Ndërlidhjet

PARLAMENTI MBËSHTET KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot disa rekomandime në lidhje me kthimin e personave të zhvendosur nëpër shtëpitë e tyre. Rekomandimet janë miratuar me shumicë votash, ndërsa vetëm koalicioni “Kthimi” ka abstenuar. Duke i lexuar para Kuvendit rekomandimet e miratuara, deputetja Nafie Gashi, tha se ato i japin mbështetje letrës së hapur të liderëve kosovarë për kthim, pastaj kërkohet që secilit t’i njihet e drejta për kthim dhe që kjo çështje të mos politizohet:
“Kuvendi rikonfirmon mbështetjen për rezolutën, për të drejtat dhe kushtet e kthimit të të zhvendosurve dhe refugjatëve të datës 7 qershor 2002 dhe e njeh mesazhin e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës lidhur me kthimin e të zhvendosurve. Kuvendi konsideron se kthimi i të zhvendosurve paraqet një çështje humanitare dhe respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe kërkon që ky proces të mbrohet nga implikimet dhe keqpërdormimet politike”.
Deputetja Nafie Gashi tha gjithashtu se Kuvendi kërkon që të gjitha institucionet e Kosovës t’i kenë parasysh këto rekomandime.
Në debatin e sotëm parlamentar ka marrë pjesë dhe drejtoresha e zyrës për kthim në administratën e UNMIK-ut Pegi Higs, e cila tha se gjatë vitit 2002 në Kosovë janë kthyer rreth 2.700 persona, ndërsa gjatë vitit 2003 janë kthyer 1.416 veta. Ndërsa sfidat kryesore që e pengojnë kthimin tha Higs, janë mungesa e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes, fondet jo të mjaftueshme, si dhe bllokadat që, sipas saj, po i shkaktojnë struktura të caktuara në nivele lokale, kryesisht nëpër fshatra. Ndërkohë shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike Sabri Hamiti, tha se e mbështet kthimin e të zhvendosurve, ndërsa u shpreh kundër çfarëdo diskriminimi, qoftë pozitiv apo negativ të ndonjë komuniteti në Kosovë.
“Shoqëria stabile krijohet duke krijuar raporte stabile në mes shumicës e të pakicës. Shumica do të shpërthejë në rast se merremi vetëm me pakicën. Në anën tjetër pakica do të diskriminohej duke u marrë vetëm me shumicën”-tha Hamiti.
Edhe ushtruesi i detyrës së shefit të deputetëve të Partisë Demokratike, Arsim Bajrami, tha se kjo parti e mbështet procesin e kthimit dhe dëshiron që përgjegjësinë për kthimin t'a marrin institucionet e Kosovës. Deputeti Bajrami tha se ai e kundërshton politizimin e kthimit nga Beogradi, i cili përmes kësaj çështjeje bën presion politik mbi zhvillimet në Kosovë.
“Natyrisht që ne jemi plotësisht kundër politizimit që po bën qeveria e Beogradit, e cila vazhdon ta përdorë këtë proces si një presion politik, jo për t’i kthyer të zhvendosurit,por ndaj zhvillimit të procesit në Kosovë”, - theksoi Bajrami.
Mirëpo, pakënaqësinë me procesin e kthimit e ka shprehur koalicioni “Kthimi”. Deputeti serb Dragisha Kërstoviç fajësoi për këtë dështim, siç e quajti ai, UNMIK-un, liderët dhe institucionet vendore.
“Ne e dimë se kush është përgjegjës për faktin se nuk ka rezultate sa u përket personave të kthyer, e ata fajtorë janë, misioni ndërkombëtar në Kosovë, liderët shqiptarë dhe institucionet e Kosovës”, tha Kërstoviç. Ndërsa vlerësime të ndrzshme prej tij, ka shprehur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bajram Kosumi, i cili tha se Beogradi, por edhe strukturat politike të serbëve të Kosovës, duke e politizuar çështjen e kthimit, përmes propagandës mediale kanë penguar kthimin e të zhvendosurve.
“Politizimi i kësaj çështjeje, është pengesa themelore. Nëse kthimi i personave të zhvendosur lidhet me kthimin e Serbisë, nuk do të ketë kurrë kthim. Ky është politizim dhe këtë e bën politika e Beogradit. Nëse ndonjë udhëheqës politik serb, në Kosovë, çohet dhe thotë se TMK-ja dhe SHPK-ja janë organizata terroriste, nuk do të ketë serb që do të kthehet në Kosovë”, pohoi Kosumi.
Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës brenda një viti, për herë të dytë u ka bërë thirrje personave të zhvendosur që të kthehen, pasi paraprakisht pati miratuar dhe një rezolutë me të cilën qenë ftuar të gjithë të zhvendosurit të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG