Ndërlidhjet

XH. HALITI: INSTITUCIONET KOSOVARE DUHET TË KENË QËNDRIM DHE PËRGJEGJËSI TË PËRBASHKËT PËR BISEDIMET ME BEOGRADIN


Zijadin Gashi

Deputeti Xhavit Haliti ka thënë se janë mëse të vërteta pohimet se pjesëmarrja e delegacionit kosovar në kuadër të atij të UNMIK-ut në Samitin e Selanikut, është kushtëzuar me fillimin e dialogut me Beogradin.
"Steiner dhe mekanizmat ndërkombëtarë janë prononcuar dhe kanë deklaruar që delegacioni kosovar në Selanik, mund të shkojë në qoftë se është i gatshëm që të takohet me udhëheqësit e Serbisë," ka thënë deputeti Haliti për të shtuar në vazhdim se dialogu me Beogradin është diçka normale dhe mund të zhvillohet, por me pëlqimin paraprak të kuvendit të Kosovës dhe nëse ai do të zhvillohet me udhëheqjen e Unionit Serbi- Mali i Zi.
" Çdo përpjekje individuale e cilitdo përfaqësues të institucioneve kryesore pa kaluar përmes procedurës parlamentare do të ishte gabim. Do të ishte gabim të shkohet vetëm me kompozicionin e delegacionit të UNMIK-ut, dhe të thuhet pastaj për mediat që e kemi përfaqësuar Kosovën", tha zoti Haliti.
Me tej ai kritikoi qëndimin aktual të disa udhëheqësve kosovarë për mungesën e qëndrimeve unike rreth interesave të caktuara dhe kërkoi që institucionet të marrin bashkëpërgjegjësi për proceset me të cilat do të ballafaqohet Kosova, sidomos tani në kohën e bisedimeve të paralajmëruara me Beogradin dhe në kohën kur Kosova sipas tij duhet ta definojë rrugën e vet drejt integrimeve evropiane.
" Ne na duhet një proces, një proçedurë e rregullt, një kohë e caktuar, një analizë e përbashkët dhe një qëndrim i përbashkët, që të kalojmë e të marrim përgjegjësitë bashkë. Sepse kur themi se po integrohemi në Evropë, apo pretendojmë të integrohemi në NATO, apo pretendojmë ta bëjmë Kosovën pjesë të Evropës, me nacionalizëm "primitiv" dhe me pretendime egoiste vetëm të një ane nuk mund të shkojmë në Evropë", thotë zoti Haliti.
Ndërkohë grupi parlametar i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka numrin e dytë më të madh të deputetëve në kuvend, do të mblidhet nesër për t'i shtruar kërkesën kuvendit, që në seancën plenare të së premtes të hyjë dhe shqyrtimi i nismës për bisedime me Beogradin. Deputetët nga kjo parti duke arsyetuar këtë vendim, thonë se PDK-ja me vetë faktin se bashkëudhëheq në qeverinë e Kosovës që do të mbajë barrën e bisedimeve, do të kërkojë një konsesus politik nga subjektet e tjera para se të fillojnë bisedimet. Deputetët e partive të tjera nuk janë prononcuar, ndërsa lidhur me Samitin e Selanikut, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë, deputeti Sabri Hamiti, u ka dërguar një letër zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian, në të cilën kërkohet nga BE-ja që Kosova të marrë pjesë në Samitin e Selanikut si entitet i veçantë në kuadër të procesit për Asociim-Stabilizim.
XS
SM
MD
LG