Ndërlidhjet

A.GASHI: "BALLKANI PERËNDIMOR DO TA KETË QETËSINË E GARANTUAR SAPO KOSOVA TË BËHET SHTET I PAVARUR"


Alush Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, këto ditë po zhvillohet samiti i BE-së në Selanik. Si e shihni ju përfaqësimin e Kosovës atje dhe përgjithësisht pozitën e Kosovës në kuadër të integrimeve evropiane?

ALUSH GASHI
Mendoj se është mirë që Bashkimi Evropian e ka ftuar Kosovën të marrë pjesë në Samitin e Selanikut. Do kishte qenë më mirë të jetë pjesëmarrëse aktive e jo vetëm në rolin e vëzhguesit. Megjithatë është mirë që Kosova në tryezën e Selanikut ka vendin e vet dhe kohën e prezantimit të përpjekjeve dhe nevojave të saj për Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga Bashkimi Evropian kanë ardhur mesazhe se vendet e Ballkanit kanë gjasa të integrohen nëse i normalizojnë raportet mes tyre. Sa konsideroni se me vënien e kontakteve të paralajmëruara në Selanik, mund të fillojë një epokë e re në Ballkanin Perëndimor?

ALUSH GASHI
Mendoj se Kosova mund të integrohet në Unionin Evropian, vetëm nëse është si Kosovë me adresë. E adresa jonë, përpjekjet tona, apo mandati ynë është për një Kosovë si shtet të pavarur dhe sovran. Të gjitha këto përpjekje që Kosova të qetësohet dhe të kënaqet vetëm me liri fizike, mendoj se nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një stabilitet të Evropës Juglindore. Mendoj se Ballkani Perëndimor do ta ketë qetësinë e garantuar sapo Kosova të bëhet shtet i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjithashtu është paralajmëruar dhe fillimi i kontakteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas vlerësimeve tuaja cili mund të jetë rezultati i këtyre bisedimeve eventuale?

ALUSH GASHI
Si inicim të takimit Prishtinë – Beograd, natyrisht që është një kërkesë legjitime dhe kërkesë e drejtë dhe se ai takim në Selanik, në Samitin e shefave të shteteve të 25 vendeve evropiane, e ngre Kosovën në një pozitë mjaft të lakmueshme, ku Kosova ka argumentet e verifikueshme për të demonstruar stabilitetin, ka të dhëna të verifikueshme për trajtimin e drejtë të pakicave dhe natyrisht ka një llogari të fuqishme që mund t’ia prezantojë Beogradit për reparacionin e dëmeve të luftës si dhe shumë çështje, për të cilat qeveria e Beogradit duhet të japë llogari, gjithashtu dhe për gjenocidin që ka ndodhur këtu në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas paralajmërimeve të para, thuhet se në këto bisedime nuk do të trajtohet çështja e statusit të Kosovës. Mirëpo, duke i pasur parasysh rrethanat, sa konsideroni se palët biseduese mund t’iu shmangen bisedimeve rreth statusit të Kosovës?

ALUSH GASHI
Fatmirësisht në Selanik, Kosova përfaqësohet nga përfaqësuesit më të lartë, me kryetarin e Kosovës dhe me kryeministrin dhe natyrisht edhe me përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm, kështu që besoj se presidenti dhe kryeministri janë të vetëdijshëm për gjendjen në Kosovë dhe besoj që ata gjatë qëndrimit në Selanik, do të bëjnë përpjekje maksimale që aktiviteti i tyre të jetë kontribut i stabilizimit e jo eskalimit. Prandaj unë pres që do të jenë veprime të matura në dobi të proceseve pozitive në Kosovë dhe se nuk do të ketë aventura, të cilat do ta keqësonin gjendjen në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni dhe deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Komisionit për marrëdhënie me jashtë. Institucionet vendore kanë kërkuar qasje në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Cilat janë nevojat e momentit që Kosova të marrë përgjegjësi sa i përket politikës së jashtme?

ALUSH GASHI
Unë mendoj se Kosova duhet t’i ketë kompetencat të cilat i kanë vendet tjera përreth Kosovës. Samiti i Selanikut dhe prania fizike e Kosovës atje, qoftë edhe në një pozitë të reduktuar në formë të vëzhguesit, mendoj se është një alarmim i komunitetit ndërkombëtar, e në veçanti i OKB-së, se duhet krijuar një vend për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nuk ka asnjë arsye që Kosova mos të jetë vëzhguese në OKB, kur OKB-ja e ka një mision kaq të fuqishëm në Kosovë. Është shumë e deplasuar që në debatin për Kosovën të mos marrë pjesë askush nga njerëzit e zgjedhur të Kosovës, e në raste të posaçme, çuditërisht të mos marrin pjesë as përfaqësuesi special apo dikush nga zyra e tij. Kështu që komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë shumë më i guximshëm sa i përket çështjes së Kosovës, ta pranojë realitetin se Kosova është një entitet i posaçëm dhe i veçantë ndërkombëtar dhe për këtë duhet të ketë trajtim të veçantë, do të thotë si një shtet. Sa më parë që kjo të realizohet, aq më të mëdha janë gjasat për paqe dhe stabilitet në Evropën Juglindore.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG