Ndërlidhjet

H.KUÇI: PDK MBËSHTET BISEDIMET ME BEOGRADIN VETËM NËSE ATO MARRIN PËRKRAHJEN E KUVENDIT


Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të hapet një debat parlamentar rreth bisedimeve të paralajmëruara me vendet fqinje, përfshirë këtu dhe Beogradin. Cila ka qenë arsyeja për një kërkesë të tillë?

HAJREDIN KUÇI
Në radhë të parë mendoj se kërkesa është tërësisht e ligjshme dhe po ashtu legale, pasi dihet se për çështjet me rëndësi për Kosovën duhet të merren vendime, dhe organi më i lartë politik dhe vendimarrës në Kosovë është Kuvendi i Kosovës. Arsyeja kryesore ka qenë në radhë të parë se disa herë po tentohet, kur flitet për Kosovën dhe rreth Kosovës, të anashkalohet organi më legjitim i saj. Në anën tjetër mendoj se çështja e fillimit apo mos-fillimit të negociatava, por edhe vetë çështja e mënyrës së atyre negociatave dhe bisedimeve, duhet të jetë mbi bazën e një platforme dhe i vetmi organ kompetent sot për sot, në të cilin mund të vendoset kjo platformë është Kuvendi i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni atëherë se në Parlamentin e Kosovës mund të arrihet një konsensus i brendshëm politik dhe një platformë, para se këto bisedime të fillojnë?

HAJREDIN KUÇI
Në radhë të parë mendoj se forcat politike shqiptare që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, të gjitha pa përjashtim, në vetë fushatën elektorale, por edhe në programet e tyre politike të ofruara para qytetarëve, kanë ngjashmëri të mëdha sa i përket statusit juridik dhe politik të Kosovës. Mbi bazën e kësaj nënkuptohet se ato e kanë obligimin për realizimin e kësaj strategjie dhe njëkohësisht mendoj që janë edhe pika takuese. Nuk mendoj se do të kemi konsensus të plotë, por për çështjet e mëdha dhe thelbësore siç janë ato për Kosovën, unë jam i bindur që ka, apo së paku duhet të ketë. Nuk kemi asnjë arsye që duke iu frikësuar faktit se nuk kemi konsensus, nuk duhet të debatojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju si grup parlamentar a do ta mbështetni fillimin eventual të një dialogu nëse partitë tjera në Kuvend nuk e mbështesin nismën tuaj?

HAJREDIN KUÇI
Po ne në radhë të parë, do t’i ofrojmë argumentet tona pro ose kundër dialogut, si dhe lidhur me vendimet tjera që duhet të ndërmarrin përfaqësuesit e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Por, çështja kryesore dhe më me rëndësi është se ne nuk këmbëngulim që të mbivotojmë dikënd, por qëllimi ynë është që të debatohet dhe në fund të votohet për një çështje të tillë. Ne do të respektojmë atë që do të votohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Është folur gjithashtu se bisedimet do t’i udhëheqë Qeveria e Kosovës. Dihet se në krye të Qeverisë është një anëtar i Partisë Demokratike. Në këtë rast, sa do t’i japë mbështetje Partia Demokratike kryeministrit në bisedimet eventuale në Selanik, ose në takimet eventuale me përfaqësuesit serbë?

HAJREDIN KUÇI
Kërkesa e grupit tonë parlamentar është në vijën politike të Partisë Demokratike të Kosovës, pasi në mbledhjen tonë të Këshillit Drejtues, kemi kërkuar që të diskutohet në Kuvendin e Kosovës dhe se çdo formë e diskutimit nuk do ta ketë legjitimitetin dhe përkrahjen e PDK-së, nëse paraprakisht nuk ka kaluar përmes Kuvendit të Kosovës. Vetëm forcat, individët dhe përfaqësuesit që marrin këtë legjitimitet, do ta kenë përkrahjen tonë në përputhje dhe me mundësitë, por natyrisht dhe me legjitimitetin që u jepet nga institucionet. Çdo anashkalim i kësaj rruge mendoj që do të jetë i padobishëm për vetë institucionet, individët që do të marrin pjesë aty, por gjithsesi edhe jo i dobishëm për Kosovën. Çështja e statusit të Kosovës është çështja më e ndjeshme, për të cilën është munduar dhe angazhuar gjithmonë si potenciali politik, ashtu dhe ai ushtarak i Kosovës, dhe çështja e negociatave me Serbinë është çështja themelore nga e cila varet e kaluara, por sidomos e ardhmja e qytetarëve dhe e vendit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjithashtu është thënë se në takimet e para do të trajtohen dhe disa çështje teknike. Ju mendoni se aty do të trajtoheshin dhe çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës, siç e përmendët mësipër?

HAJREDIN KUÇI
Mendoj se është bërë një ndarje pak sa artificiale në: çështje teknike dhe çështje statusore. Ne mund të themi se çështja kryesore e absorbon çështjen dytësore, apo çështjet teknike, dhe nuk shoh ndonjë zgjidhje të mundshme të mirë për çështjet teknike, pa i zgjidhur çështjet kryesore. Ne e dimë se shpesh në botë, kur për çështjet kryesore shtetet kanë probleme të ndryshme, ato i ndërpresin marrëdhëniet edhe në nivelin teknik. Prandaj do të jetë absurde, por kjo kërkesë mbi të gjithat bazohet në thyerjen e atij refuzimit tonë për dialog dhe fillon përmes një çështje, si thuhet sa më pak e ndjeshme. Por sido që të jetë, fillimi i dialogut me Serbinë e ka simbolikën e vet. Nuk është e rëndësishme për çfarë flitet, por vetë simbolika e fillimit, ndërsa gjatë debateve, gjatë negociatave, do të shihet se kush për çfarë pozicione është.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG