televizionin iraken.
Trupat amerikane ndërkohë i kanë ngritur kampet në rrethinat jugore të Bagdadit, forca e ushtrisë është e vendosur në aeroportin kryesor, kurse marinsat gjenden në rrethinat juglindore. Por të gjithë së bashku kapin shifrën e 20.000 ushtarëve.
Amerikanët shpresojnë që t'i evitojnë luftimet shtëpi më shtëpi. Por gjithashtu planifikojnë edhe taktika të reja, përfshirë autoblindat për sulmin e post-komandave në qendër të Bagdadit, vërsuljet e shpejta me këmbësorinë e lehtë, dhe manovrat për të pushtuar pikat kyçe të kryeqytetit.
Bagdadi duket se do të jetë qëndresa e fundit e Saddam Husseinit, kurse beteja për të, momenti vendimtar për luftën e trupave të koalicionit.
XS
SM
MD
LG