Ndërlidhjet

"KTHIMI" LARGOHET NGA SEANCA PARLAMENTARE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Koalicioni i serbëve të Kosovës “Kthimi” e ka lëshuar sot seancën plenare të Kuvendit, pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, nuk e ka përfillur kërkesën e shefit të grupit të tyre të deputetëve, Dragisha Kërstoviç, që Kuvendi të mbajë një minutë heshtje në shenjë nderimi për tre serbët e vrarë në komunën e Obiliqit, respektivisht Kastriotit. Duke iu përgjigjur kësaj kërkese, kryparlamentari Daci tha se ai dhe Kuvendi i bashkohen dënimit të këtij krimi, dhe shtoi se në Kosovë kanë ndodhur shumë krime të tmerrshme, mirëpo Kuvendi ka një qëndrim se në cilat raste mbanë një minutë heshtje:
“Unë besoj që seanca plenare i bashkangjitet gjykimit të rastit, atë që edhe Dragisha e tha dhe i ftojmë qytetarët e Kosovës që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë dhe të ndjekjes. Nuk është se i mungon Parlamentit, as kultura e as niveli i përgjegjësive, por juve ju kujtohet që ne kemi marrë një qëndrim që Parlamenti do të mbanë një minut heshtje në rastet e institucioneve ose në rastet që janë vërtetë të asaj natyre”, pohoi Daci.
Në anën tjetër, shefi i deputetëve të “Kthimit”, Kërstoviç ishte këmbëngulës, në kërkesën e tij:
“Kërkojmë përgjegjësi për këtë krim dhe për të gjitha krimet e tjera të kryera kundër serbëve dhe pas të gjitha këtyre, do të ishte normale që dikush dhe të japë dorëheqje, madje edhe nëse kjo nënkupton një akt moral”, ka thënë deputeti Kërstoviç. Ai kërkoi përgjegjësi posaçërisht nga kryetari dhe kryeministri i Kosovës, pastaj komisari i policisë dhe liderët partiakë.
"Nëse personat që kryen këtë krim nuk kapen, atëherë kjo është dhe një shenjë se e ardhmja e serbëve në Kosovë është e zezë dhe kurrëfare", pohoi Kërstoviç, para se edhe deputetët tjerë serbë ta lëshojnë sallën e Kuvendit. Braktisja e seancës u tha se nënkupton vetëm mbledhjen e sotme.
Më pas seanca plenare ka vazhduar, por para se të fillohet me rendin e ditës, deputeti Arsim Bajrami, ushtrues detyre i shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që Kuvendi të hapë debat rreth përfaqësimit të Kosovës në Samitin e Selanikut dhe rreth bisedimeve të paralajmëruara me Beogradin. Në emër të deputetëve të PDK-së ai e ftoi delegacionin vendor kosovar, i cili do të përfaqësojë Kosovën në Selanik që paraprakisht të paraqesë para Kuvendit të Kosovës qëndrimin e vet dhe si rezultat i këtij debati të dalë një konsensus i brendshëm apo platformë politike.
“Mendoj se çdo bisedë që ka të bëjë me çështjet e Kosovës në raport me shtetet tjera, është çështje për të cilën duhet të diskutojë Kuvendi i Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka të drejtë, pasi nuk është vetëm organ ligjvënës, është edhe organi më i lartë politik, organ që diskuton edhe çështje politike dhe kërkoj që në këtë apo në mbledhjen e ardhshme, të hapet debati për përfaqësimin e interesave të Kosovës në këtë takim”, ka thënë deputeti Arsim Bajrami. Ndërsa kryeparlamentari Daci duke iu përgjigjur kërkesës së tij, tha se me vetë faktin se kërkesa e PDK-së parasheh mundësinë që ky debat të shtrohet javën tjetër, ky propozim do të kalojë përmes kryesisë sipas procedurës së rregullt.
Ndërkohë, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Alush Gashi, tha se në Selanik me gjasë nuk do të ketë bisedime me Beogradin, por do të ndodhë vetëm një takim formal, prandaj tha ai, nuk e shoh të arsyeshme nevojën e një platforme politike për këtë çështje.
“Nuk ma merr mendja që mund të ketë bisedime, sepse për bisedimime nevojitet përgatitja e një rendi dite, përgatitja e materialeve dhe natyrisht, pak a shumë, të dihet se çfarë do të sjellë ai takim. Prandaj, s’ma merr mendja se është e nevojshme që kjo të ngritet në nivel më të lartë, përveçse një takim rasti për shikimin e mundësisë së fillimit të çështjeve, të cilat do të zgjidhen më së miri me statusin final”, ka thënë deputeti Gashi.
Ligjvënësit kosovarë e kanë vazhduar pjesën tjetër të punës me shqyrtimin e parë të ligjit për ambientin dhe të atij për skemën e ndihmës sociale.
XS
SM
MD
LG