Ndërlidhjet

ENDE NUK JANË ZBULUAR AUTORËT E VRASJES NË KASTRIOT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Tre anëtarët e familjes Stoliq nga Obiliqi kanë vdekur si pasojë e rrahjes dhe jo e zjarrit që më pas i ishte vënë shtëpisë së tyre, kanë thënë zyrtarë të policisë ndërkombëtare në Prishtinë, duke kumtuar rezultatet e autopsisë që një ekip ekspertësh të mjekësisë ligjore të UNMIK-ut kanë bërë në kufomat e tri viktimave. Tre anëtarët e familjes Stoliq qenë vrarë natën ndërmjet të martës e të mërkurës në shtëpinë e tyre, të cilës më pas i ishte vënë flaka.
Zëdhënësi i policisë ndërkombëtare, Derek Cahepll tha se autopsia ishte kryer sot paradite dhe është përcaktuar shkaku i vdekjes:
“Viktimat kishin pësuar rrahje të shumta para se të vdisnin dhe vdekja ka qenë rezultat i rrahjes dhe jo i zjarrit", tha zëdhënësi Derek Chapell, duke shtuar se policia ka formuar të ashtuquajturën dhomë e incidentit, ku një njësit i policisë po punon ekskluzivisht lidhur me këtë rast.
Ndërkohë, mjeku serb Slavisha Dobriçanin, i cili ka marrë pjesë në autopsinë e viktimave bashkë me ekipin e UNMIK-ut, ka deklaruar se vrasja e tre anëtarëve të familjes Stoliq është shkaktuar me mjete të forta, sigurisht me shufra metalike, ndërkohë që në trupat e viktimave nuk ka gjurmë të therjes me thikë apo të veprimit të armëve të zjarrit.
Një zëdhënës i UNMIK-ut Andrea Angeli, tha se sot është gjetur edhe vetura që i ishte vjedhur kësaj familjeje natën kur kishte ndodhur krimi:
“Aktualisht e dimë se vetura është gjetur e djegur diku në afërsi të Obiliqit, në një zonë rurale", tha Andrea Angeli.
Ndërkohë, policia ka shpallur një shpërblim prej 50 mijë eurosh për ata që japin informacione lidhur me autorët e kësaj vrasjeje të trefishtë, por ende nuk ka rezultate konkrete:
“Ende nuk ka pasur ndonjë të arrestuar duke pasur parasysh se rasti ka ndodhur tani vonë dhe po punohet intensivisht në dhomën e incidentit sigurisht deri nesër në mëngjes", tha Chapell, sipas të cilit në këtë zyrë janë përfshirë edhe përfaqësues të komunitetit serb dhe atij shqiptar nga Kastrioti.
Ndërkohë, sot kur është kryer edhe ceremonia e varrimit të viktimave, zyra e kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe ajo e kryeministrit Bajram Rexhepi, kanë njoftuar se dita e sotme është shpallur ditë zie në shenjë nderimi për familjen Stoliq dhe kanë kërkuar që autorët e këtij akti të tmerrshëm dhe barbar të sillen para drejtësisë, thuhet në deklaratë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG