Ndërlidhjet

B.HAXHIU: "KY ËSHTË PROCES I RELAKSIMIT JO I DIALOGIMIT"


Baton Haxhiu analist nga Prishtina

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, është thënë se bisedimet Prishtinë-Beograd mund të fillojnë gjatë korrikut, ndërkohë që përfaqësues të Kosovës thonë se këto bisedime mund të fillojnë më vonë. Sipas jush, çfarë janë gjasat që ky dialog të fillojë së shpejti?

BATON HAXHIU
Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare, sidomos Brukseli do të tentojë që ta ndajë procesin e fillimit të dialogut. Së pari ata në njëfarë mënyre do të bisedojnë me liderët kosovarë që t’i bindin ata të fillojnë dialogun dhe ta përkrahin procesin e dialogut, edhe pse një pjesë e madhe e liderëve dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi. Unë nuk mendoj se do të ketë një dialog që do të ndryshojë diçka në marrëdhëniet shqiptaro-serbe për shumë arsye. E para unë pres që dy deri tre takime të mbahen deri në fund të këtij viti dhe asgjë më shumë, për arsye që vijojnë: e para vitin e ardhshëm janë zgjedhjet në Amerikë dhe askush s’do të merret me Kosovën, janë zgjedhjet në shumicën e shteteve evropiane dhe askush nuk do të merret me Kosovën. Në të vërtetë do të ketë një marrëveshje parabolike që problemin e Kosovës ta mbajnë në proces, por jo edhe të ndikojnë që ky proces të shpejtohet. Pastaj, zgjedhjet janë në Serbi janë dhe në Kosovë. Ajo që mua më vjen keq është se ky problem po trajtohet si biseda Prishtinë-Beograd dhe jo si biseda Kosovë-Serbi, që në njëfarë mënyre e konsiderojnë si një problem të një dialogu brenda një entiteti politik, brenda një entiteti politik të dy subjekteve politike, që në njëfarë mënyre e prejudikon njëfarë statusi të federalizuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, zoti Haxhiu, çfarë mund të pritet nga këto bisedime ?

BATON HAXHIU
Unë nuk pres kurrgjë nga këto bisedime. Ky është një prces i relaksimit dhe jo proces i dialogimit. E vetmja deklaratë që mund të nënshkruhet është një agjendë e bisedimeve që ky problem të zgjidhet deri në vitin 2006 apo 2007, kur parashihet të ndërtohet ajo struktura e "perandorisë evropiane". E mira e procesit është se po fillon dialogu, ndërsa e keqja është se subjektet politike dhe institucionet e Kosovës nuk kanë strukturë të mjaftueshme të përgatitur dhe nuk e dinë vizionin se çfarë është "perandoria evropiane" dhe si duhet të hyhet aty.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti Steiner këto ditë i jep fund mandatit të tij si kryeadministrator i Kosovës. Ç’ndikim mund të ketë mungesa e një diplomati të tillë për bisedimet Prishtinë-Beograd?

BATON HAXHIU
Po meqenëse janë krijuar institucionet e Kosovës, ndërmjetësuesi nuk do të duhej të ishte kryeadministratori, pasi ai në njëfarë mënyre është pjesë e procesit të institucioneve të Kosovës. Meqenëse kemi institucionet, ato duhet të jenë ato që vendosin. Por, këtu unë dua të tërheq një vërrejtje: institucionet janë produkt i partive politike, pra i tre nënshkrimeve, Ibrahim Rugovës, Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. Këta tre persona nuk guxojnë të anashkalohen në një proces dialogimi, pasi institucionet janë pjesë e procesit të brendshëm, ndërsa parlamenti apo qeveria kanë të bëjnë me produktin e nënshkrimit të këtyre tre personave. Unë nuk jam që të mos përfshihet në ekip pjesa e shoqërisë civile, por pjesa e shoqërisë civile duhet të mësohet tani e tutje që të bëjë presion në institucionet, por jo të marrë pjesë drejtpërdrejt në proces dhe të vendosë për çfarëdo firmë, pasi institucionet e Kosovës janë ato që kanë marrë votën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s lordi George Robertson, në vizitën e tij të fundit i dërgoi një mesazh shoqërisë kosovare se duhet të lirohet nga krimi i organizuar dhe ekstremizmi. Si duhet trajtuar ky mesazh nga shoqëria kosovare, nga institucionet dhe nga lidershipi?

BATON HAXHIU
Është mirë që ky mesazh është dërguar nga një personalitet si lordi George Robertson. Por, mendoj se Kosova nuk duhet të merret si pikë e zezë. Në projektin e kriminalitetit, Kosova është më pak e kriminalizuar se të gjitha vendet në Ballkan dhe jam i bindur se Kosova ofron standarde më të mira seç ofrojnë këto shtete. Unë nuk shoh se krimi i organizuar në Kosovë është i dëmshëm sa në vendet e tjera.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG