Ndërlidhjet

UASHINGTONI SË SHPEJTI DO TA BËJË PUBLIK PLANIN PËR PAQE NË LINDJEN E MESME


JEFFREY DONOVAN

Derisa lufta në Irak është nga fundi, diplomacia amerikane sikur dëshiron t'i japë edhe një shtytje paqës ndërmjet Izreelit dhe Palestinezëve. Por, sipas të gjitha gjasave, arritja e paqes arabo-izraelite mund të tregohet shumë më e vështirë se sa përmbysja e liderit të Irakut Saddam Hussein.
Uashingtoni, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Rusinë, e kanë hartuar një plan të ri, i cili pritet të bëhet publik sapo palestinezët ta konfirmojnë kabinetin e tyre të ri. Plani parasheh disa hapa nga të dyja palët, dhe do të kulminojë me shtetësinë e plotë të palestinezëve në vitin 2005.
Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell ka deklaruar: "Ky do të jetë një proces i vështirë, por besoj se progresi mund të arrihet nëse të dyja palët e shohin planin me mirëkuptim për nevojat e palës tjetër".
Analistët thonë se plani i ri mund ta shënojë fillimin e një epoke të re në Lindjen e Mesme. Nathan Brown është ekspert për çështjet e Lindjes së Mesme, nga Universiteti George Washington.
"Mund të jemi në prag të një procesi të ri, apo të vazhdimit të procesit paqësor, të pezulluar para dy vitesh. Por, edhe shumë gjëra duhet ndodhur para se procesi vërtetë të fillojë", thotë Brown.
Megjithate, ende pa u shpallur, plani has në pengesa. Lideri palestinez Yasser Arafat, para ca ditësh e refuzoi listën e ministrave reformatorë të propozuar nga kryeministri i emërtuar Mahmoud Abbas, i cili u përpoq ta sigurojë kontrollin ndaj ministrisë së brendshme. Sipas planit, ministria e brendshme është ajo, e cila duhet t'i shtypë militantët palestinezë. Ndërkaq zyrtarët amerikanë shpresojnë se Abbas do ta margjinalizojë Arafatin dhe ta ringjallë udhëheqësinë e palestinezëve.
Ariel Cohen, nga Fondacioni Heritage në Uashington, thotë: "Jam i prirur të besoj se organizatat si Xhihadi Islamik, Hamasi apo të ngjashmet, janë të bindura se lufta e armatosur është mënyra e vetme, kurse shkatërrimi i Izraelit mbetet qëllimi i tyre përfundimtar. Derisa të jetë kështu, nuk besoj se procesi paqësor do të ketë sukses".
Megjithate, sekretari i shtetit Powell tha se plani do të bëhet publik së shpejti, dhe pa kurrfarë ndryshime.
Nathan Brown nga Universiteti George Washington, thotë se pesimizmi zakonisht del kur është fjala për Lindjen e Mesme: "Ka shumë kritika që mund t'i bëhen planit, si nga palestinezët, ashtu edhe nga Izraeli. Por, aktualisht, kjo është ideja e vetme që premton, dhe ka gjasa të funksionojë si asnjë tjetër" thotë Brown.
Ai thotë se administrata, ende i ka të freskëta kundërthëniet rreth luftës në Irak, andaj tani dëshiron të bëjë një përpjekje të re për paqen në Lindjen e Mesme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG