Ndërlidhjet

BASHKIMI EVROPIAN PARAQITI STATEGJINË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR


Augustin Palokaj, Selanik

Liderët e shteteve të Bashkimit Evropian kanë shënuar sot një hap historik drejt bërjes së BE-së me një kushtetutë të saj, edhe pse janë dhënë disa vërejtje në projektkushtetutën evropiane të propozuar konventa, në krye të së cilës është ish-presidenti i Francës, Valery Giscard d'Estain. Megjithatë liderët e BE-së janë pajtuar që të vazhdojë edhe së paku për një muaj puna e konventës, ndërsa diku në vjeshtë të mbahet një konferencë ndërqeveritare, në të cilën do të pritej edhe miratimi i kushtetutës së parë evropiane, kushtetutë, e cila do të duhej të ishte në fuqi, para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në BE vitin e ardhshëm.
Kushtetuta Evropiane dhe e ardhmja e Evropës janë tema kryesore të këtij samiti dhe në të ardhmen e Evropës, Bashkimi Evropian dëshiron të shikojë edhe shtetet e Ballkanit. Për këtë arsye sot është diskutuar për Ballkanin ndërsa nesër mbahet edhe samiti i vendeve të BE-së me shtetet e Ballkanit. Sot gjatë samitit të Selanikut, Komisioneri i Jashtëm Evropian Christopher Patten, ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka paraqitur strategjinë për Ballkanin. Ai tha se procesi i Asociim-Stabilizimit i lançuar nga BE-ja për vendet e Ballkanit, duhet të kuptohet si rrugë drejt integrimit të plotë në BE dhe tha se procesi i bashkimit të Evropës nuk mund të konsiderohet i kompletuar pa e patur edhe Ballkanin në të.
Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve nga rajoni i Ballkanit, se kur, cili shtet, do të mund të llogarisë me anëtarësinë në BE, tha se kjo varet vetëm nga shtetet e rajonit dhe nga shpejtësia me të cilat ato i përmbushin të gjitha reformat. I pyetur se a është statusi i Kosovës pengesë për të vazhduar procesin e Asociim-Stabilizimit, komisioneri Patten tha se për Kosovën, pa marrë parasysh statusin, duhen gjetur metoda që të përfshihet në këtë proces. Ajo që duhet të bëjnë kosovarët është të plotësojnë standartet dhe ato duhet të jenë në përputhje me standartet evropiane. Pra kur ata të plotësojnë kushtet dhe standartet tona, të ndajnë vlerat e ngjashme që i kemi dhe ne, atëherë do të jenë të mirëseardhur në familjen evropiane, ka thënë Patten, duke nënvizuar se BE-ja po sheh se kosovarët e kanë kuptuar këtë me entuziazëm. Christopher Patten ka folur edhe për mjetet financiare që dëshiron të ndajë Bashkimi Evropian për të ndihmuar reformat në vendet e Ballkanit.
Ndërkohë për herë të parë në një samit të Bashkimit Evropian, ndonëse në cilësinë e mysafirëve të një vëzhguesi, pra të zotit Steiner, do të jenë edhe liderët kosovarë. Ata do të vijnë sonte në Selanik, ndërsa nesër do të jenë të pranishëm në samitin e shteteve të Ballkanit me ato të Bashkimit Evropian. Komisioneri Christopher Patten, i pyetur sot nëse pritet të ketë takim në mes të palës së shqiptarëve të Kosovës dhe zyrtarëve të Beogradit, tha se takime të tilla janë gjithmonë të rëndësishme dhe është mirë të bisedohet, sepse përmes bisedave gjithmonë arrihet një sukses më i madh. Christopher Patten madje mori dhe shembullin e Britanisë së Madhe e cila gjithmonë ka biseduar me Irlandën edhe pse kanë patur qëndrime të kundërta, por bisedimet kanë çuar deri tek zgjidhja e problemit.
Pa marrë parasysh të gjitha problemet e pazgjidhura, Ballkani duhet të dijë që ka një perspektivë evropiane dhe duhet më së shumti të punojnë në këtë drejtim dhe ta kenë mbështetjen tonë, ka thënë Christopher Patten, porosi kjo që do të konfirmohet nga të gjithë liderët e BE-së sot dhe nesër në takimin me liderët e Ballkanit.


XS
SM
MD
LG