Ndërlidhjet

T. MERON: " GJYKATA E HAGËS NDËRPREU TRADITËN E MOSNDËSHKIMEVE PËR KRIMET MË TË RËNDA KUNDËR NJERËZIMIT"


Theodor Meron, Kryetar i Gjykatës së Hagës

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni punën e Tribunalit ndërkombëtar për Krimet e Luftës në dhjetëvjetorin e formimit të tij?

THEODOR MERON
Siç e dini rezoluta 827 e Këshillit të Sigurimit ka mundësuar përndjekjen nga ana e Tribunalit tonë të personave përgjegjës për shkelje të rënda të të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë që nga viti 1991. E filluam ndoshta ngadalë, nganjëherë edhe dhimbshëm, por me kalimin e kohës fituam besim dhe efikasitet. Një nga arritjet më të mëdha deri tani ka qenë sjellja para drejtësisë një numri të konsiderueshëm të të akuzuarve të rangut më të lartë si për shembull procesi gjyqësor presidencial që po zhvillohet ndaj Sllobodan Millosheviçit. Rezoluta foli për përndjekjen e krimeve të kryera në ish-Jugosllavi dhe krimet për të cilat po flasim janë vërtet të tmerrshme. Bëhet fjalë për krime që kanë shkatërruar 100 000 jetë njerëzish, vrasje, dhunime, shpërngulje, tortura, shkatërrim, mizori e pabesueshme. Nëse do të kthehesha pak në histori do të përmendja një shprehje që e ka përdorur Prokurori i përgjithshëm i Gjyqit të Nurembergut Robert Xhekson. Duke përshkruar Nurembergun ai tha se detyra e tyre ishte që me durim dhe në mënyrë të kujdesshme dhe delikate t'i nxjerrim në dritë krimet. Në rastin tonë nuk flitet për krimet e nazizmit por për krimet që plagosën Ballkanin në vitet 90.
Tribunali jonë ka bërë maksimumin që t'u japë viktimave një shans që të paktën të shikojnë vuajtjet e tyre të rregjistruara, dhe në një masë sado të vogël hakun e tyre të marrë. Kemi dhënë një mesazh të fortë që vetëm përmes drejtësisë të gjithë njerëzit e ish-Jugosllavisë mund të arrijnë ripajtimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie të përparuar. Mendoj se në krahasim me pritjet modeste të shprehura në fillim, kemi patur arritje të mëdha. Tani kemi një Gjykatë profesionale, të paanshme, efektive që kryen deri 6 procese në ditë, në tre dhoma gjyqësore me 2 turne. Mendoj se kjo është një dëshmi e aftësisë së komunitetit ndërkombëtar që të transformojë nocionin e dhënies së llogarisë nga një koncept moral, apo gati retorik, në një realitet konkret. Pra mendoj se kemi mjaft gjëra për të cilat mund të jemi mirënjohës.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka tribunali me praktikën e tij ndikim në të drejtën ndërkombëtare?

THEODOR MERON
Më vjen mirë që më pyesni për këtë. Për mua, si një jurist i ndërkombëtares, i cili ka ardhur nga akademia që të bëhet gjyqtar penal, tani edhe kryetar i kësaj Gjykate, gjëja më e rëndësishme që dua ta theksoj është kjo: edhe pse Tribunali është formuar që të merret me ish-Jugosllavinë dhe popujt e saj, ai ka domethënie më të gjerë. Ky tribunal është përpjekja e parë, gjysmë shekulli pas Nurembergut, që duke vendosur një sistem efikas të së drejtës ndërkombëtare penale, të ndërpritet tradita e mosndëshkimit për krime masive. Ky është gjithashtu kontribut historik i një eksperimenti të rëndësishëm të vendosjes së bashkëpunimit ndërkombëtar nëpërmjet një institucioni të përbashkët të së drejtës. Në këtë ndërtesë gjenden në punë të përbashkët, gjyqtarët dhe nëpunësit e tjerë të gjykatës që vijnë nga vende, kultura dhe trashëgimi juridike të ndryshme. Këtu janë kolegët e mi nga Egjipti, Franca, një tjetër vjen nga Australia, tjetri nga Korea, kështu që ky është një eksperiment, i cili na mundëson që në atmosferë shumë bashkëpunuese dhe kolegiale të vendosim parimet themelore të përgjegjësisë ndërkombëtare. Këtu vendosim themelet njohurive të reja juridike, të cilat i japin fuqi të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare penale. Me siguri se për këtë sukses askush nuk ka shpresuar, kur kjo gjykatë u formua me rezolutën e Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit po flitet për "strategjinë e përfundimit të mandatit" të Tribunalit. Cilat janë detyrat e tjera para jush?

THEODOR MERON
Para nesh kanë mbetur akoma detyra të rëndësishme. Në këtë çast po bëjmë gjithshka që t'i shpejtojmë gjykimet, në mënyrë që punën tonë ta bëjmë më efikase në të njëjtën kohë duke pasur parasysh që ky efikasitet të jetë në pajtim me të gjitha kërkesat e drejtësisë. Edhe më tutje na brengos, sidomos mua personalisht, që shumë nga kriminelët e akuzuar para këtij gjyqi, gjenden akoma në arrati. Akoma të paarritshëm për drejtësinë janë njerëzit e "kalibrit kriminel" Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç. Personalisht jam ithtar i strategjisë së përfundimit efikas të mandatit të Tribunalit, por pa i sjellë individët si Karaxhiç dhe Mlladiç para drejtësisë, misioni ynë nuk mund të jetë i përmbushur. Pra, duhet t'i dyfishojmë përpjekjet tona e bashkësia ndërkombëtare në këtë duhet të jetë edhe më këmbëngulëse, në mënyrë që edhe këta individë të përballen me të drejtën dhe drejtësinë.

Intervistoi Mensur Čamo
XS
SM
MD
LG