Ndërlidhjet

NDËRROI JETË KORRESPONDENTI I RADIOS " ZËRI I AMERIKËS" SHEFKI MORINA


Nadie Ahmeti

"Shefki i dashur kështu mbyllet cikli i gazetarëve profesionistë nga prodhues dhe transmetues të lajmeve, në fund vetë bëhesh lajm i hidhur" - ishin këto fjalët e Nehat Islamit, gazetar, në mbledhjen komemorative të mbajtur më rastin e vdekjes së gazetarit Shefki Morina, korrespondent i radios" Zëri i Amerikës".
Nehat Islami tha se i ndjeri nuk ka kursyer kurrë kohën dhe energjinë për punën dhe kontributin e dhënë në gazetarinë kosovare, për të vazhduar: "Më përgatitjen tënde profesionale dhe besimin në profesionin e gazetarit të pavarur, ishe shembull i lakmueshëm i disa gjeneratave e veçanërisht për ato që po krijohen tani."
Besim Abazi, korrespondent i radios "Zëri i Amerikës" më dhembje të madhe flet për humbjen e kolegut të tij, duke thënë se gazetaria kosovare ka mbetur pa njerin nga gazetarët më të dalluar.
"Asgjë nuk kisha dashur në këtë botë veç mos të flas sot për Shefki Morinën. Ju jeni mësuar që ai të jetë në pjesën tuaj, ndërsa sot ai po na shikon nga andej. Unë di vetëm se po ndihem si dikush që ja kanë prerë të dy krahët. Edhe skena e gazetarisë kosovare besoj se ndihet ashtu. Nuk ishte vetëm koleg, ishte edhe shok dhe mik i madh"- tha Besim Abazi.
Muharrem Nitaj, korrespondent i BBC, tha se Shefki Morina e ka përfunduar punën e tij më nder, dhe prej njerëzve të ndryshëm, tha zoti Nitaj, është cilësuar si i shenjtë.
"Secili prej nesh do të bjerë një ditë në këtë rrugë, dikush më herët e dikush më vonë. Shefki Morina ishte njeri prej tyre që ra shumë herët, por unë kujtoj që këto tre qëllime: që ta kryejë misionin më nder, që të ruajë faqen e bardhë dhe të sigurojë jetën për familjen, ia arriti t’i përfundojë në këtë jetë të shkurtër"- tha Muharrem Nitaj.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Shefki Morina, njërit prej gazetarëve më të dalluar kosovarë. Në këtë mesazh kryeministri Rexhepi, në emër të Qeverisë së Kosovës, thotë se vdekja e Shefkiut, është një humbje e pazëvendësueshme për familjen e tij, por është edhe humbje e pazëvendësueshme për gazetarinë e Kosovës dhe për lëvizjen patriotike.
XS
SM
MD
LG